Dhjetë (10) pikat ultimative të Enver Hoxhajt, u.d. kryetarit të PDK-së, të shtruara ndaj Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit..!?

Opinione

Dhjetë (10) pikat ultimative të Enver Hoxhajt, u.d. kryetarit të PDK-së, të shtruara ndaj Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 18 mars 2021 Në ora: 12:47
Rexhep Elezaj

Po qe se analizohen mirë dhe me kujdes 10 pikat e formuluara nga u.d. të kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajt, të cilat ia ka parashtruar znj. Vjosa Osmani dhe z. Albin Kurtit, në takimin e tyre të mbajtur para tri ditëve (15 mars), jam i bindur, se secili lexues i kujdesshëm do shtron këtë pyetje; a është vërtetë Enver Hoxhaj njeri i ekuilibruar mirë politikisht, intelektualisht dhe moralisht, nga vet fakti sepse për çështjet të cilat i ka ngritur në ato 10 pika provokative, janë pikërisht ai dhe partia të cilën ai e drejton aktualisht, PDK-ja, aktorët kryesorë të cilët për 13 vite qeverisje pavarësinë, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës e kanë ngërthyer në një oazë izolimi me plotë rreziqe, duke i sjellë dëme gati të pariparueshme..!?

P. sh. në pikën Një (1) ai ka shkruar; “Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik..”, një formulim ky plotë helm, shpifje, trillim, hakmarrje dhe shantazh, sepse vlerësimin se çfarë përfshinë në vete “dhuna politike”, këtë nuk e dinë as vetë E. Hoxhaj, por as Kosova ende nuk ka një ligj të tillë me të cilin janë përcaktuar kriteret dhe normat se cilat veprime radhitën në kategorinë e dhunës politike. Pra, ky formulim përveç se është ofendues, flet qartë se u.d. i PDK-së, E. Hoxhaj, vazhdon ta trajtojë A. Kurtin si burim të dhunës politike, të cilën gjithnjë sipas E. Hoxhajt, Kurti do ta ushtrojë edhe si kryeministër, e të cilit “PDK-ja nuk do ia jep votat derisa i njëjti të mos distancohet nga vetvetja, madje për këtë “faj” ai u dashka domosdo ta njoftojë “Bosin” e Kosovës” në zyrat e PDK-së..!?

Pikën Dy (2) po e citojmë në tërësi, sepse këtë duhet shtjelluar në tërësi; “Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkim falje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur...”, një përceptim ky fund e krye narcizoid dhe linçues ndaj Vjosës dhe Albinit, kur edhe zogjtë në mal e dinë, se është vet Enver Hoxhaj, partia e tij si dhe shefi i saj “historik”, H. Thaçi, ata të cilët mbi 8 vite kanë dialoguar me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve “me qëllim përfundimtar për njohje reciproke”, pa e arritur asnjë rezultat në të mirë të Kosovës! Përkundrazi, vendit i kanë sjellë dëme të pariparueshme, siç është marrëveshja për formimin e komunave me shumicë serbe (“Zajednica”), e nënshkruar në Buksel nga H. Thaçi dhe Isa Mustafa me 2015. Pastaj, asnjëherë E. Hoxhaj, as si ministër i jashtëm, as H. Thaçi si kryeministër dhe president, nuk kanë kërkuar nga Serbia që ajo të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë, gjatë gjithë bisedimeve shtatëvjeçare (7) të mbajtura në Bruksel. Dhe po ashtu, kurrë nuk i kanë kushtëzuar negociatat me Serbinë me kërkesën për kthimin e mbi 1700 shqiptarëve të vrarë, masakruar dhe të varrosur në 17 varreza masive në Serbi..!? Ndërsa, tash atë që vet nuk e kanë bërë kurrë, ua kërkon me kaq arrogancë dhe pafytyrësi Vjosës dhe Albinit, të cilët ende nuk kanë ardhur në pushtet, dhe se kjo kërkesë e E. Hoxhajt nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm si hudhje e fajit vetanak mbi ata të cilët nuk kanë qenë deri tash në pushtet, hiç ato 52 ditë të qeverisë “Kurti-1”, të cilën me aq shumë zell e rrëzoi me votat e tij/saj, PDK-ja me pëlqimin e Enverit..!?

Oh Zot, a ka fund ligësia dhe poshtërsia e qenies së njeriut, i cili për interesa të veta egocentrike, është në gjendje ta shes dhe vras shpirtin e vetë, vetëm që t’i kënaq epshet e tij me vuajtjet dhe dështimet e të tjerëve..!?

Në pikën katër (4), E. Hoxhaj shkruan: “Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi..., a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar..”, po si mund ta shtron një pyetje të këtillë për demarkacionin me Malin e Zi, dy njerëzve që nuk bartin kurrfarë faji, e që pikërisht ish shefi i E. Hoxhajt, Hashim Thaçi, PDK-ja dhe LDK-ja janë ata të cilët me marrëveshjen e nënshkruar me 26 gusht 2015 në Vjenë të Austrisë me palën malazeze, e përgatitur nga kryetari i Komisionit për demarkimin e kufirit me MZ, Murat Meha, me dorë të tyre ia kanë falur MZ mbi 8300 hektarë toka të trevës së Rugovës!

Si mund të kërkosh qëndrim politik nga dy fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 në mënyrë plebishitare, Vjosa Osmani (300.788 vota) dhe Albin Kurti (LVV 438.000 vota), ende pa e marrë ata qeverisjen, se çka do bëjnë me një marrëveshje të tradhtisë kombëtare, autor i të cilës është vetë ish shefi i E. Hoxhajt..!? Ky është pa dyshim, provokim i hapur ndaj Vjosës dhe Albinit, e që në çdo vend demokratik për një sjellje të këtillë brutale çdo politikan do ftohej në përgjegjësi penale..!?

Në pikën gjashtë (6), E. Hoxhaj shkruan; “I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina..”, po si mund t’i pyesësh për një “Mini-Shengen”, një projekt puro antishqiptar i kurdisur si bombë kundër pavarësisë së Kosovës nga A. Vuçiçi, Edi Rama dhe B. Haxhiu, derisa dihet se Vjosa dhe Albini kanë dalë hapur kundër një skenari të tillë, madje në Tiranë janë konfrontuar keq me mikun dhe vëllain e A. Vuçiçqit, Edvin K. Ramën. Kurse ti tash ua shtron pyetjen shantazhuese, se u dashkan te të japin ty, bosit (E.H.) përgjigje për një çështje që këta e kanë refuzuar me kohë kategorikisht me shumë mjete demokratike, përfshirë edhe gazin lotsjellës në Kuvend..!?

Shikoni se me çfarë injorance dhe hasmërie flet E. Hoxhaj në pikën shtatë (7); “Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës..”, po si mundet të shpif kështu një ish ministër i jashtëm i Kosovës, një doktor shkence që ka doktoruar në Vjenë, një u.d. i kryetarit aktual të një partie të madhe në Kosovë, PDK-së, se gjatë qeverisë “Kurti-1” qenka pezulluar sovraniteti i Republikës së Kosovës “kur këto qeveri” u tërhoqën nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, e që i gjithë opinioni e dinë se kjo tërheqje ka ndodhur me nënshkrimin e zotimeve- nga A. Vuçiqi dhe A. Hoti në Shtëpinë e Bardhë në Washington në prezencë të ish presidentit D. Trump, me 4 shtator 2020, në të cilin dokument decidivisht thuhet; “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”. Pra, si mund të kërkohet nga z. A. Kurti sqarim për diçka që ai nuk e ka nënshkruar fare, por ky është një lapsus i qëllimshëm i E. Hoxhajt, e jo se ky nuk e ka ditur faktin se A. Kurti nuk të bëjë asgjë me marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 e nënshkruar nga A. Hoti në Dhomat ovale të Shtëpisë së Bardhë, veçse qëllimisht donë të krijojë huti në opinion kundër Albin Kurtit..!?

Nuk po vazhdojmë me analizën e pikave tjera të shtruara nga u.d. të kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajt, për të mos i mërzitur më shumë lexuesit, duke besuar fort se kundër faktet të cilat i solla më lartë si reagim ndaj obstruksioneve të z. Hoxhaj, dhe jo vetëm të tij, në kohën kur i gjithë spektri politik duhet të mobilizohet për formimin sa më të shpejt të institucioneve të reja të Kosovës, sepse këto mjaftojnë për të kuptuar faktin tragjik, se logjika dhe skenarët e linçeve politike, e shantazhve, njollosjeve, shpifjeve, akuzave të rrejshme si dhe e pengesave për fillimin e realizimit të ndryshimeve të reja politike në harmoni me votat e popullit të 14 shkurtit, mjerisht ende nuk kanë përfunduar..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat