E çka bëhet me votue përsëri!!!

Opinione

E çka bëhet me votue përsëri!!!

Nga: Gëzim Muçolli Më: 22 mars 2021 Në ora: 22:55
Gëzim Muçolli

Sot u bë edhe Parlamenti i Kosovës që quhet me emrin kushtetues Kuvendi i Republikës së Kosovës. Shumë mirë sepse erdhi dita që edhe njëherë të përtëritet muhabeti dhe Oda më e madhe e Kosovës.

U zgjodhën edhe Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit  republikan. Desha t'ia uroj detyrën e re përsëri Glaukut të cilin kam pasur rastin ta njoh mirë gjatë vizitave të tij dhe takimeve me bashkatdhetarë në Itali dhe kam respekt të madh për të.

Ai e di se e ka merituar këtë detyrë e jo vetëm post të rëndësishëm shtetëror, por unë nuk e dija se ai nuk i paska pasur të gjitha votat e deputetëve shqiptarë edhe pse i mjaftuan ato që i mori kur u zgjodh sot.

U zgjodh edhe u votua edhe Kryeministri i ri, i cili tash e ka gati qeverinë ku ka grumbulluar njerëz të dalluar dhe e quajnë Kurti II.

Isha gati të kopjoj një parullë shumë të thatë lidhur me shtetin që e përdori njëra parti që historikisht u zvogëlua deri në zgjedhjet e fundit duke shënuar një fenomen midis efektit fizik të peshës së varur dhe involucionit si efekt biologjik-social.

Gati do të kisha bërtitur "Kosova - Kosovë" si dikur "Kosova - Republikë" në demostrata në të cilat pas 11 marsit të vitit 1981 e kemi rritur shtatin. Me ditë me e ndalë veten nuk është pak por maksimumi i vetëkontrollit dhe i vetvendosjes personale.

Para se me ra në kurthën e popullizmit , ma prishi qejfin një ngjarje edhe pse jo e mirë por mjaft demokratike. Me demokracinë nuk zemërohem më si dikur me komunizmin apo me fashizmin , qysh se e kam kuptuar se vota e një intelegjenti me koeficientin IQ si Ajnshtajni vlen barabar në zgjedhje me votën e një analfabeti fanatik e të prapambetur.

Votat që sot i paska marrë nënkryetari i Parlamentit të Republikës tonë, një qytetar i Kosovës i cili flet serbisht dhe mendon si Vuçiqi kur  vepron në Kosovë të cilën nuk e njeh si të pavarur, janë pasqyra më e mirë e defektit të demokracisë. Nënkryetari del me më shumë vota se sa vet kryetari i Parlamentit.

Ia mësova edhe emrin, Slavko Simić edhe pse nuk e kam ditur se ai paska fituar më së shumti vota (19.728 vota ) nga të gjithë kandidatët e Lista Srpska të Vuçiqit, më falni të Goran Rakiqit. Pra serbi më i votuar në Republikën e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 sot doli edhe më i votuari nga të zgjedhurit e Parlamentit të (ri)konsoliduar në Kosovë.

Meqenëse këtu numrat e preferuar në fjalimet dhe projektet parazgjedhore të politikanëve veteranë të demokracisë postbellike në Kosovë, si koeficientë të demokracisë, dolën si një kundërvlerë, apo shkurt e shqip një mbrapshti e gatuar për inat të atyre që populli ia dha votën në ditën e dashnisë. Më vjen keq ta quaj me fjalorin e patriotizmit lokal sepse tradhëti nuk është ta votosh një deputet të zgjedhur por është absurd të votosh kundër interesit të shtetndërtimit dhe të shërbesh bartës të politikave që e mbyllën ecjen përpara të shtetit dhe qytetarëve të lirë.

U dëshmua edhe një herë se patriotizmi është një perde e madhe e cila më së shumti iu duhet disave për ti mbuluar gabimet, mosdijen, mospunën dhe mosmbrojtjen e interesit kombëtar.

Sllavko dy herë i votuar madje edhe mbivotues , ndoshta është motiv që dikush sonte ta thërret në telefon zonjën Daka e ti thotë ta bëjë gati njësinë speciale të organizmit të zgjedhjeve të reja dhe numrimit të votave.

Miliona kemi boll meqenëse nuk po i harxhon askush për të blerë vaksina antikovid  e kështu e shpëtojmë situatën pa dalë me faqe të galme. Sepse sonte nuk është nata e gjykimit por nuk dua të mendoj se si mund të ndihet dikush sikur të ishte në lëkurën e atyre që ia dhanë 22 vota më shumë Simić-it se sa Glaukut.

Meqenëse sot i paskan përmendur edhe fëmijët në Parlament edhe unë po u them e po i pyes të 22 deputetët e plusit demokratik pro-L.S. se si ishte të hash darkë me fëmijë e tu thash votova për inat të shtetit pse tash ky nga sot u dashka të vetvendoset.

Vetëm zgjedhjet e reja e lajnë këtë marrëzi fanatike të primitivizmit tonë shembullor.

E mbasandej lujamë me numra sa të doni!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat