Ankthi i Listës së Armëve

Opinione

Ankthi i Listës së Armëve

Nga: Refik Ramaj Më: 24 mars 2021 Në ora: 14:28
Refik Ramaj

U zgjova herët në mëngjes, për të shkuar me ngarkuar rimorkion e traktorit me zhavorr, e cila duhej nxjerr nga një gropë me ujë në livadhin e familjes sonë. Së parit, duhej nxjerr zhavorrin nga uji për ta hedhur në tokë dhe pastaj nga toka në rimorkio. Isha bashkë me të vëllanë. Ishte punë e lodhshme. U vonuam, derisa në shtëpi na priste mëngjesi. Pas një lodhjeje të madhe, arritëm në shtëpi. Kur hyra në oborr, pashë se bashkëveprimtari im, më priste në oborr, me të cilin një ditë më parë ishim marr vesh, që sot nga mëngjesi t’i përgjigjeshim aksionit të degës së LDK-së në Vushtrri “Ta ndihmojmë shkollën shqipe”. Unë isha kryetar i Aktivit të LDK-së në Pestovë, njëherësh dhe kryetar i nëndegës së Nadakovcit, që përfshinte fshatrat Pestovë, Nedakoc, Mavraj, Sfaraçak i Poshtëm dhe Sfaraçak i Epërm).

Kohë më parë, kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri kishte kërkuar nga unë, që për hir të autoritetit që gëzoja në fshat, të dal përball këtij aksioni, në mënyrë që të mblidhja më shumë para për ta financuar sistemin paralel shkollor, të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk njihej dhe luftohej pamëshirshëm nga Republika e Serbisë, si okupatore.

Duke u nisur që t’i bashkohesha bashkëveprimtarit tim për aksionin e shenjtë për mbledhjen e fondeve për shkollën shqipe, më thirri nëna, për të ngrënë bukë. I thash se ha më vonë , sepse po më pret gjatë bashkëveprimtari në moshë, për të mbledhur para nga bashkëfshatarët për shkollën shqipe. Nëna më qortoi se edhe je aq i lodhur edhe pa ngrënë, do lodhesh tepër. Ha bukë, e pastaj shko. Duke ndjerë keqardhje nga bashkëveprimtari im që më priste, unë nuk e dëgjova këshillën e nënës. Si zakonisht me vete mora fletoren, në të cilën mbaje shënime me pedanteri, si dhe bllokun e Këshillit Komunal për Vetëfinancim, me logon e Republikës së Kosovës dhe emërtimin Dega e Vushtrrisë. Filluam aksionin dhe pas pak u ndeshëm në një patrullë të policisë serbe, e cila kërkonte të rinj për shërbimin e detyruar ushtarak. Policia serbe më kapën vetëm mua. Kur lexuan në bllokun e arkëtimit logon Republika e Kosovës dhe Dega në Vushtrri, u tërbuan dhe filluan tortura fizike në mua. Një polic nga Graca i quajtur Toma, më godiste me shkop druri. Pa vetëdijen time ia kam kapur atë në ajër dhe përkundër përpjekjeve, nuk arriti të ma rrëmbente. Atëherë e lëshoi atë dhe që të tre policët më goditën deri në alivanosje. Pas këndelljes më dërguan në stacionin policor, herë pas herë duke më goditur dhe shtruar pyetje provokuese mbi baza nacionale.

Kështu, më dorëzuan në stacionin famëkeq policor në Vushtrri, në fakt në korridorin e tij, sepse salla e traumave keqtrajtuese ishte duke u rinovuar. Pa pritur filluan me tortura mizore. Herë pas herë më linin të pushoja një çikë. Posa vinte një polic, polici që më ruante iu thoshte ky është ai që iu ka thënë policisë serbe, se nuk dua t’iu shohë në fshatin tim, sepse unë jam kryetari. Në fakt, unë nuk kisha thënë ashtu, por ai ma veshte për t’i motivuar kolegët e tij për të më torturuar më shumë. Pas pak erdhi zëvendës komandanti i policisë(quhej Simiq) dhe më kapi për mjekre dhe më tha: a e njeh ti Republikën e Serbisë, përgjigjja ime ishte “nikad” dhe ky mohim rezultoi me aktivizimin e grushteve të fuqishëm të këtij eprori, derisa u lodh.

Pas disa orësh maltretimi fizik( me disa pauza të vogla), më dërguan tek oficerët e Sigurimit Shtetëror Serb, ku më priti shefi i tyre, të cilin e njihja, sepse vinte në institucionin ku punoja, tek një koleg imi serb, të cilin e kishte shok.

U ankova tek ky shefi, se më kanë torturuar fizikisht, deri në alivanosje, pa të drejt, sepse unë po mblidhja para, për t’i financuar mësimdhënësit shqiptar të cilët po mësojnë fëmijët e shkollës fillore, kurse shkolla fillore është e obliguar me ligj dhe se unë po bëja vetëm një ndihmë humane, pa imponim, duke kërkuar para nga njerëzit vullnetmirë, se vetëm nëse ata duan mund të japi, dhe se në të kundërtën nuk kanë pasoja.

Isha kureshtar të dëgjoja reagimin e tij. Ai me një gjuhë të ashpër më tha se ti nuk je i rrahur, sepse po mundesh me qëndrua ulur në karrige. Pastaj, këtij shefi iu bashkëngjit edhe një tjetër, me emrin Nebojsha. Gjuha e tyre vinte duke u acaruar. Tonaliteti rritej bashkë me tensionin. Pyetjet vazhdonin pa rreshtur, por edhe kërcë.

Dhe pa vonuar erdhi pyetja që më mbante nën ankth- Lista e Armëve të Fshatit.

Kohë më parë, nga Dega e LDK-së në Vushtrri u rekomanduam që të bënim roje gjatë natës në fshat, për të parandaluar ndonjë sulm të forcave policore apo paramilitare serbe. Ne u organizuam, madje në mbledhje nga Kasumi doli kërkesa që ta bëjmë evidentimin e armëve. Kasumi tha unë kamë pushkë dhe revole, papritmas dhe pa dëshirën time filloi deklarimi i fshatarëve dhe u hartua lista me armët që posedonin fshatarët. Filluam rojën e organizuar, madje funksiononte më mirë se sa rojet që i bënim në ish APJ. Lista bëri bujë në fshat dhe më gjerë, kurse ankthi im rritej, sepse kisha frikë se informata mund të shkojë tek policia serbe, e cila i rrihte fshatarët e mi çdo ditë, nën pretekstin e mbledhjes së armëve. Kisha frikë se kësaj torture nuk mund t’i përballonin të gjithë dhe se dikush për t’i shpëtuar torturës fizike mund t’iu tregojë se armët e di ku janë kryetari i LDK-së në fshat.

Shefi i Sigurimit Shtetëror Lokal, në tavolinë ma kishte vendosur një fletore, që titullohej :”Kujdestaria e LDK-së”, për presionin psikik ndaj meje, se unë nuk mund të fshihja asgjë. Ai më pyeti, se sa armë keni evidentuar në fshat. Të rrahurat e zemrës u shpeshtuan pa masë. E mohova kategorikisht. Ai insistonte se më mirë ta thoni ju, sesa ta them unë. Ne i dimë të gjitha. Para se të më dërgonin në Gjykatën Komunale për të më shqiptuar dënimin, shefi më urdhëroi që nesër në ora7,30 të vish para meje me listën e armëve dhe me pasaportën tuaj. Pasuan edhe shumë”biseda informuese” muajve në vijim, por rezultoi se ata nuk kishin listë. Represioni nën logon e kërkimit të armëve shtohej në tërë Vushtrrinë, por kisha bindjen se më i theksuar ishte në Pestovë. U torturuan shumë bashkëfshatar për armë, disa mbetën me pasoja në shëndet, por lista kurrë nuk u zbulua. Pas ca ftesash për “biseda informuese”, u binda se fshatarët e mi ishin tepër besnik-i përballuan terrorit fizik dhe nuk tradhtuan. Kam dilema se a ishte ide e mirë,kjo listë ankthi, përkundër vullnetit dhe qëllimit të mirë ?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat