Kontributi atdhetar i Fan S. Nolit për miqësinë me SHBA-në dhe për kishën autoqefale shqiptare!

Opinione

Kontributi atdhetar i Fan S. Nolit për miqësinë me SHBA-në dhe për kishën autoqefale shqiptare!

Nga: Sami Arifi Më: 29 mars 2021 Në ora: 08:38
Sami Arifi

Fan S. Noli ishte njeri i kulturës, shkrimtar, publicist, historian, politikolog, njohës i shumë gjuhëve të huaja, pothuajse ishte i gjithanshëm në të gjitha fushat e jetës.

Ai redakto gazetën javore “Dielli” në shqip nga 15 shkurti, 1909, dita e themelimit të saj, deri më 22 tetor 1909; dhe prap më 7 tetor, 1910, deri më 7 korrik, 1911; dhe më në fund prej 21 dhjetorit, 1915 deri më 6 korrik, 1916, kur “Dielli” u bë gazetë e përditshme, të gjitha së bashku njëzet e katër muaj.

Më 1915 Fan S. Noli themeloi revistën mujore “The Adriatic

Review” (Revya e Adriatikut), në anglisht, si organ të Federatës Vatra. Ai redaktoi këtë revistë për një vit më 1915. Ai themeloi po ashtu “Republikën”, një gazetë javore shqipe dhe e redaktoi atë në Boston prej 1930-1933.

Lufta e Parë Botërore e cila shpërtheu më 28 korrik të vitit 1914, e gjeti Fan S. Nolin të mbyllur në Vjenë. U dashtë një kohë që të vinte në kontakt me miqtë e tij në Boston. Më 1915 ai ia doli në SHBA.

Federata Vatra ia hoqi shpenzimet e rrugës. Më 18 korrik, 1915, ai u zgjodh kryetar i Federatës Vatrës për një mandat prej një viti. Prapë, më 12 korrik, 1917, ai u zgjodh kryetar i Vatrës për një mandat të dytë. Pra, kjo ishte periudha më e rëndësishme në historinë e kësaj federate.

Si delegat i Federatës Vatra, Fan S. Noli mori pjesë në Kongresin e kombeve të shtypura, Konferencë, këjo, që u mbajt në Uashington, nën patronatin e qeverisë së SHBA-ve. Delegatët e këtij Kongresi e shoqëruan presidentin Uilson te varri i Xhorxh Uashingtonit në Maunt-Vernon, ku ai mbajti fjalimin e tij mbi Katërmbëdhjetë pikat, më 4 korrik 1918. Kjo i dha rast Fan S. Nolit të takohej me presidentin Uilson në jahtin presidencial, “Mejfllauer” dhe t’i bënte apel që ta kthente pavarësinë e Shqipërisë, e cila, tashmë, ishte shkelur nga ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore.

Presidenti Uilson i tha: “Unë kam një votë në konferencën e Paqës dhe do të përdor atë votë në të mirë të Shqipërisë”. Uilson përdori ndikimin e vet, me të vërtetë, të jashtëzakonshëm, për t’i ndihmuar Shqipërisë në konferencën e paqës në Versajë. Pra, presidenti Uilson më 1920, dënoi dhe pengoi copëtimin e Shqipërisë, që qe paraparë me traktatin e fshehtë të Londrës, më 1915.

Ai bëri të qartë se qeveria amerikane nuk ishte pjesëmarrëse në këtë marrëveshje dhe se kurrë nuk do ta njihte atë si të vlefshme. Kjo deklaratë e bëri presidentin Uilson mbrojtësin më të popullarizuar të pavarësisë shqiptare.

Pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, më 3 qershor, 1920, qeveria shqiptare i dërgoi një ultimatum gjeneralit italian Piaçentinit, duke kërkuar të evakuonin në mënyrë të përnjëhershëm nga Vlora dhe Gjirokastra, pas sulmit të shqiptarëve, italianet u detyruan të evakuonin Gjirokastrën dhe Vlorën.

Pas evakuimit italian, Fan S. Noli i shoqëruar nga Vangjel Çamçi i Xhemstaunit, të Nju-Jorkut dhe nga At Vasil Marko nga Sent Luisi i Misurit lan SHBA-të për t’i ofruar shërbimet e tyre qeverisë shqiptare.

Shpenzimet e udhëtimeve të tyre i pagoi Federata Vatra. Noli u dërgua nga qeveria shqiptare në Gjenevë si kryetar i delegacionit që kërkonte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Pra, ai u zgjodh për këtë mision diplomatik , posaçërisht pasi fliste rrjedhshëm frëngjishten dhe anglishten, që ishin dy gjuhët zyrtare të Lidhjes së Kombeve.

Pra, misioni i tij ishte i suksesshëm, me që Shqipëria u pranua njëzëri anëtare e lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor të vitit 1920. Kjo fitore ishte në masë të madhe meritë e fushatës së fuqishme të Lord Robert Sesilit, delegat i Afrikës së Jugut, i cili organizoi lëvizjen për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve kishte rëndësi jetike për këto arsye: Nga se, e riafirmonte pavarësinë e Shqipërisë, dhe, e zhvlerësonte Traktatin sekret të Londrës.

Me këtë rast gazeta, “The Manchester Guardian”, më 23 qershor, 1924, shkruante në një kryeartikull: “Fan S. Noli është një njeri i cili do të squhej në çdo vend. Një diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, debatues mjeshtëror, që në fillim la një përshtypje të thellë në Gjenevë. Ai mposhti kundërshtarët e tij ballkanikë në një mënyrë mjeshtërore, me një buzëqeshje të gjerë. Ai është një njeri me kulturë të gjërë, i cili ka lexuar çdo gjë që vlen të lexohet në anglisht e frëngjisht”.

Fan S. Noli, duke e par shovinizmin grek ndaj shqiptarëve ortodoks, duke vërejtur, mohimin e grekëve, klerin grekë, të jesh i konfesionit ortodoks, s’mund të jesh edhe shqiptarë, nga se ata (grekët) në ceremoninë e vdekjes s’të krishtronin pa e ndërruar nacionalitetin nga shqiptar në grek, thoshin s’ka shqiptar ortodoks.

Ata (grekët) këtë e bënin me pretekste territoriale. Prandaj, Noli punoi me të madhe për kishën autoqefale shqiptare. Ai shpreh mirënjohje për tre misionarët e mëdhenj rusë që e ndihmuan në themelimin e kishës ortodokse shqiptare në Amerikë.

Kisha ortodokse shqiptare në Amerikë ka filluar në vitin 1908 si kishë misionare nën juridiksionin e kishës ortodokse ruse. Ajo u organizua si një dioqezë ( juridiksion kishtar në të cilën ushtron funksionet e tij një peshkop, a një prelat tjetër; peshkopët në vend ku vepron kisha e krishterë. Ndarje administrative në Romën e Vjetër.) e pavarur më 1919, dhe që atëherë është degë e pavarur e Kishës Ortodokse të Lidhjes.

Ajo është në ndërbashkësi me të gjitha kishat ortodokse të Lidhjes, si me ato në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe jashtë tyre, por ajo nuk është nën juridiksionin e asnjërës prej tyre. Pra, ajo është plotësisht e vetëqeverisur. Ja një shkurtim i fjalimit të Nolit:

“Më 1918 ne filluam lëvizjen tonë të kishës në Boston. Më 1922 kongresi eklesiastik i Beratit në Shqipëri, miratoi të gjitha parimet për të cilat bënim fjalë. Më 1937, Patriarkati i Konstandinopojës njohu Kishën Shqiptare si autoqefale. U deshën vetëm 29 vjet për të mbërritur këtë sukses fenomenal.

Këta janë faktorët që shpjegojnë këtë triumf historik: Së pari duhet shprehur mirënjohje Shteteve të Bashkuara, nga se shqiptarët nuk do të fillonin këtë lëvizje askund tjetër, sepse nuk ka pasur liri fetare në vendet ku jetonin.

Ata nuk do të mund ta financonin askund tjetër, sepse ata jetonin në vende ku nuk mund të grumbullonin shumë para. Pra, ata do të mund të kishin një prift shqiptar të shuguruar për ta në vendet ku jetonin. Ne e bëmë këtë kështu, sepse në Shtetet e Bashkuara ka liri fetare, sepse ne patëm mundësi të bëjmë para në këtë vend edhe pse ne gjetëm në Nju-Jork një hierark i cili kurorëzoi priftin për ne. E kam fjalën për Kryepeshkop Platon Rozhdestvenskin, të kishës ruse”.

Në mes të tjerash Fan S. Noli thoshte: “Ne kishim përkrahjen e qeverisë shqiptare, pa marrë parasysh se si ishte platforma e tyre politike. Ata të gjithë mendonin se kisha ortodokse autoqefale ishte pjesë e pandashme e ekzistencës së shtetit shqiptar”.

Ai citonte se: “Ne i dhamë popullit shqiptar ortodoks diçka që nuk ua dha kurrë Partiarkati i Konstandinopojës. Ne u dhamë Ungjillin në një gjuhë që e kuptonin, në shqip”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat