Çka ka shpija, kallëzon Presidentja!

Opinione

Çka ka shpija, kallëzon Presidentja!

Nga: Kimete Berisha Më: 20 mars 2021 Në ora: 12:49
Kimete Berisha

1. Presidentja i ka treguar krejt botës se Kosova është shtet i krimit dhe i korrupsionit.

Jo që bota nuk e di kush jemi ne, por është rregull, është gjest qytetarie dhe standard moral që 'kurrë nuk duhet të flasësh keq për veten' dhe për shtëpinë tënde.

Përveç nëse kërkon 'bombardimin moral

të NATO-s' ndaj hajnave dhe kriminelëve shqiptarë, nëse vjen puna deri aty sa konstatohet se ky vend dhe ky popull janë të pa shpresë.

Asnjë President nuk shkon aq larg sa ta shpall shtetin e vet 'shtet të krimit dhe korrupsionit', shtet të dështuar.

I zoti i shtëpisë (përveç nëse është i çmendur), nuk del publikisht për t'i treguar popullit se njëri djalë i tij ia vjedh kusurin e bukës e tjetri djalë ia pi duhanin tinëz.

Derisa ka shpresë, nuk thuhen fjalët e fundit.

Fjalët e fundit i themi ne gazetarët, konstatojmë se shteti i Kosovës vërtetë është i trishtë, por këtë nuk e thotë Zonja e shtëpisë.

Asnjë zonjë dhe asnjë zotëri nuk i thotë fjalët e fundit.

Gazetari i BBC-së i tha shumë mirë Presidentes 'Madam, Ti ke qenë insajdere e jo outsajdere në politikë'.

Por, ajo ndjehet si rebele.

Vjosa nuk është Albin, që ka protestuar, është rebeluar dhe e ka rrezikuar jetën kundër pushteteve kriminale. Rezistenca e saj ka qenë foljore, dhe ekskluzivisht kundër krahut të luftës. 'Specialitet' e ka pasur Hashim Thaçin. Kaq është rebeluar kundër krimit.

Nëse shqiptarët e kanë shkatërruar shtetin e tyre, a mund ta marrësh me mend ti se çfarë janë në gjendje t'u bëjnë shteteve 'të huaja' këta. Ky është mësim për botën.

2. Sot, në Ditën e Lumturisë, Presidentja shkon edhe më larg: e reklamon lumturinë e saj personale, dhe me sabah na e përplas hundëve.

Ajo nuk e ka idenë se kur je Presidente, je Presidente edhe atyre nënave që i kanë hukbur fëmijë;

Edhe e atyre grave që nuk kanë fëmijë, e se do të vdesin me zhigun e tyre.

Kur je Presidente, je edhe Presidente e jetimëve, e fëmijëve të braktisur.

Pra, Lumturia nuk ka përparësi, sepse është 'pakicë', prandaj një Presidente e edukuar 'e fsheh lumturinë personale' para popullit të varfër, të vetmuar, të mërzitur dhe të trishtuar. 

Ti nuk mund të jesh Presidentja ime, sepse je shumë e lumtur për standardin tim.

Dhe të mungon takti.

Të kesh takt do të thotë 'Ta thuash të vërtetën pa krijuar armiq' (Isak Newton).

3. Neve na duhet një President/e i ngopur me qejfet e jetës:

i ngopur me pasuri;

i ngopur me dashni;

i ngopur me çdo gjë.

Na duhet një njeri i urtë që nuk i ndan njerëzit, por që i bashkon.

Kush na bashkon neve përveç një njeri i urtë, që nuk bën dallime, dhe që kur është i lumtur, nuk i harron ata që s'janë të lumtur;

dhe kur ndjehet me fat, nuk i harron ata që s'janë me fat.

Një lider që e fsheh lumturinë para njeriut të trishtuar; që nuk e reklamon ushqimin para njeriut të uritur; dhe nuk mburret me shëndetin para njeriut të sëmurë.

Askush nuk të ka votuar të të bëj ty të lumtur.

P.S. Derisa të bëheni të lumtur, ua rekomandoj një trik.

Kur zgjoheni në mëngjes, puna e parë e shihni: punët llugë.

Frigoriferi zbrazët, kuleta thatë, asnjë shok, s'ke kah ia mban, as derën kush s'ta çel, 'Të jesh apo të mos jesh'.

Në këtë moment për inat:  thuaji vetes 21 herë 'Jam i/e lumtur'.

Truri nuk di ta bëj dallimin a je i lumtur përnjëmend apo po rren.

E kam provuar hiç më larg se sot. Nuk bëhesh 'i lumtur', por qetësohesh.

E çka të duhet më shumë se qetësia?

Unë për qetësi, e jap lumturinë.

Lumturia është e vetmja fjalë në emër të së cilës mund të bësh be rrejshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat