Bombardimet që shpëtuan Kosovën dhe ndryshuan historinë

Opinione

Bombardimet që shpëtuan Kosovën dhe ndryshuan historinë

Nga: Behlul Jashari Më: 26 mars 2021 Në ora: 10:10
24 mars 1999

-Para 22 viteve, në 24 Mars 1999, nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti Amerikan Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s. Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…

-Në Kosovë, në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve të aviacionit të NATO-s kundër forcave serbe – terrorit e gjenocidit. Raportoja nga Prishtina në Tiranë. Media shqiptare ka shkruar se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën…

-Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë. Dita e Lirisë dhe Paqes  erdhi në 12 Qershor 1999, në mëngjesin e asaj dite të lume raportoja nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin  në Kosovë nga ora 05 e 17 minuta…

Viti 2004 – Presidenti historik Rugova: Me rastin e 5-vjetorit të Ditës së fushatës ajrore të NATO-s për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta. 
Në këtë vit jubilar do thënë se 24 Marsi i vitit 1999 ka hyrë në historinë moderne të Kosovës…Gjithsesi objektiv madhor për gjithë popullin dhe qytetarët është njohja formale e pavarësisë së Kosovës sa më shpejt, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Këtë do ta realizojmë së bashku me miqtë e Kosovës

Image
Presidenti historik Rugova dhe Presidenti Klinton

Speciale-Gazeta Dielli nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 24 Mars 2021/ Sot bëhen 22 vjet nga 24 Marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës.

Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e  shumicës shqiptare të Kosovës.

Prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para 22 viteve, në 24 Mars 1999, për Kosovën e popullin e saj ndodhi fillimi i ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me goditjet nga aviacioni luftarak të pozicioneve të forcave serbe që po bënin krime, masakronin e dëbonin shqiptarët në fushatën e egër të spastrimit etnik.

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

Shtoja se, “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve.

Lajmin e jepja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), për të cilën raportoja nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi të Kosovës.

Po atë lajm e dërgoja edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime, derisa në ato rrethana terri e lufte në Kosovë nuk mund të lexohej Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë as nuk mund të shihej Televizioni Shqiptar.

  Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Nga radioja e vogël dgjohej edhe zëri i shpresës dhe besimit të madh, fjala e Presidentit Bill Clinton që i drejtohej kombit Amerikan.

 “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksonte në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

Ajo dritë shpëtimtare e lirie ishte e paralajmëruar…

Më pak se një vit më parë, në 29 Maj 1998, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, bëhej e ditur se Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në fillimet e pranverës së para 22 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje – Francë, që kishte nisur në  6 Shkurt 1999 kishte përfunduar në 18 Mars me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit, në një konferencë shtypi në 5 Mars 1999 paralajmëronte nënshkrimin  e Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Po në atë 5 Mars 1999 kam raportuar edhe për një takim të Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, që ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup-Maqedoni, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë-Kosovë…

Viteve të ecjes drejt pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik Ibrahim Rugova kishte të emëruar Përfaqësues të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Zyrën e Senatorit Robert Dole, mikut të madh të tij e të gjithë shqiptarëve, të cilin edhe e ka dekoruar. I emëruari ishte Elmi Berisha, tani kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ishte edhe ceremoninë kur Senatorin Amerikan Robert Dole e dekoroi Presidenti i Kosovës  Ibrahim Rugova, ku ishin bashkë…

Në pranverën e vitit 2004 në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 27 Prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Presidenti historik Ibrahim Rugova takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rugova gjatë kësaj vizite takon edhe guvernatorin e Nju Jorkut, Xhorxh Pataki dhe 20 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së.

Nga raportimet e medias për vizitën e Presidentit Rugova në Nju Jork citohet edhe Elmi Berisha si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

Në vitin e luftës e lirisë 1999, edhe derisa bisedohej në Konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin Vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për në Shqipëri…

E, në 24 Mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike do bëheshin të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain Demë Jashari në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë – Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vëllai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…

Dhe, vazhdoja raportimet…Media shqiptare ka shkruar edhe se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën në 24 Mars 1999.

“PERVJETORI/ Rrëfimi i reporterit të vetëm që transmetonte nga Prishtina: Ç’ndodhi kur bombardoi NATO?”, është titulli i portalit TESHESHI për shkrimin që ia kam dërguar në 24 Mars 2015 gazetarit në Tiranë, Ylli Pata,  i cili ka punuar në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë shumë vite dhe ishte aty edhe në ditën historike të 24 Marsit 1999 të fillimit të bombardimeve mbi caqet e forcave serbe të aviacionit të Aleancës Veriatlantike.

“Sot mbushen 16 vjet prej fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në mbrojtje të Kosovës.

Behlul jashari është gazetari i vetëm që raportonte nga Prishtina për ngjarjen në kushte tejet të vështira. Në atë kohë Jashari ishte korespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare…”, ka shkruar ai në portalin ku theksohej se po botonin “kujtimet e reporterit që transmetonte nga një vend i fshehtë në kryeqytet”…

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në shtëpitë e tyre në Mitrovicë, veprimtarëve e intelektualëve – udhëheqësit komunal Agim Hajrizi bashkë me nënën dhe djalin 12 vjeçar dhe poetit Latif Berisha.

Ai mëngjes i 25 Marsit 1999  sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpi shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt Kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli lajmit të 6 Majit 1999  i raportimeve që i bëja nga Kufiri jugor i Kosovës.

Lajmi, ku në ato rrethana nuk përmenda burimin – telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh nga një nënë mburojë e gjallë bashkë me familjen e saj alarmonte: 

“Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të
qëndrojnë në shtepitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja… Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me
radhë pranë postes së re të Prishtines, në lagjen Dardania…”.

Cak i goditjeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forcave serbe ishte edhe ndërtesa e postës së vjetër që ishte bërë edhe bazë ushtarake e që u zhbë e nuk është më e ishte pranë ndërtesës së tashme kryesore të Qeverisë së Kosovës te Sheshi Gjargj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë.

 Raportimet që bëja dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 6 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë…

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë në Kumanovë, qytet në Maqedoni ku një pjesë e madhe e popullsisë janë shqiptarë, ishte arritur  Marrëveshja mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 117 shtete të botës…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit të 29 Majit 1998 në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA:  24 MARSI I VITIT 1999 KA HYRË NË HISTORINË MODERNE TË KOSOVËS

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002 bënte të ditur se kishte vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë 12 Qershorin ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin. Gjatë viteve të lirisë Presidenti Rugova mesazhe urimi drejtonte në çdo përvjetor të 24 Marsit 1999, kur nisi ndërhyrja shpëtimtare me aviacion e NATO-s  që i hapi shteg Ditës së Lirisë së Kosovës:

VITI 2003 – RUGOVA: DITA E 24 MARSIT TË VITIT 1999 DO TË MBETET NDËR DATAT MË TË RËNDËSISHME NË HISTORINË E KOSOVËS

Prishtinë, 24 Mars 2003/ Në katërvjetorin e sulmeve ajrore të të NATO-s për mbrojtjen e popullit të Kosovës, Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës këtë mesazh:

Me rastin e 24 Marsit, Ditës së fillimit të fushatës ajrore të SHBA-ve dhe NATO-s për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

Sivjet e festojmë 4-vjetorin e fillimit të fushatës ajrore për lirinë e vendit tonë. Dita e 24 Marsit të vitit 1999 do të mbetet si njëra ndër datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

  
Në këtë 4-vjetor, do pranuar se Kosova ka bërë një progres të madh në të gjitha fushat e jetës.

Njëherësh në këtë përvjetor të katërt do theksuar objektivat e institucioneve dhe të popullit të Kosovës, siç janë: zhvillimi ekonomik, privatizimi, vendet e reja të punës për të rinjtë, dhe integrimi i grupeve etnike në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Poashtu, objektiv madhor për të gjithë ne është njohja formale e pavarësisë së Kosovës, që duhet ta arrijmë së bashku me miqtë tanë.


Në këtë ditë feste, urime të përzemërta u shprehim UNMIK-ut, OSBE-së dhe organizatave joqeveritare që po veprojnë në Kosovë. Urime të thella nga zemra u bëjmë komandantëve dhe ushtarëve të NATO-s/KFOR-it, që po bëjnë sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës.  

Njëherësh, urimet tona ua drejtojmë përfaqësive diplomatike në Prishtinë.

 
Në këtë ditë feste të Kosovës, përshëndesim Presidentin Bush që bashkë me Kryeministrin Bler po udhëheq forcat e koalicionit në Irak për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi dhe për forcimin e paqes botërore.

Përshëndetjet tona ia drejtojmë Presidentit Shirak, Kancelarit Shreder dhe Kryeministrit Berluskoni, që po përkrahin Kosovën në zhvillimin e saj.

VITI 2004: MESAZH I PRESIDENTIT TË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA, NË 5-VJETORIN E FUSHATËS AJORORE TË NATO-s PËR KOSOVËN

Prishtinë, 24 Mars 2004/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u ka drejtuar një mesazh qytetarëve të Kosovës me rastin e 5-vjetorit të fushatës ajrore të NATO-s për Kosovën, që nisi më 24 Mars 1999. Më poshtë po e japim tekstin e plotë të mesazhit të Presidentit Rugova:


Me rastin e 5-vjetorit të Ditës së fushatës ajrore të NATO-s për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Në këtë vit jubilar do thënë se 24 Marsi i vitit 1999 ka hyrë në historinë moderne të Kosovës si njëra ndër datat më të rëndësishme. Tashmë kjo ditë konsiderohet si ditë historike për vendin tonë.


Në këtë 5-vjetor do theksuar se Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Institucionet e Kosovës janë të përqëndruara dhe po punojnë në realizimin e objektivave të zhvillimit ekonomik dhe demokratik, të krijimit të vendeve të reja të punës, të stabilitetit politik si dhe të integrimit të grupeve etnike në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës.


Në rrugën tonë të progresit, ne këto ditë patëm trazira ku u përdor dhuna e papranueshme për ne, dhe po bëjmë përpjekje të përbashkëta për tejkalimin e gjendjes.


Jemi optimistë se këtë gjendje do ta përmirësojmë së shpejti dhe do të fuqizojmë progresin e vendit tonë të shtrenjtë.


Gjithsesi objektiv madhor për gjithë popullin dhe qytetarët është njohja formale e pavarësisë së Kosovës sa më shpejt, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Këtë do ta realizojmë së bashku me miqtë e Kosovës.


Në këtë ditë feste, urime të përzemërta u shprehim ushtarëve dhe komandantëve të zonave të NATO-s/KFOR-it si dhe gjeneralit Kamerhof, që po bëjnë mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.


Urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.


Njëkohësisht urimet tona ua drejtojmë dhe përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.


Në këtë ditë feste përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Blair, Presidentin Shirak, Kancelarin Shreder dhe Kryeministrin Berluskoni, që po e përkrahin vendin tonë në rrugën e zhvillimit dhe të prosperitetit.


Si gjithmonë, përshëndetje të veçantë i drejtojmë Papa Gjon Palit II, që gjithnjë kujdeset dhe lutet për Kosovën.


Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë KFOR-in! Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur! Gëzuar 24 Marsi 2004 jubilar!

VITI 2002-MESAZHI I PRESIDENTIT RUGOVA: 12 QERSHORI ËSHTË NJË NGA DITËT MË TË MËDHA NË HISTORINË E KOSOVËS

Prishtinë, 11 Qershor 2002/  Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s që vlerësohet si ditë e çlirimit të Kosovës, u ka drejtuar sot një mesazh qytetarëve të Kosovës. Në këtë mesazh thuhet:

– Qyetarë të nderuar të Kosovës,
Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e lirisë së Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.
Dita e 12 Qershorit është një nga ditët më të mëdha në historinë e Kosovës – të Dardanisë antike.

Sot, pas tri vjetësh, do pranuar se Kosova e lirë ka pasur një progres të madh në të gjitha segmentet e jetës, falë miqve tanë dhe popullit të gjallë e dinamik të Kosovës.


Prandaj, njohja formale e Pavarësisë së Kosovës shtrohet si detyrë e drejtpërdrejtë në të cilën po punojmë intensivisht.


Me këtë rast urime të ngrohta u shprehim ushtarëve dhe Komandantit të KFOR-it, gjeneralit Valenten.
Poashtu, urime të përzemërta i shprehim kryeadministratorit të Kosovës, zotit Mihael Steiner dhe OSBE-së.


Urime të sinqerta u shprehim përfaqësuesve diplomatikë në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.
Në këtë ditë gëzimi të lirisë së Kosovës përshëndesim presidentin Bush, kryeministrin Bler, presidentin Shirak, kancelarin Shrëder dhe kryeministrin Berluskoni.
Përshëndetje të madhe i dërgojmë Papa Gjon Pali II për kujdesin e tij për Kosovën.
Zonja dhe zotërinj,


Dëshiroj t’ju njoftoj se sot kam vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin.


Gëzuar Dita e Lirisë.
Zoti e bekoftë Kosovën, – thuhet në fund të mesazhit të presidentit të Kosovës.

Image
Newborn
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat