Albin mos u bëj si ata, shkarkoje Liburnin derisa të përfundojë gjyqi

Opinione

Albin mos u bëj si ata, shkarkoje Liburnin derisa të përfundojë gjyqi

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 29 mars 2021 Në ora: 10:54
Albin Kurti

Qeveria e re në krye me Albin Kurtin ndodhet para testit të parë, për të dëshmuar se nuk është si qeveritë e kaluara. Ai duhet të mos mbajë brenda saj njerëz me aktakuzë apo që janë pjesë e hetimeve gjyqësore. Akoma pa u bërë një javë, qeveria Kurti po del se brenda vetes ka një anëtar të kabinetet qeveritar që ka probleme me ligjin. Konkretisht ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe disa zyrtarë tjerë akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Për këtë arsye, Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar 6 prillin si datën e mbajtjes së shqyrtimit fillestar për rastin në fjalë.

Ndonëse Liburn Aliu pretendimet për aktakuzë ndaj tij i kishte mohuar duke thënë se nuk ka qenë në dijeni se ka pasur një aktakuzë ndaj tij. E ndaj këtij pohimi të Aliut pati reaguar Prokuroria Themelore në Prishtinë. Prokuroria ka bërë të ditur se më 23 prill të vitit 2018, ka pranuar kallëzim penal ndaj personave me inicialet: L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Megjithatë, për këto zhvillime akoma kryeministri Kurti nuk ka reaguar. Megjithëse në të drejtën ndërkombëtare, çdo individ konsiderohet i pafajshëm deri në momentin kur kjo gjë ndryshon me formë të prerë të gjykatës, megjithatë morali politik dhe modeli ndryshe që ka proklamuar Albini duhet të jetësohet. Me veprime konkrete, e të cilat shpalosin ndryshimin e proklamuar, qeveria e re fillon të jetësojë pritshmëritë e qytetarëve të vendit. Konkretisht, kryeministri Kurti duhet të lirojë nga detyra Liburn Aliun, deri në përfundim të gjykimit, në rast se del i pafajshëm ta rikthejë në detyrë, në të kundërtën të mbajë pasojat për veprimet e veta.

Nëse vazhdon të hesht z.Kurti ndaj këtij rasti, atëherë vetëm sa iu jep të drejtën opozitës ta kritikojnë atë se nuk po zbaton ato që ka proklamuar me kohë dhe më të drejtë. Kështu që, pikërisht për të treguar fytyrën e mirë të qeverisjes dhe modelin e mirë të saj, qeveria Kurti duhet të tregohet e pamëshirshme ndaj të gjithë atyre që kanë problem me ligjin. Qeveria, konkretisht politika nuk duhet të shërbejë mbulojë për njerëz të saj që kanë problem me ligjin, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Në këtë aspekt, qeveria Kurti duhet të krijojë një model tjetër, ndryshe nga ai i kaluar.

Në të kundërtën qytetarët e Kosovës do të përjetojnë dëshpërimin e radhës, mbase më të madhin, meqenëse edhe pritjet kanë qenë dhe janë akoma të mëdha për qeverinë e re. Albin Kurti duhet të tregojë se akuzat për aparat shtetëror në mbrojte të të akuzuarve, nuk do të vazhdojë edhe në qeverinë e tij. Vetëm me vendime të drejta, në shërbim të ligjit dhe drejtësisë, qeveria e re do të jetë bindëse për qytetarët e vendit që presin ndryshim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat