Kahja e opozitës, qasja de/konstruktive dhe kauza e shtetit ligjor

Opinione

Kahja e opozitës, qasja de/konstruktive dhe kauza e shtetit ligjor

Nga: Mirsad Voca Më: 21 mars 2021 Në ora: 14:17
Mirsad Voca

Spektri politik i Kosovës tani ka shansin të tregoj aftësinë dhe pjekurinë politike se din të tejkaloj me lehtësi procesin e konstituimit të institucioneve pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit. Pjekuria politike e një Shteti në fazën siç gjendet Kosova tani, do të ishte fillimisht respekti për një frymë demokratike që gjen mbështetje tek një legjitimitet i cili buron nga shumica e sovranit, thënë ndryshe nga vullneti i popullit. Një mësim ky që patjetër duhet të jetë frymëzim, sidomos për partitë opozitare, duke patur parasysh që sfida vijuese e Qeverisë në ardhje do të jetë instalimi i njëmendë i Shtetit të së drejtës.

Duke e ditur që populli votoi pikërisht kauzën e Shtetit të së drejtës sepse ndjeu këtë mungesë, për partitë opozitare do të ishte më së paku shpëtim e më së shumti reformim e ringritje, pjesëmarrja e tyre në parlament përgjatë votimit të kandidatëve fitues të cilët si asnjëherë më parë u mbeshtetën me votën e popullit si e drejtë themelore për të zgjedhur përfaqësuesit e institucioneve. Prandaj, nisur nga prizmi konstitucional, opozita duhet të pranojë që shumica ta bëj pushtetin, të zbatojë politikat e saj sipas ligjt. Nga ana tjetër, shumica duhet të pranojë që kontrolli është thirrje e opozitës. Pakica duhet të jetë e privilegjuar, ose madje të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në përgjegjësinë e aktiviteteve të kontrollit.

Tani, nisur nga pikëpamja gjeopolitike që ndërlidhet me parimin shumicës së vullnetit të popullit e në rastin e Kosovës ku mbi 50 përqind votuan krahun për ndryshim dhe anti-korrupsion, asnjë arsyetim, provokim apo kushtëzim opozitar për mos/pjesëmarrje në parlament nuk mund të vlen peshën e parimit të lartëpëmendur.

Prandaj, nga një perspektivë e tillë, do të këtë gjasëshmërisht dy mundësi, ose pjesëmarrje në parlament e partive humbëse, që është obligim kushtetues i tyre, dhe konstituim institucionesh ose mospjesëmarrje, shtyrje të formimit të institucioneve nga ato, dukuri që bie ndeshë me parimin e vullnetit të sovranit.

Natyrisht që opsioni i dytë opozitar do të provokonte rishkuarje eventuale në zgjedhje dhe kjo me siguri që do të nënkuptonte humbje dhe më të thellë me përmasa gjatë të pariparueshme për partitë opozitare. Krejt kjo për shkak se këtë herë kemi një rezultat zgjedhor të paparë deri më tani që prej dy dekadash, ku shumica e popullit fuqimisht mbështeti ndryshimin dhe dy pretendentët V. Osmani dhe A. Kurti, për të udhëhequr me dy pozitat me përgjegjësinë më të lartë shtetërore.

Ky opsion që konsideroj se na shfaqet si qasje destruktive opozitare, jo vetëm që do tu kushtonte atyre por dhe do të dëmtonte edhe më tej imazhin e Shtetit të Kosovës përball spektrit ndërkombëtar ndaj të cilit deri tani Kosova nuk gëzon imazh aq të mirë. Kosova do të krijonte idenë pranë këtij spektri, se të bërit e politikës në Kosovë na qenka ende larg frymës demokratike të shteteve perëndimore, kriter ky që do të merrej parasysh kur flitet për stabilitet brenda politik të Kosovës. Ky do të ishte dëmi që do ti bënin partitë opozitare Kosovës dhe rrjedhimisht qytetarëve të saj, në vazhdën e aspiratës së integrimeve euroatlantike..

Vetëm në rast se përqafohet opsioni i parë, d.m.th pjesëmarrje në parlament e partive opozitare, Kosova do të tregonte tani se ka tejkaluar çështjen e ngërçeve politike, duke arritur një aftësi dhe pjekuri institucionale si një parim që patjetër i tejkalon interesat grupore e partiake, që rrjedhin sidomos nga një paradigmë e ultë, fatkeqësisht të ende disa grupeve të mbetura politike, të cilët si rrjedhojë nuk orientohen në dritën e idesë së prosperimit të Republikës së Kosovës si Shtet stabil dhe paqësor.

Prandaj, nisur nga një këndvështrim konstruktiv, mësimi fundamental që do ta lartësonte pjekurinë politike të Kosovës, si objektiv kryesor të cilin qytetarët e Kosovës do të dëshironin të realizohej, do të ishte që opozita do të gëzonte kontrollin e veprimit të qeverisë, që është thjesht kontrollimi për të parë se gjërat po shkojnë në drejtim të përfocimit të një Shteti ligjor. Në këtë vazhdë, shumica dhe opozita duhet të mësojnë të punojnë së bashku, me një perspektivë të dyfishtë, por nga propozimet e përbashkëta dhe duke ndjekur të njëjtin objektiv, atë të krijimit dhe përforcimit të Shtetit ligjor misioni prioritar i të cilit do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Partitë opozitare, tani kanë një momentum të ri që mund të jetë historik, duke ndërruar qasjen e të bërit opozitë, duke treguar pjekuri politike me pjesëmarrje në parlament dhe duke abstenuar apo votuar pro ose kundër Qeverisë dhe Presidentës në ardhje. Dhe pikërisht ky do të ishte po ashtu një mësim tjetër i partive politike se ngërçet politike duhet kaluar vet dhe pa ndërhyrje e trysni ndërkombëtare. Vetëm me një kahje të tillë do të trasonim sigurt dhe më shpejt rrugën integruese të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat