Fajtorët që përhapen virusin vdekjeprurës heshtin

Opinione

Fajtorët që përhapen virusin vdekjeprurës heshtin

Nga: Xhavit Çitaku Më: 13 mars 2021 Në ora: 12:03
Xhavit Çitaku

Në vendin tonë brengos numri i madh i të infektuarave nga Covid- 19 e posaçërisht i dhimbshëm është numri i të vdekurve nga ky virusi padukshëm. Të gjithë po i dinë shkaqet e një gjendje të tillë alarmuese, por, fatkeqësisht, ata që janë përgjegjës as që po u shkon ndërmend që bile për hirë të moralit të kërkojnë falje popullit si dhe institucioneve shëndetësore, të cilat po e bartin barrën më të madhe të kujdesit ndaj pacientëve të shumtë që po kërkojnë ndihmë mjekësore. Faji, pra, nuk është jetim, ai është i ditur, i pastërt si biluri. Pa e zgjatë, përgjegjësia është e partive politike, të cilat pa i respektuar në asnjë qastë rregullat dhe rekomandimet e organeve dhe institucioneve përkatëse zhvilluan fushatë me qindra anëtarë, përkrahës e simpatizantë dhe kësisoj duke bërë edhe vepër penale, virusi vdekjeprurës u shpërnda lehtësisht e me shpejtësi tek popullata, të themi kushtimisht, e pafajshme dhe e pafuqishme për të bërë diçka në këtë drejtim, për të kundërshtuar këtë çmenduri të organizatorëve të atyre tubimeve partiake.

Fushatë në kundërshtim me programin partiak

Secila parti politike gjatë fushatës zgjedhore shpalosi, ndër të tjera, njërën ndër prioritet që kanë lidhur me punën e madhe që do të bëjnë për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit Covid- 19 nëse i fitojnë zgjedhjet. Partitë politike që ishin në opozitë aq shumë e kritikonin qasjen jo adekuate e joprofesionale të qeverisë, sa që fitohej përshtypja se po të ishin ata në pushtetas që do të bëhej fjalë se ka farë virusi në Kosovë. Mirëpo, jo vetëm që nuk u përmbush ky premtim, por këto subjekte politike punuan në kundërshtim me programin e tyre dhe pa kurrfarë turpi organizuan tubime dhe krijuan këtë gjendje kaq të rëndë, e cila me gjithë angazhimin e pandërprerë të institucioneve mjekësore zor se do të mund të përballohet për një kohë të gjatë, sepse fluksi i atyre që iu duhet intervenimi adekuat mjekësor po rritet në mënyrë rapide, ndërkaq, në anën tjetër kapacitetet e personelit profesional janë të limituara.

Asnjë subjekt politik nuk e pranon përgjegjësinë për gjendjen e rëndë të krijuar

Pasi përfunduan zgjedhjet partive politike as që u shkoi ndërmend të flasin për gjendjen shumë të rëndë që mbretëron për shkak të shtimit të numrit të të infektuarve nga virusi vdekjeprurës, që është pasojë e mosrepektimit të rregullave dhe rekomandimeve në fuqi për shkak të organizimit të tubimeve gjatë fushatës, përkundër zërit të fuqishëm që trumbetohej nga ana e profesionistëve mjekësor dhe institucioneve përkatëse që ua tërhiqnin vërejtjen se këtë gjë ata do të duhej ta ndërprisnin menjëherë, ose Kosova do të ballafaqohet seriozisht me këtë problem që ka përfshi të globin. Të veshur nën petkun e turpit, as liderët e as zyrtar të tjerë të subjekteve politike nuk po e kanë as guximin moral për të pranuar fajësinë për këtë situatë që ata vetë e krijuan, por shtirën sikur asgjë nuk po ndodh rreth e tyre dhe në përgjithësi nëpër institucionet shëndetësore të vendit tonë. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se si do të realizojnë premtimet e dhëna ata që i fituan zgjedhjet kur me të dyja këmbët si pushtetar të ardhshëm i shkelën, ligjin, rekomandimet dhe rregullat tjera që kanë të bëjnë me pandeminë. Kjo shkelje në korpusin e fushës juridike, quhet vepër penale. Megjithatë, populli i Kosovës është mësuar me këto taktika të politikanëve tanë, së këndejmi qytetarët ditëve të fundit se bashku me OJQ-të kanë ngritur zërin e kritikës ndaj tyre, aq më shumë kur të kihet parasysh fakti se vetëm për mosbartjen e një maske qindra qytetar, gastronom e subjekte tjera afariste u dënuan me gjoba bukur të larta, ndërsa ata që bartin fajin kryesor për numrin kaq të madh të të infektuarve zgërdhihen para qytetarëve pa pasur asnjë pasojë, që në të vërtetë do të duhej ta kishin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat