S’ta mbush mendjen për kryeministër Lulzim Basha sepse nuk është maskara

Opinione

S’ta mbush mendjen për kryeministër Lulzim Basha sepse nuk është maskara

Rexhep Shahu Nga Rexhep Shahu Më 1 prill 2021 Në ora: 15:55
Lulzim Basha

“Unë nuk jam më i miri, por nuk ka ma të mirë se unë” – ky është një nga refrenet që këndon Edi Rama ngado shkon këto ditë kur po vuan shpërfilljen e njerëzve.

Rama po shitet si Zoti që u përvëlua për ne, e nxori nga dheu vaksinën e shpëtimit dhe po e këmben me vota në festivalin e vaksinimit. Mallkon pandeminë e tërmetin se po të mos ishin këto të dyja, shqiptarët do të ishin duke ngrënë me lugë floriri.

Pandemia e tërmeti një vit ia lidhën këmbët qeverisë që ka shtatë vjet që shin lëmë dhe shkreton shqiptarët me papërgjeshmerinë e saj unike.

Ne si të hipnotizuar prej tij pasi ai aktron perfekt shtirjen, të gjithë konstatojmë, veç konstatojmë se është keq, se vendi nuk po qeveriset, por veç konstatojmë...

Nuk vlen asgjë kjo këngë konstatimi që këndohet 25 në 24 orë nëse nuk ndryshohet gjendja nga votimet e 25 prillit 2021.

Shumica e atyre që hiqen si pronarë të opinionbërjes në këtë vend po duan të na mbushin mendjen se Rama nuk ka faj, nuk na ka premtuar asgjë, ne ia kemi dhënë votat pa na premtuar asgjë, sikur ne kemi qenë të gjithë lopë dhe ia kemi dhënë votën atij se ka qenë i bukuri i dheut dhe fajin tani ta mbajmë, por Rama nuk ka faj...

Kryeministri Rama e ka hedhë dhe po përhapet me shpejtësi rrufeje thënia e tij mobilizuese për të vetët dhe ftesë për deledashët se i mirë është Basha por nuk ta mbush mendjen, është i vobektë, i rrafshët, i urtë, nuk bën për kryeministër. Pra që Rama megjithë defektet e tij, ta mbush mendjen që ta votojmë përsëri për kryeministër.

Ka filluar të artikulohet e të dëgjohet si refren shprehja se "Të gjithë politikanet njësoj janë. E kush do vijë po iku Rama?! Basha?! I mirë është por është i fjetur, nuk është i zoti si Rama, nuk ta mbush mendjen si Rama. I keq është Rama, por është i zoti, nuk ia mbyll kush gojën…"

Po krijohet përditë e më shumë përshtypja se shqiptarët duan kryeministër mashtrues, maskara, të poshtër, bir kurve që të jetë i zoti, dallkauk, bos, cub, ta ketë mirë me të fortët, me kriminelët, tu thërrasë atyre o bosa, tu japë e tu marrë atyre çfarë të dojë, të jetë njëri nga ata. Shqiptarët mashtruesit i thonë i zoti, i thonë bir kurve, i thonë shkredhtë, është i zoti ai bir kurve, ai shkredhtë, ai mashtrues është i zoti, i bën të gjitha, të vret e të qan… Pra ne e lëvdojmë deri në qiell të poshtrin e maskarain… E kjo është skandaloze, shumë njerëz zgjedhin për drejtues këto njerëz të fortë që të vrasin e të qajnë, të mashtrojnë…

Përditë e më shumë po krijohet përshtypja se nuk na duhet për kryeministër një njeri normal, një i ri që është shkolluar jashtë shteti në një universitet serioz, një njeri që nuk rend pas grave dhe që nuk dështon me gratë dhe që nuk e quan sukses burri sepse nuk është sukses burri kur nuk ndjehesh burrë e të qetësohesh por rend në kërkim të gjetjes së burrërisë…

Kaq shumë po përhapet kjo gjë sa njerëzit po shohin njëri tjetrin dhe sikur po fillojnë të harrojnë se çfarë u ka bërë në 8 vitet e tij Edi Rama. Dhe askush as vetë Rama nuk i përgjigjet dot pyetjes, çfarë bërë për shqiptarët në 8 vitet e sundimit tënd?

Basha vërtetë po flet rrafsh, po shkon rrafsh, njëtrajtshëm, nuk po nxehet njëherë të dalë e të thërrasë, po, i mirë jam por ty nuk ta mbushi mendjen për kryeministër sepse unë nuk jam maskara, unë nuk kam aftësinë të gënjej, të mashtroj, nuk e kam aftësinë të jem i paskrupullt, nuk mundem të jem i pacipë, nuk jam një mësues vizatimi por jam një jurist i diplomuar në një universitet holandez, nuk vij në postin e kryeministrit me çorape të kuqe por vij pas disa përvojash në drejtim të ministrisë së transporteve, të ministrisë së brendshme, të ministrisë së jashtme, pas disa përvojash ndërkombëtare.

Basha nuk po merret me kundërshtarët siç po merret Rama me kandidatët e PD, duke i përgojuar si si ordiner i ulët.

Nuk po nxehet Basha të dalë të deklarojë se nëse unë bëhem kryeministër, do të qeverisi me botën akademike jo me botën e krimit, jo me botën e anonimëve e laperave.

Basha sa më parë duhet ta kuptojë se nuk e konkurron Edi Ramën në ligësi, në mashtrime, në abuzime, në trillime, në harbutëri se Rama është kampion për mashtrues e demagog, kampion për lustra e gënjeshtra, nuk skuqet as nxihet.

Kujtoni vetëm pyetjen që iu bë një një studio sa para ka Edi Rama, kujtoni se çfarë rrëfeu për muzeun e dhuratave, por nuk guxon askush ta pyesë Edi Ramën se sa flori ke dhënë ti për të mbajtur pushtetin, sa flori ke dhënë në emër të shtetit shqiptar si dhurata, sa muze do ishin zbukuruar me ato florinj…

Basha po bën takime, por në shumë raste nuk e di se me kë takohet sepse ato janë takime televizive, me regji. Basha duhet të shkojë, pa shoqërues që ia zbukurojnë e retushojnë gjërat, te arkitektet e vendit tonë dhe të ulet me ta dhe ti pyesë çfarë nuk duhet ndërtuar më në këtë republikë, çfarë nuk duhet bërë më dhe jo çfarë të shembim dhe ti dëgjojë ata të flasin e jo të flasë Basha, ti thonë ata se çfarë nuk duhet bërë më në këtë vend, çfarë nuk duhet ndërtuar më në këtë vend që është shëmtuar kaq rëndë.

Basha duhet të shkojë tek ekonomistët e këtij vendi dhe ti dëgjojë, të shkojë në universitet ti dëgjojë profesorët se ne jemi shoqëri universitare e më shumë.

Duhet të shkojë në kafe me shkrimtarët që të kalisë paqen.

Ka në këtë vend kaq shumë njerëz të zotët që rrinë në hije, në heshtje (se kanë fëmijë për të rritur…) dhe ata duhen gjetur, duhen ftuar, duhen zgjuar, duhen dëgjuar, duhen shpëtuar nga dëshpërimi në skutat e qoshet ku janë.

Basha duhet të shkojë vetëm te grupe autoritare të këtij vendi pa kërcënuar askënd e asgjë sepse Basha nuk do të bëhet kryeministër prokuror as gjykatës, ai nuk do të ketë burg të qeverisë që të burgosë kë donë ai, por ai do të bëhet kryeministër nën një qeveri që drejton një shtet ku drejtësia do të jetë e pavarur dhe kryeministri do të rrije drejt para pushtetit të drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat