Qeveria dhe institucionet e reja të Republikës së Kosovës, disa prioritete dhe sfida

Opinione

Qeveria dhe institucionet e reja të Republikës së Kosovës, disa prioritete dhe sfida

Nga: Burim Breznica Më: 20 mars 2021 Në ora: 09:47
Burim Breznica

Në demokracitë perëndimore është me rëndësi që qeveritë të qeverisin dhe të jenë në shërbim të qytetarëve. Demokracia në një vend kërcënohet dhe e humb besueshmërinë nëse politikanë të papërgjegjshëm premtojnë se do të realizojnë gjëra të ndryshme ose të mëdha dhe nuk i bëjnë ato. Realizimi i premtimeve është i rëndësishëm edhe për qytetarët sepse ka të bëjë me jetët e tyre ditore, pastaj me arsimimin, me shëndetin, me sigurinë, me ekonominë etj.

Në librin e tyre, Why Nations Fail (Pse dështojnë shtetet/kombet), autorët D. Acemoglu dhe J. Robinson thonë se dallimi kryesor pse disa qeveri janë të suksesshme e të tjerat jo ”ka të bëjë me atë se sa janë qeveritë efektive dhe të përgjegjshme dhe si ndjekin politikat dhe strategjitë publike inklusive në raport me ato qeveri që ndjekin interesat e elitave ose grupeve të tyre të ngushta” (Crown Business New York, 2012).

Kurse profesori amerikan F. Fukuyama në librin e tij, The origins of Political Order (Origjina e Rendit Politik) thotë se një vend për të dalur nga ”ekuilibri jofunksional” si e quan ai, duhet të bëjë reforma radikale politiko-ekonomike ose të ketë lidership të fortë ose duhet t’i ketë të dyja së bashku (Profile Books Ltd, 2012).

Pas mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 14 shkurt 2021 dhe pas certifikimit të tyre, tani është në radhë konstituimi dhe zgjedhja e liderëve të institucioneve të reja, duke filluar nga Kuvendi i Kosovës, të hënën më 22 mars.

Është me rëndësi për Kosovën dhe të gjithë qytetarët që konstituimi i këtyre organeve të bëhet pa vonesa, duke përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit/es për arsye se Kosova ka shumë punë për të bërë, shumë prioritete dhe sfida që i duhet t’i adresoj. Sigurisht, përgjegjësia kryesore bie mbi partinë fituese dhe listën e tyre të përbashkët por edhe opozita ka përgjegjësi të madhe që të kontribuoj në stabilitet institucional dhe duhet të jap kontributin e saj (sidomos ato parti që thirren si institucionale) për konstituim sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe të evitojnë shkuarjen eventuale në zgjedhje të reja. Në të kundërtën, Kosova do të humbiste edhe më shumë kohë të vlefshme në kohë pandemie, në vend që të merret me disa prioritete të rëndësishme dhe sfida të vështira që e presin Kosovën dhe qytetarët do të pësonin pa nevojë.

Me siguri, çdo parti politike ka një program më të cilin konkurron në zgjedhje dhe kanë edhe idetë dhe planin e tyre se si do të qeverisin me vendin. Parti të tjera punojnë me programe politike në vazhdimësi dhe i ndryshojnë dhe plotësojnë sipas nevojave. Kjo është normale në çdo vend demokratik të botës.

Një qeveri si rregull ka një strategji dhe planifikim, pastaj resurset, standardet dhe buxhetin për të realizuar një program qeveritar. Rutina dhe ekspertiza është me rëndësi poashtu, një qeveri me rutinë cakton prioritete të qarta, ka objektiva dhe plan të qartë, përcakton afatet kohore, bën dialog me palët e përfshira, mat suksesin, është transparente dhe konsistente, është e përgjegjshme etj.

Një qeveri duhet të ketë prioritetet e saj në mënyrë që të merret me to së pari dhe të realizoj ato përmes ministrive dhe insitucioneve përkatëse që janë me rëndësi për vendin. Për mendimin tim, disa nga prioritetet (pa i renditur sipas rëndësisë) dhe sfidat makro të Qeverisë së re të Kosovës mund të jenë si në vazhdim.

Disa nga prioritetet e brendshme të qeverisë së re dhe institucioneve të tjera duhet të jenë

Pandemia – marrja me ketë problem duhet të jetë prioritet i qeverisë së re sepse është në pyetje shëndetësia e popullsisë dhe sigurimi i vaksinave është jetik për Kosovën. Qeveria e deritanishme nuk ka qenë aq sa duhet serioze dhe fatkeqësisht nuk ka arritur të siguroj vaksina shumë të nevojshme kundër COVID-19, gjersa shtete të tjera nga rajoni dhe më gjerë janë treguar më efikase sesa Kosova.

Reformimi i Administratës Publike – Kosovës i duhet një reformim i thellë dhe ideja bazë duhet të jetë që punonjësit shtetëror të punësohen në bazë të meritokracisë dhe profesionalizmit, edukimit relevant etj. e jo sipas militantizmit partiak apo servilizmit, siç është bërë deri më tani në disa raste, fatkeqësisht. Këto dukuri janë raportuar shpesh edhe në mediet vendore. Në këtë kontekst po përmend vetëm disa prioritete kryesore për administratën pënë planin makro.

Riorganizimi dhe rifunksionalizimi i MPJD – është me rëndësi strategjike për Kosovën që të bëj një riorganizim, rifunksionalizim të shërbimit jashtëm diplomatik i cili do të bazohej në meritokraci, profesionalizëm, përvoja dhe shkathësi gjuhësore në rend të parë.

Do të duhej të krijohej një program për ”kthim të trurit” apo skemë ”Brain gain” për kthim të specialistëve të fushave të ndryshme nga diaspora ku do të paguheshin psh. për një vit nga Qeveria e Kosovës, me mundësi vazhdimi dhe ku do të mund të përfshiheshin bonuse shtesë për të tërhequr inteligjencën shqiptare nga jashtë që të kontribuoj për Kosovën. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për shtetin e Kosovës që të pajiset me njohuritë e fundit dhe ekspertizën ndërkombëtare në shërbim të vendit. Një program të ngjashëm e kanë zbatuar vende të tjera si psh. Koreja e Jugut në vitet 1960-të dhe Tajvani në vitet 1970-të dhe të tjera më vonë etj.

Prioritet tjetër duhet të jetë reformimi i sistemit të arsimit sidomos i atij të lartë dhe të bëhet psh. lidhja e njohurive dhe teorive akademike me tregun e punës etj.

Sistemi shëndetësor duhet gjithashtu të përkrahet dhe të ndihmohet financiarisht por njëkohësisht edhe të reformohet dhe të specializohet edhe më tej. Të bëhen specializime dhe trajnime të personelit mjekësor jashtë vendit dhe te ndjekin zhvillimet e fundit globale në fushën e mjekësisë etj.

Në fushën legjislative është me rëndësi që të përgatitet projektligji për konfiskim të pasurisë së paligjshme dhe luftimi i korrupsionit sepse kjo do të mundësoj forcim të shtetit ligjor, mjete financiare shtesë që do të duhej të derdheshin aty nga ku janë ”marrë” në buxhetin e shtetit ose të kompanive publike. Poashtu projektligji për diasporën duhet të jetë prioritet në mënyrë që t’i mundësohet diasporës Kosovare të ushtroj të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë në ambasada e konsullata të Kosovës në vendet ku jetojnë dhe banojnë ata.

Në fushën e ekonomisë është me rëndësi të stimulohet ekonomia e vendit të krijoj vende pune, të tërhiqen investimet e jashtme, të zhvillohen turizmi, bujqësia etj. Pastaj të rishikohen dhe të bëhen auditime tek kompanitë publike nga profesionistë të pavarur dhe të veprohet në bazë të rekomandimeve të tyre. Është me rëndësi që të sigurohen qytetarët që edhe kompanitë publike duhet kryejnë shërbime për ta në rend të parë dhe jo për interesa personale apo grupore sic ka ndodhur në raste të ndryshme dhe si pasojë ishin shkarkimet e disa bordeve të kompanive nga Qeveria Kurti 1.

Forcimi i ushtrisë dhe armatimi i saj modern, pastaj forcimi dhe trajnimi i policisë së Kosovës duhet të jenë prioritete të qeverisë së re sepse në rajonin e Ballkanit ka forca të errëta që janë të interesuara të destabilizojnë Kosovën, kjo shihet qartë nga sjelljet e tyre me qasje bizantine, pastaj lojërat me harta dhe nga provokimet e tyre të vazhdueshme.

Reformimi i KQZ-së është tepër i rëndësishëm për demokracinë dhe besueshmërinë në Kosovë. KQZ në bazë të Kushtetutës është një organ i pavarur por fatkeqsisht detyrën e ka kryer duke ju shërbyer interesave të individëve dhe partive të caktuara. Caktimi i kryetarit/es së KQZ është në kompetencë të Presidentit/es. Kryetarja aktuale do të duhej të shkarkohej për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke qenë e njëanshme, joprofesionale dhe duke ua mohuar të drejtat kushtetuese një pjesë të madhe të diasporës që të votojnë në zgjedhjet kombëtare. Natyrisht përgjegjësinë së bashku me të e ndajnë edhe ata përfaqësues të partive politike aty që kanë marrë dhe përkrahur vendime të tilla. Duhen shqyrtuar mundësitë të reformohen edhe puna e këshillave dhe sekretariatit të KQZ dhe kjo do të duhej të ishte një detyrë me rëndësi e juristëve duke u koordinuar së bashku me parlamentin dhe institucionet tjera të vendit, në mënyrë që KQZ të jetë në shërbim të Kosovës.

Disa nga prioritetet e jashtme të qeverisë së re dhe institucioneve të tjera

Këto prioritete janë: arritja e njohjeve të reja nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe koordinimi më intensiv me Shqipërinë në këtë drejtim, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE-në dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Kultivimi dhe vazhdimësia e raporteve speciale me SHBA-në. Tjetër prioritet duhet të jetë tërheqja e investimeve të jashtme në Kosovë etj.

Disa nga sfidat e qeverisë dhe institucioneve të tjera në planin e brendshëm

Pandemia ashtu si prioritet është njëkohësisht edhe sfidë e madhe të luftosh ”një armik të padukshëm” dhe jo vetëm për Kosovën prandaj duhet angazhuar resurse dhe financa shtesë që të ndihmohen dhe mbrohen qytetarët e Kosovës sepse është në pyetje jeta dhe siguria e tyre. Sigurimi i vaksinave duhet të jetë prioritet absolut. Sfida të tjera do të jenë zgjedhja e presidentes/it (kjo mund të jetë në afat të shkurtër), pastaj sundimi i ligjit, papunësia dhe zhvillimi ekonomik, integrimi i veriut të vendit etj.

Disa nga sfidat e qeverisë dhe institucioneve të tjera në planin e jashtëm

Disa nga këto sfida janë: njohjet nga 5 vendet anëtare të BE-së, anëtarësimi në organizata dhe institucione të tjera ndërkombëtare si psh. OKB, OBT etj., pastaj dialogu me Serbinë dhe njohja reciproke, arritja e sa më shumë njohjeve nga shtete të reja etj.

Për të realizuar prioritetet dhe për tu përballur me sfidat e ardhshme, është me rëndësi të bëhet reformimi i administratës publike që e theksova më lartë sepse Kosova mund të përgatitet shumë më mirë . Siç ka thënë profesori amerikan Fukuyama: ”institucionet dhe organizatat më efikase janë ato që kanë strategji dhe programe të mira, që udhëhiqen nga liderë/zyrtarë të aftë, me përvojë dhe që nuk kanë kufizime apo kontroll burokratik të panevojshëm” (State Building, 2005, Cornell University Press). Kurse ish kancelari gjerman, Bizmark ka deklaruar një herë kështu: ”nëse ke ligje të këqija por zyrtarë shtetëror (shërbyes civilë ) të mirë …ju prapë mund të qeverisni, por nëse keni zyrtarë civilë të ngathët/jo efikas, as ligjet më të mira në botë nuk mund të ju ndihmojnë në qeverisje”.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera kanë para vetes prioritete dhe sfida të mëdha por edhe mundësi që të punojnë seriozisht dhe t’i realizojnë dhe adresojnë ato dhe kjo do të ishte ajo që e duan qytetarët e Kosovës, për të mirën e tyre të përbashkët.

Autori ka specializuar në Administratë Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat