PAN, me hafijet në LDK kundër Vjosës presidente!

Opinione

PAN, me hafijet në LDK kundër Vjosës presidente!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 21 mars 2021 Në ora: 13:34
LDK dhe Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Dr. Vjosë Osmani, është fituesja plebishitare e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, me tej 300 mijë vota, madje, nga votues vullnetarë, nga të gjitha partitë politike të Kosovës. Thjeshtë, ka fituar nga një referendum popullor. Që nga katapultimi i Isa Mustafës, në krye të LDK-së, nga Hashim Thaçi, vartësia e LDK-së ndaj PDK dhe PAN, ka qenë faktike. Në të gjitha vendimet kriminale për Kosovën, LDK-ja ka bashkuar votën me PDK, PAN-in!

Dr. Vjosë Osmani, në intervistën e saj, për "HARDtalk", të BBC, ishte shumë profesionale, e saktë, tërësisht e bazuar  dhe faktike. Kosova është e zhytur në krimin vrastar, nga bandat e organizuara, gjatë dhe pas luftës, të cilësuara politike. Këtë e dëshmojnë edhe akuzat, arrestimet, burgimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, në pritje të gjykimit. Dhe, kjo është e mjaftueshme, për t`u bindur se Vjosë Osmani, as nuk shpiku dhe as nuk shpifi, por, përsëriti një - "të fshehtë publike -.

Dr. Vjosë Osmani, nuk i përket së majtës komuniste-enveriste, siç është LPK-ja dhe derivatet e saj PDK, PAN! Partitë-banda të PAN-it, i përkasin të majtës enveriste-staliniste , të cilat e kanë normë gënjeshtrën e mashtrimin e popullit të vet dhe të botës. Përkundrazi, Vjosa i përket të djathtës shqiptare. Një kod krejt të kundërt e ka bota demokratike, e djathta botërore, e cila nuk e gënjen dhe as nuk e mashtron, as popullin e vet dhe as opinionin botërorë.

Reagimet ideoteske të lakeut të Hashimit, Betim Gjoshi, ndaj Vjosës: "Ti moj arrogante dhe e padijshme. Ti moj antishqiptare", janë në një linje, me disa nga hafijet e PAN-it, brenda LDK-së. Pse shfrynë me kaq mëllef këshilltari i Hashimit, Gjoshi mjeran e hajvan?! Reagime paushalle, me porosi, bëjnë edhe të tjerë, si: Ganimete Musliu, kockë-lëpirësi Dardan Gashi, ndoca analistë të porositur, madje, edhe ndonjë zonje e kuqe, "e rënë nga fiku", janë broçkulla komuniste, anakronike, për epokën dixhitale. 

Kulmon në marrëzi, Ardian Kastrati, një ish-analist, militant i PDK, kur thotë: "Kosova nuk ka liberalizim të vizave, për shkak të Vjosa Osmanit!" Është e kundërta: Zotimi i i binomit luftarak, Vjosa dhe Albini, është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit industrial, pengesë bazike, për liberalizimin e vizave. Pikërisht për këtë, sistemi i drejtësisë është njëshi i prioriteteve të tyre qeverisëse. 

Është rrenë e kulluar se, gjoja, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, të kërkuara nga Evropa, për lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë, vetëm çkapja e shtetit, sjell, natyrshëm, liberalizimin e vizave. Është përkushtimi për çkapjen e shtetit, nga krimi dhe korrupsioni, përkatësisht, hajnia zyrtare, që bashkoi rugovistën djathtiste, Dr. Vjosë Osmanin, me majtistin ekstrem Albin Kurti. 

Dhe, ky premtim ka qenë publik. Atëherë, çfarë sekreti nxori e shpalosi para botës, e mençura Vjosë, në intervistën e sinqertë dhe brilante, të dhënë në emisionin, - par ekselance - "HARDtalk" të BBC?! Absolutisht, asgjë! Ajo si personalitete unike, jo vetëm e Kosovës, por, edhe në nivel kombëtar, bëri atë që bëjnë personalitetet famozë botërorë, duke afirmuar të vërtetën, qoftë para popullit të vet, qoftë për opinionin ndërkombëtar.

 Por, ajo që nuk mund të kalohet në heshtje, është angazhimi politik i Ardian Kastratit. Nga auditori universitar, rraset në partinë, e cila akuzohet, madje, besueshëm, për krime monstrume ndaj shqiptarëve të pafajshëm! Gjithësesi, jeni bërë pjesë e krimit, profesor!! Vërtet, "është kohë e maskarenjve në politikë",- siç thoshte një rilindas i zëshëm i yni!

 "Nuk i kemi asnjë borxh politik as Vetëvendosjes dhe as Vjosa Osmanit", - thonë zyrtarët e LDK-së, kur kërkohet krijimi i institucioneve qeveritare e shtetërore! Realisht, LDK-ja i ka borxh, jo vetëm VV dhe Vjosës, por edhe Kosovës, shqiptarëve. Sepse, lejoi tandemin Thaçi-Mustafa, për ta prishur koalicioni LDK-LVV, për të rrëzuar qeverinë e shpresës-Kurti si dhe kthimin në pushtet të partive-banda, të cilat i kishte refuzuar dhe larguar, me votë demokratike, populli. 

Janë dy vite të humbura, kot se koti. "Do të kujdesemi që LVV të mos vijë më në pushtet",- thoshte kryeministri Hoti!" "Nuk kemi ardhur në pushtet me shkarkuar bordet",- thonin Mustafa dhe Hoti! Dhe, kur banda e Drenicës grabiti, zyrtarisht, nga banka, tej 2 (dy) milionë euro, kërkonin, paradoksalisht, dorëheqjen e ministrës, shumë profesionale dhe krejt të pafajshmetë Financës, Hykmete Bajrami! Sepse Mustafa e Hoti, "kishin lënë ujqërit ta ruanin tufën!" Mustafa intrigonte me Thaçin, për ta futur në koalicionin qeverisës, bandën-amë, PDK. Dhe, cinikisht e poshtërsisht, thoshin se "qeveria Hoti e mbaron mandatin më 2023!"

PAN dhe LDK, si arsyetim të mosbërjes të kourumit, VV-Lista Vjosa, përdorin faktin se "as deputetët e VV, nuk kanë qendruar në sallën e Kuvendit, kur ne kemi kërkuar votën e tyre". E saktë. Por, si mund të votonin Demarkacionin, me humbjen e tej 8 (tetë) mijë hektarëve tokë të Kosovës; "Zajednicën", një "Republika Srpska" brenda Kosovës; emërimin konspirativ, banditesk të Hashimit president; shkëmbimin e territoreve, më qartë, ndarjen e Kosovës me Serbinë! Kot provokoni dhe dezinformoni shqiptarët, sepse gjërat ndryshojnë, madje, tërësisht dhe rrënjësisht.

 Pavarësisht se LVV-Lista Vjosa, zgjedhjet e 14 shkurtit i ktheu në referendum dhe fitorja ishte unike, plebishitare, kërkon mbajtjen e tri posteve qendrore, kryetar Kuvendi, President, Kryeministër, në kushte normale, duket e tepërt dhe ngjallë frikë e dyshime. Por, bashkimi, pothuajse, i të gjithë lukunisë politike, kundër - njëshit politik -, VV, është shumë domëthënës. 

Dhe, kjo ngjallë dyshimin e bazuar, se prapa këtij konspiracioni të pistë, fshihen interesa personale e grupore, përkatësisht, ruajtja e monopoleve biznesore, të bandës-PAN dhe të lidershipit klanor të LDK-së. Dhe, nuk mund të këtë një shpjegim të dytë! PAN e ka zanat rrëzimin e qeverive. Së fundi, edhe LDK-ja ka hyrë në lojë. Por, VV dhe Lista Vjosa, nuk kanë kohë për të humbur, sepse kanë marrë shumësinë absolute të votave nga populli, për ta luftuar krimin dhe hajninë zyzare, pra, çkapjen e shtetit. Andaj, duke zotëruar tri postet kryesore udhëheqëse, duan ta pamundësojnë rrëzimin, intrigues dhe lehtas, të qeverisë, nga banda-PAN dhe partneri i tyre LDK. 

Në Kosovë, sistemi i drejtësisë ka degraduar, deri në degjenerim. Kujtoni krimet faktike të "PRONTO-s", të "VETERANËVE", të mbyllura me "pafajësi!?" Mijëra lëndë penale, zvarritën, ndër vite, deri në parashkrim, skadencë të afatit për gjykim! Prandaj, "Kosova është zhytur në krim dhe korrupsion",- siç pohon, saktësisht, Dr. Vjosë Osmani, presidente e vendit.

Për refuzimin e kandidaturës për presidente, të Dr. Vjosë Osmanit, ka zëra që hafijet e PAN-it, brenda LDK-së, do ta bashkojnë votën me PAN. Ishte gabim fatal, që më 14 mars, nuk u vendos për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në LDK. Ose, të paktën, ta fuste Këshillin e Përgjthshëm, (me numër të dyfishuar), në votën e fshehtë demokratike. Anëtarësia e LDK-së dhe shqiptarët, e dinë se LDK-ja, përtej një dekade, është dirigjuar nga Hashim Thaçi. Prandaj, udhëheqja e re e LDK-së, nuk duhet të lejojë që hafijet e PAN-it, të bëhen pjesë e kryesisë.

Përndryshe, dekorimi, puthja në vend të kafshimit; përjashtimi i kritikëve, sinjal për ta imponuar heshtjen; ringjallja, si lugat, i aklamacionit, në "zgjedhjen", më saktë, emërimin e Këshillit të Përgjithshëm, "siç po duken bathët e priftit", reformimi i LDK-së, mund të jetë ende i largët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat