Disa nga komandantët, më shumë e luftuan Rugovën se Serbinë

Opinione

Disa nga komandantët, më shumë e luftuan Rugovën se Serbinë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 18 mars 2021 Në ora: 10:52
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Arrestimi i para dy ditëve i Pjetër Shalës, i njohur ndryshe edhe si “Komandant Ujku” nga Gjykata Speciale, përveç vëmendjes si pjesëtar i luftës së fundit, vazhdon të shpërfaq atë që tanimë të gjithë e dinë: urrejtjen e disa nga komandantëve të luftës ndaj presidentit Rugova. Me këtë rast, ata nuk janë marrë me luftimin e okupatorit, por të presidentit Rugova dhe të gjithë atyre që ishin rreshtuar në rrugën e tij. Në një libër që ishte shkruar për luftën, ku ishte përmendur edhe “Ujku”.

Autori Maxhun Smajli kishte rrëfyer edhe për kërcënimet e Pjetër Shalës se do ta rrëzojë Rugovën, jo vetëm kaq por edhe do t’i vras përkrahësit e tij. “Unë jam shok i ngushtë i Zani Qaushit. Ne e kemi rrëzuar Sali Berishën dhe e kemi nxjerrë nga burgu Fatos Nanon, e ne do ta rrëzojmë edhe Ibrahim Rugovën, kurse përkrahësit e tij do t'i vrasim! ", tha mes tjerash para te pranishmëve Pjetër Shala. Nuk është i rastësishëm ky kërcënim nga Ujku”, komplet struktura e lidhur me LPK-në ka qenë kundër Rugovës, dhe synim të vetëm kanë pasur eliminimin e tij fizik.

Meqenëse këtë nuk e arritën gjatë luftës edhe pas luftës iu bënë shumë atentate, por fatmirësisht presidenti Rugova shpëtoi nga ato atentate. Njeriun e mirë dhe të drejtë e ndihmon edhe Zoti, virtyte të cilat i kishte Rugova. Duket se “Ujku” kishte synim për të luftuar Rugovën, të gjithë ata që e mbështesnin, gjë që e ka thënë edhe vet.

Së fundi edhe Gani Geci, luftëtari i vijës institucione tha se ka informacione okulare se Shala kishte provuar te organizojë atentat ndaj tij dhe Tahir Zemajt në Bruksel gjatë vitit 2002. Geci pretendon se ka informata se “Komandant Ujku”, kishte mbledhur para në Belgjikë për të iu dërguar atentatorëve që kishin kryer atentatin kundër tij në vitin 2001, atentat në të cilin u vranë Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati.

Njerëz të tillë ka pasur shumë në luftë fatkeqësisht, e të cilët më vonë erdhën edhe në pushtet. Pasi u themelua Gjykata Speciale, ata “që e kanë mizën nën kapelë” u larguan nga Kosova me shpresën se Gjykata s’do t’i kapte. Por jo, edhe në Belgjikë dhe kudo që të jenë ata që kanë vrarë shqiptarë do të arrestohen dhe do ta marrin dënimin e merituar. Pjetër Shala dhe shumë si ai, që më shumë se Serbinë e kanë urryer dr. Rugovën, janë ata që nuk i kanë sjell kurrë të mira vendit. Ata edhe në luftë krijuan urrejtje ndër shqiptare, vazhduan edhe pasluftës po me të njëjtën logjikë, aq sa u vranë shumë figura të LDK-së, të cilët “fajin: e vetëm e kishin se e mbështesin dr. Rugovën. Koha e dëshmoi se kush ishte Rugova, madhështia e tij ishte përtej kufijve të Evropës.

Pas 21 viteve të pasluftës, po fillohet të zbardhet krejt misteri i krimeve të pasluftës. Arrestimet pritet të vazhdojnë edhe ditëve, javëve dhe muajve në vazhdim, të të gjithë atyre që kanë ushtruar zullum ndaj mbështetësve të Rugovës. S’ka më trup se të shkosh në luftë kundër armikut dhe të maltretosh njerëz të vendit tënd, vetëm se mbështesin dikë tjetër politikisht. Ky është mjerim i njerëzve të vegjël nga mendja dhe zemra. Fatkeqësisht shumë të tillë kanë qenë në krye të luftës, akoma më e tmerrshme është se të tillët edhe erdhën në pushtet. E zhvatën këtë vend. Fundi duket se iu erdhi edhe në politikë, e tani të përgjigjen për të zezat që kanë shkaktuar popullit shqiptar. Të kujtojmë se “Ujku” nuk është arrestuar për luftë ndaj Serbisë, por për kërcënimet ndaj mbështetësve të dr.Rugovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat