Vjosa presidente

Opinione

Vjosa presidente

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 30 mars 2021 Në ora: 18:59
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Ashtu edhe siç pritej, LDK ka vendosur që t’i bëjë kuorumin Vjosa Osmanit. Këtë të martë, këtë vendim të kryesisë së LDK e bëri publike kryetari i saj i ri. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë pas mbledhjes me GP të LDK-së, se kryesia e partisë ka vendosur me shumicë absolute që të marrin pjesë në votim për presidentin.

“Pas një diskutimi të hapur, të gjithë bashkërisht kemi marrë vendim që LDK nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidenti të vendit, dhe LDK të marrë pjesë në votimin për presidentin, ky është vendim i Kryesisë i votuar me shumicë absolute. Pres që secili deputet të respektojë vendimin e shumicës dhe pres që nga secili deputet të sillen si institucionalist dhe ta kapërcejnë veten dhe çfarë do hidhërimi që mund të kenë”, tha Abdixhiku.

Vendimi ishte i pritshëm për shumë arsye, të cilat besoj se janë thënë shumë herë dhe mbase s’kanë nevojë të përsëriten. Mbi të gjitha, Lumiri ka vendosur për fatin e tij. Në çdo rast tjetër, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje për shkak të vendimit ndryshe të LDK, do t’i kushtonte me karrierë kryetarit të ri të LDK-së. Lumiri, besoj se është mjaftueshëm i ditur sa për të kuptuar situatën në të cilën ndodhet. Gjithashtu Abdixhiku e ka kuptuar se në çfarë do konfrontimi me Vjosën është i mundur. Pavarësisht thirrjes së kryetarit të LDK dhe vendimit të kryesisë së partisë, janë tre apo katër deputetë nga gjithsej 15 deputetë, që pritet të mos qëndrojnë në seancën kur zgjidhet Vjosa presidente.

Avdullah Hoti, Agim Veliu, Driton Selmanaj, mbase edhe Arben Gashi, s’do të marrin pjesë në seancë. Janë katër figurat e LDK-së që ishin me çdo kusht për prishjen e koalicionit me VV-në, si dhe përjashtimin e Vjosës nga partia. Këta katër deputetë, nuk e kanë burrërinë për të pranuan se veprimet e tyre e kanë dëmtuar partinë si kurrë më parë, duke e sjellë në rezultatin më të dobët ne histori të saj. Gjithashtu, këta nuk kanë burrëri për të pranuar se Vjosa i ka mundur.

Në këtë logjikë, e vlerësoj si shumë të dobishëm dhe krejtësisht të drejtë vendimin e kryesisë së LDK-së, e cila ka vendosur të ndryshojë kursin e saj. Vetëm kështu LDK i kthehet zërit të qytetarëve, i cili kaherë ka hasur në vesh të shurdhër të kryesisë dhe kryetarit të mëparshëm. Pikërisht mos dëgjimi i zërit të qytetarëve ka ndikuar që të rriten pakënaqësitë, për pasojë ka prodhuar rezultatin e 14 shkurtit. LDK, krahas vendimit të sotëm mjaft të qëlluar dhe të duhur, duhet të bëjë reforma të mëdha nëpër të gjitha degët e saja. Shkëputja e komunikimit me elektoratin ka ndikuar dukshëm në humbjen e LDK-së, e cila duhet të bëjë pastrim të njerëzve të konsumuar dhe në anën tjetër të sjell të rinj në parti. Njerëz me kapacitet intelektual, me ide të ndryshimit dhe të pakompromis ndaj të keqes, janë ata që i duhet më shumë së kurrë LDK-së.

Edhe një herë, për tu rikthyer tek vendimi i sotëm, ndonëse i pritur duhet përshëndetur, me shpresën se është një hap i vogël drejt rikthimit të madh të LDK-së.

Kundërshtari i madh i Vjosës, Isa Mustafa tanimë nuk është në parti. E humbi luftën me Vjosën. Derisa Vjosa pritet të bëhet presidente, Isa do të jetë duke shëtitur në park, pa asnjë funksion, dhe mbi të gjitha si fytyra tragjike e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat