Çfarë ka Presidentja tregon populli dhe demokracia

Opinione

Çfarë ka Presidentja tregon populli dhe demokracia

Nga: Dren Dushi Më: 20 mars 2021 Në ora: 15:45
Dren Dushi

Kam repsekt për Zonjën Kimete Berisha, meqë ajo paraqet një grua të guximshme, gjë e përbashkët kjo me u.d. e Presidentes Vjosa Osmani. Por së fundi, në një artikull të botuar nga mediat, zonja Berisha paska kritikuar Presidenten Osmani kryesisht duke u bazuar në dy çështje, njëra prej të cilave u krijua si inerci pas një deklarate të pa matur të ish Ministres së Punëve të Jashtme Besa Shahini.

E para ka të bëjë me intervistën e Presidentes Osmani dhënë në BBC, ku ndër të tjerash ajo përmendi problemin më të madh shqiptar, por edhe ballkanas në përgjithësi, korrupsionin. Disa diplomatë e diplomate (të bërë nga pazaret dhe intatet politike) dhanë disa deklarata që për konsideratën time, nuk ishin fare të shkëputura nga mjerimi ballkanas politik që karrakterizohen nga motive xhelozie, dhe për më tepër, që krijonjë një inerci reagimesh pastaj, po të karrakterizuar nga motive emocinale dhe jo racionale.

Logjia e proklamuar qe pak a shumë kështu; problemi më i madh i shqiptarëve nuk është korrupsioni, por ... (japin ide dhe shembuj të cilat kurrë nuk mund të realizohen në një shoqëri të korruptuar). Që të jemi të kjartë për publikun, i cili fundja kohëve të fundit ka tejkaluar për nga vetëdija politike e sociale një numër të konsiderueshëm komentatorësh dhe analistësh, madje edhe diplomatësh, këtu, sigurisht nuk e vë edhe zonjën Berisha për të cilën kam rrespekt, korrupsioni është dhe do të mbetet problemi kryesor i shqiptarëve në përgjithësi. Korrupsioni, dhe pranimi i tij si diçka normale (meqë edhe logjika se korrupsioni nuk është problemi më i madh ka në vetvete këtë parim), duke krijuar një medësi të sëmurë shoqërore, e si pasojë një servilizëm dhe makuteri të pothuajse të gjitha grupeve elitare (për aq sa mund të quhen), bën që një shoqëri, të jetë e korruptueshme edhe në aspektin diplomatik, që do të thotë, edhe në aspektin e ekzistencës si shtet sovran dhe i pavarur.

Kemi parë rastin të kemi liderë të korruptuar tash e një kohë të gjatë, dhe se ky korrupsion pandemik, i cili me qëllim u tolerua nga mekanizmat e quajtur UNMIK dhe EULEX në mënyrë që të “lehtësohet” dialogu me Serbinë duke shantazhuar liderët politikë, na është krijuar një jetë e pa durueshme, që karakterizohet nga pothuajse një gjendje nomade, ku i forti bën ç’të dojë, dhe nuk merr kurrë ndëshkimin.

Nuk do diskutim, një shtet nuk mund të ketë vetëdije pa arsim, dhe nuk mund të ketë arsim pa ekonomi, e që zhvillimi ekonomik varet kryekëput nga luftimi i korrupsionit. Pra një shoqëri e korruptuar, do jetë target ndikimi për çdo shërbim të huaj, për çdo interes të jashtëm, qoftë ai interes destabilizues, financiar ndikues, territorial cënues etj. Po hoqe korrupsionin nga shoqëria, ke shëruar shoqërinë, dhe ke vendosur shtyllat esenciale për shtet-ndërtim.

Andaj, Presidentja e Kosovës zonja Osmani, në deklaratën dhënë BBC-së (sado që ndikimi i saj dhe fuqia diplomatike po i dhemb disave në Kosovë), se Kosova duhet të përballet me korrupsionin e saj, është deklaratë shumë serioze, shumë e qëllimshme dhe që i thotë pikërisht këto gjëra; ne duam të ecim drejt bërjes së Kosovës shtet funksional, sovran dhe të pa cënueshëm nga askush që i do të keqën. Për më tepër, a nuk janë raportet e BE-së, të gjitha që pikë kyçe kritike kanë korrupsionin, dhe si rrjedhojë, mos liberalizimi i vizave, por përse jo edhe cënimi diplomatik. A nuk është problem për Berlinin dhe Parisin, të shkojnë e të lobojnë në Madrid e Bukuresht, që këto dy të fundit të njohin Kosovën shtet të pavarur, anipse të gjitha raportet e BE-së thonë se në këtë shtet, vidhet dhoma e dëshmive, kërcënohen prokurorët dhe detyrohen të ikin, kërcënohen avokatët, rrahen gazetarët? A nuk do ishte shumë e lehtë, kur ky lobim të bëhej me një Kosovë shumë më funksionale të shëruar nga korrupsioni? Si rrjedhojë, mund të thuhet se, ndonëse kritika përherë ka ndikim pozitiv, meqë shpesh bëhet e kotë dhe krijon pikërisht efektin e kundërt, pak a shumë efektin e 300 mijë votave, që ka aktualisht zonja Osmani (pa harruar rreshtimin e saj me LVV-në si grupi më serioz politik në Kosovë).

Çështja e dytë e shtruar nga zonja Berisha, në kritikën e saj karshi Presidentes Osmani, kishte të bëjë me promovimin e lumturisë që bëka Presidentja Osmani, sidomos duke dalë në rrjete sociale me dy vajzat e saj të vogla.

Zakonisht, prindi do të përçoj energji pozitive dhe shpresë te fëmijët e vet, dhe këtë e bën vazhdimisht Presidentja Osmani. Por, përçimi i energjisë pozitive dhe shpresës, te populli, është akoma më me rëndësi. Është pikërisht kjo qasje e Presidentes Osmani, ndër shumë faktorësh tjerë, që ajo ka një mbështetje masive popullore. A nuk buzëqeshte Presidenti Historik Rugova pothuajse vazhdimisht, ndonëse Kosova e tij, ishte e okupuar, e përndjekur, vrarë e dhunuar? Dhe populli kurrë nuk e akuzoi Presidentin Rugova se ai po promovon lumturinë e tij dhe populli po vuan, përkundrazi. Buzëqeshja e Rugovës, tregonte fuqi, pa thyeshmëri, jepte shpresë te populli dhe kishte një porosi që thoshte; “ne kurrë nuk do dorëzohemi dhe humbim shpresën se një ditë do kemi lirinë në Kosovë”.

Lideri ka për detyrë të shpreh fuqinë, stoicizmin dhe sidomos, të përçoj energji pozitive dhe shpresë te populli. Po, duhet të kemi shpresë dhe besim se ne do mund të bëjm më mirë për vendin tonë, dhe duhet të kemi besim dhe ta mbështesim njeriun e parë që pas shpallej së Pavarësisë së Kosovës ka arritur të ketë mbi 300 mijë mbështetës, besues dhe njerëz që kanë shpresë për ndryshime në Kosovë. Zonja Osmani deri më sot, nuk ka ndonjë gabim për sa i përket politikës në vija të trasha, pa dyshimin më të vogël, ajo është një njohëse e mirë e gjeopolitikës dhe ballkanit perëndimor në veçanti. Pa dyshimin më të vogël, ajo nuk është një politikane e pazareve politike dhe aq më pak një rezultat i tillë, kjo sigurisht që nuk do i pëlqej shumë kujt në Kosovë që politikën e përjetojnë si mjet për të arritur ca suksese individuale, Vjosa Osmani bën përjashtim të madh dhe për këtë mund të jetë cak goditjesh. Zonja Osmani, nuk mund të kritikohet si njeri që nuk është guximtar dhe kryengritëse ndaj të keqës, të mos harrojmë, Vjosa ka lënë LDK-në dhe shumë benifite për idetë dhe parimet e saj, Vjosa ka kundërshtuar ata që e kanë përjashtuar, ata që bashkë me PDK-në kanë kapur shtetin e Kosovës dhe kanë mjeruar jetët e shumë njerëzve.

Çudia ime qe se një person me dije, dhe një zonjë e guximshme si Kimete Berisha, bëri këto kritika ndaj zonjës Osmani. Pavarësisht kësaj, me respektin që kam për zonjën Berisha, unë do doja të dëgjoja kritika të vazhdueshme nga ajo, meqë shumë prej këtyre kritikave ajo i ka me vend, ndonëse unë u cyta të reagoj kundër këtyreve dy të fundit, meqë nuk u pajtova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat