Regjistrimi i popullsisë si një test i krizës identitare!?

Opinione

Regjistrimi i popullsisë si një test i krizës identitare!?

Nga: Lirim Begzati Më: 11 mars 2021 Në ora: 22:26
Lirim Begzati

 Vallë, sa maqedonas, sa shqiptarë, sa bullgarë, sa turq,... kanë me na dalë nga këto rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut? Kush do të dalë më tepër e kush më pakë, një pyetje kjo aq e shpeshtë, bile tepër sa sa duhet!

Kush numëron më tepër njerëz e kush më pak, sa e rëndësishme po na qenka kjo!? Por jo vetëm kaq, pasi që kjo dukuri duket se është e shoqëruar me ca ndjenja dhe ambicione superiorite ti apo inferioriteti!

Një çudi, pyetje të pareshtura dhe të tepruara shpalosen lidhur me një çështje aq konkrete, siç është ajo e regjistrimit të një popullsie, e cila nga natyra e saj duhet normalisht të jetë e ç’veshur tërësisht nga lojërat e kalkulimeve emocionale dhe politike, përfshirë këtu edhe nga fantazmat e panevojshme të përditshmërive tona!

Jo, nuk kemi aspak nevojë me u treguar se dikush është pakicë a dikush tjetër shumicë. Kemi thjeshtë nevojë me u përballuar me statistika, të cilat i reflektojnë objektivisht realitetet tona, të cilat e dëshmojnë  fizionominë e diversitetit të shoqërive tona.

Nuk ka nevojë me “përqeshur” dikën duke i përdorur formulat tashmë të mirënjohura “a është maqedonas, a është shqiptar, a është turk, a është bullgar, ...”.

Çdokush i ka telashet e veta në këto horizontet tona ballkanike! Aq e vlefshme kjo sidomos në kohërat kur i “përqeshuri nuk ka nevojë me e përqeshur të përqeshurin”!

Nuk ka nevojë as të keqpërdoren disa kontekste dhe kalkulime politike apo edhe disa mosmarrëveshje ndërshtetërore, vetëm për me i vënë në shërbim të interesave të ngushta politike të dikujt!

Mbi të gjithat, pjesëmarrja në regjistrime është ajo e cila do të çonte më tepër peshë se sa gjithçka tjetër. Rezultatet e numrave dhe shifrave le ta bëjnë punën e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat