Pas Çakorrit, Ramushi e lëshoi bajrakun edhe për presidentin

Opinione

Pas Çakorrit, Ramushi e lëshoi bajrakun edhe për presidentin

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 16 mars 2021 Në ora: 12:05
Ramush Haradinaj

Dikur bërtiste Çakorri, Çakorri. Erdhi në pushtet e lëshoi bajrakun. Tashmë, që disa muaj bërtet President, President…Në takim me Albinin dhe Vjosën e lëshoi bajrakun, u dorëzua. Pas takimit, Ramushi u shpreh se partia e tij nuk e ka shumicën e votave.

“Kanë kërkuar një partneritet pozitë-opozitë, në këtë rast është e kuptueshme që Aleanca është parti konstruktive opozitare, i tregova z.Kurtit që nuk do të kthehem në metodat tona të vjetra, sepse edhe unë jam plak, po do të jemi ata që do t’ua kujtojmë funksionimin pozitë-opozitë. Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën me kriju qeverinë, shumicën për qeverinë, 2/3 për presidentin është në përgjegjësinë e tyre, ne nuk e kemi si Aleancë këtë mundësi, ajo që na mbetet është një rol opozitarë”, tha Haradinaj.

Kaq e pati edhe puna e Ramushit për president, njësoj si për Çakorrin. Të jesh njeri i fortë nga bindjet jo nga muskujt, kjo është ajo për të cilën ka nevojë Kosova. Praktikisht, Ramushi ndonëse ka qenë gjithnjë kundër ndarjes dhe ka momente për të cilat edhe jam pajtuar me të, në përgjithësi nuk është treguar i suksesshëm në politikë. Nga kjo duhet të nxirret një përfundim logjik nga vet z.Haradinaj, koha e tij ka përfunduar në politikë. Dhe jo vetëm e tij, por i tërë krahut të luftës, të cilëve populli iu dha goditjen fatale me 14 shkurt. Duhet ditur të lexohet mesazhi i qytetarëve me 14 shkurt, ndryshim radikal dhe rrënjësor në partitë të cilat kanë qeverisur që nga paslufta. Në LDK ndryshimi erdhi, dha dorëheqje kryetari Mustafa, tani erdhi Lumiri. Nuk duhet të ndalet me kaq, ky ndryshim duhet të vazhdojë edhe në PDK dhe AAK, të cilat janë ndëshkuar me 14 shkurt.

Ramushi, pas tërheqjes dorë nga posti i presidentit, duhet të largohet edhe nga AAK, e cila parti duket se është e destinuar për tu zhdukur. Ramushi e ka të vështirë, për mos të thënë të pamundur, ta rikthejë AAK-në në rritje. Nuk mund të bindesh një qytetar të Kosovës, një të ri se AAK është zgjidhje. Qytetarët duan ndryshime, të cilat i shohin dhe i presin tek partitë tjera. AAK, pavarësisht ndryshimeve, vështirë të mbijetojë. Njësoj si e lëshoi bajrakun për Çakorrin, tani për presidentin, po kështu një ditë do ta lëshojë bajrakun edhe nga vet AAK. AAK pa Ramushin nuk mund të mbijetojë, por edhe me Ramushin nuk mund të rritet më shumë se kaq. Ramushi, gjithnjë i ka kuptuar me vonesë nevojën për ndryshim, nevojë e cila kaherë ka trokitur në derën e tij,. Një politikan i zgjuar e nuhat me herët kur gjërat nuk shkojnë, kur duhet të largohet. Sa më herët e kupton këtë në politikë, aq më i respektuar dhe më faqebardhë del.

Ramushi duhet të kuptojë se koha e tij në politikë ka praruar. Ashtu siç do të përfundojë edhe e këtyre që po vjen. Politika është cikël që ka fillim dhe fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat