E vogël, e madhe, jo aq e vogël, hiç më e madhe...

Opinione

E vogël, e madhe, jo aq e vogël, hiç më e madhe...

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 30 mars 2021 Në ora: 15:06
Prof. Dr. Zija Lleshi

Në një komunikatë të djeshme, në kërkim të përfaqësimit të drejtë të serbëve, siç u tha në atë komunikatë, rreth numrit të ministrave serb në Qeverinë e Kosovës lexuam: “Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me të drejtën kushtetuese duke respektuar të drejtat e popullit serb, por edhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë”. Pra, jo-shumicë.

Për të drejtat dhe drejtësinë kuptohet do të fletë Gjykata Kushtetuese e Kosovës (e Kosovës, pra, e Kosovës – kjo mos të anashkalohet!). Ndërkaq, në tekst të komunikatës nuk lexuam e kujtë është ajo Gjykatë Kushtetuese në të cilën po kërkohet drejtësia, dhe a mos vallë po u shkelet drejtësia që në emërtim, që në start, nga Lista serbe e cila edhe vetë kërkon drejtësi, të cilën natyrisht nuk guxon askush të ia mohoj. Por këtu kemi edhe paqartësi tjera për të kuptuar drejtë e saktë. Gjegjësisht, dihet se kur kemi dy vlera numerike, bj.fj. A dhe B, raporti matematikor në mes tyre mund të jetë: 1.) A më e madhe se B; 2.) A më e vogël se B; 3.) A jo më e madhe se B; 4.) A jo më e vogël se B; 5.) A më e madhe se B, ose A më vogël se B. Shifet pra se rasti tre dhe katër janë rastet “jo-jo” të rastit një dhe dy, kurse rasti pestë është alternativa e rasteve një dhe dy bashkarisht, ku përjashtohen barazvlerat. Shumë thjeshtë, apo jo? Të gjithëve u kujtohen këto nga leksionet e para shkollore të simboleve dhe vlerave matematikore. Nuk ka njeri që këtë nuk e kupton. Por, shtrohet këtu pyetja: a nuk duhet të vlejë e njëjta gjuhë edhe në Drejtësi?

Dy raportet e para janë njëkuptimëshe (univoque) dhe eksluzive. Rasti i tretë dhe i katërt janë dykuptimëshe (bivoque) dhe inkluzive. Rasti i parë dhe i dytë duke qenë eksluziv, janë thjeshtë të kuptueshëm dhe përjashtojn atë që nuk thuhet në mënyrë eksplicite. Mbetët për t´u trajtuar rasti i tretë dhe i katërt dhe inkluziviteti aty si alternativë. E pra, cili është inkluziviteti dhe alternativa si dhe çfarë nënkupton rasti i tretë dhe i katërt? -- Rasti i tretë, i shprehur “A jo më e madhe se B” (në rastin tonë jo shumicë, ku B është shumicë) nënkupton dy gjëra: po se po, dhe gjithësesi A jo më e madhe se B, por nënkupton poashtu alternativën se A mund të jetë edhe barazi me B (inkluziviteti). Rasti i katërt nuk është këtu aktual, megjithëse dykuptimësia dhe inkluziviteti i saj më tutje shpjegohet dhe kuptohet sipas të njëjtës logjikë siç vlenë në rastin e tretë. Deri këtu nuk ka më thjeshtë, apo jo?

Atëherë, cilat, bre, na qenkan këto ”Komunitetet jo-shumicë”?!! A ka njeri dhe a di kush të na shpjegon këtë? A mund të na tregoni këtë ju jurista shumë të nderuar që përpiloni ligje? Sepse nga ajo thjeshtësi (madje e tepruar, shumë respekt për ju, na falni! Nuk kam pasë për qellim ta ofendoj askënd me thjeshtësira, por kam desh të tregoj çka unë nuk kuptoj) që u tha më lartë, ”komuniteti jo-shumicë” nënkupton, po se po dhe gjithsesi komunitetin që është më i vogël se shumica, e që në fakt është ”komunitet pakicë”, por nënkupton njëherit edhe mundësinë alternative dhe inkluzivitetin që ai komunitet të jetë barazi me shumicën, që konceptin “shumicë” e anulon si kuptim inegzistues. Atëherë nuk ka shumicë. Ka vetëm barazi të vlerave. Në barazi të vlerave matematikore nuk egziston vlera shumicë matematikore. Gjuha e tillë jo vetëm që nuk është e njëkuptimtë, por e relativizon konceptin shumicë deri në anulim të saj. Gjuha e drejtësisë, ndërkaq, është gjuhë e saktë dhe univoke për nga kuptimi. A egzistojnë aso kategori të komuniteteve dhe rasteve në Kosovë? Atëherë, nëse po, të tregohen me numra, germa dhe me fjalë që ta kuptojmë më mirë të gjithë, edhe ne që nuk jemi juristë: cilat na qenkan ato komunitete në shtetin e Kosovës që e përmbushin inkluzivitetin në fjalë dhe si “komunitete tjera” (apo jo vetëm “të tjera”), duke mos qenë më të mëdha se shumica mund të jenë njëherit, si alternativë, barazi me shumicën? Në demografi rasti i tillë është absurd dhe i pakuptimtë edhe për nga vetë emërtimi i tij. Në aspektin juridik rasti inkluziv shkakton këtu konfuzion edhe më të madh nga aspekti i drejtave të garantuara, e në këtë rast, si zbrasti, të paformuluara proporcionalisht në mënyrë adekuate. Matematika, demografia dhe juridiku duhet të flasin me të njëjtën gjuhë. Paqartësitë e keqkuptimi mund te ndikojnë në disponim dhe emocione e mandej edhe në kërkersa joreale dhe jo të drejta. Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe mediat e gazetarët duhet të na informojnë më saktësisht që lajmet t´i kuptojmë më mirë e më saktë e mos të ketë dilema dhe konfuzion për të kuptuar, dhe që në fund të mos dijmë se çfarë lexuam dhe se e humbëm kohën kot në atë lexim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat