Takim i papritur me presidentin Rugova!

Opinione

Takim i papritur me presidentin Rugova!

Florim Zeqa Nga Florim Zeqa Më 20 mars 2021 Në ora: 09:18
Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Ashtu siç isha duke pirë kafe në një lokal të vogël të qytetit të ku jetoj, papritmas afër meje kaloi presidenti Ibrahim Rugova me një person tjetër.

Nuk munda t'i rezistoj kësaj surprize të bukur, e thirra president! E ktheu kokën nga unë dhe më përshëndeti.

Pas përshëndetjes u nisa menjëherë drejt tij, u morëm në ngryk me presidentin sipas traditave tona popullore dhe më pastaj filluam të bisedojmë.

Pyetjet e para që i bëra presidentit Rugova ishin këto; çfarë e mirë të solli këtu dhe kush është ky personi që është me ju?

-Erdha krejt rastësisht dhe pa ndonjë planifikim, ky personi është një italian të cilin u njoftova gjatë rrugës deri këtu!

Pyetja tjetër e radhës ishte kjo; nëse nuk keni për të shkuar diku tjetër apo nuk e keni të rezervuar ndonjë hotel, a pranoni të vini në konakun tim!?

-Jo nuk kam vend të caktuar se ku të shkoj, me kënaqësi vijë në konakun tuaj!

U nisëm duke ecur këmbë qendrës së qytetit të Orsagos, me presidentin bisedonim për aspekte sociale dhe probleme të jetës së mërgimtarëve. Çdo hapë që bënim na ndalonin bashkatdhetarët, bënin foto me presidentin dhe shkonin, sa të tjerë kërkonin autografe prej tij.

Njëri nga bashkatdhetarët e pyeti presidentit sa ditë do të qëndroni?

Presidenti ia ktheu, nesër në mëngjes!

Në atë moment ndërhyri djali axhës Bedriu, i tha presidentit, unë ta siguroj biletën dhe të dërgoj deri në aeroport të Venedikut (Venezia).

Pak para se të arrijmë tek shtëpia e takova mbesën Arbesen, i thash tregoju të shtëpia se jam duke ardhur me presidentin Rugova!

Me t'iu afruar shtëpisë, i pashë të gjithë anëtarët e familjes kishin dalur në oborr duke e pritur me gëzim presidentin.

Para se të hynim brenda në shtëpi, insistova të presidenti që të mos i z'bathë këpucët, por nuk e pranoj një gjë të tillë, i zgjidhi lidhëset e këpucëve ngjyrë kafe dhe hyri brenda.

Derisa presidenti Rugova shikonte fotografitë dhe orenditë antike në sallonin tim, unë përfitova nga rasti dhe bisedova me bashkëshorten Sebihanen, i thashë që paraprakisht të tubohemi të gjithë anëtarët e familjes dhe të kënaqemi me presidentin, pasi më vonë do të na vijnë shumë miq e dashamirë nga qyteti dhe rrethina për t'u takuar me presidentin historik.

Në momentin që fillova të bisedoj për tema politike me presidentin, bëri zilja, por në fakt ajo nuk kishte qenë zilja e shtëpisë, por alarmi i telefonit për t'u zgjuar për punë i cili ma prishi këtë ëndërr të bukur!

Mbase kjo ishte ëndrra më e bukur në vargun e shumë ëndërrimeve tjera. Dashtë Zoti që ëndrrën për kthim në vendlindje të mos ma prishin alarmet e këqija të pseudopolitikanëve të sotëm!

Sa më fat paskeni qenë president që u ngritët lartë në qiell, për të mos përjetuar devijimet dhe deformimet e kësaj kohe të keqe, ku vlerat u zëvendësuan më antivlera, morali më imoralitet, drejtësia më padrejtësi, besa më tradhti!

Ne që sot ballafaqohemi me sfidat e kësaj kohe të keqe, na mbanë gjallë ndjenja e krenarisë që jetuam dhe vepruam në epokën tënde president, në epokën e krenarisë kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat