Patriotizmi real dhe ai deklarativ!...

Opinione

Patriotizmi real dhe ai deklarativ!...

Nga: Dibran Demaku Më: 2 prill 2021 Në ora: 13:52
Dibran Demaku

Shqiptarët kudo që gjinden sot, qoftë nw vendlindje apo në çdo cep të planetit, jetojnë ende në atë primitivizmin e tyre kanunor. Dhe atë në shenjë të njëfarë patriotizmi të tyre të rrejshëm.

Shqiptari i shpërngulur në Nju Jork, në Berlin, në Romë, Londër apo Paris, apo edhe në Sidnej të Australisë së largët, kur vajzës apo djalit i vije koha për martesë, bën të pamundurën që nusen apo dhëndrin ta sjell nga trojet shqiptare gjithnjë si shenjë e të një lloj patriotizmi. Dhe kur e sjell (me njëqind peripeci)dhëndrin apo nusen, sikur gjen njëfarë satsfaksioni se ja djalin apo vajzën e ka martuar me një të vendlindjes.

Deri në këtë pikë edhe mund të arsyetohet i gjithë mundi dhe peripecia për synimin e arritur.

Pas martesës së vajzës apo djalit me një të vendlindjes, sikur gjen atë qetësinë shpirtërore, pa e vrarë mendjen nëse do të funksionojë si duhet lidhja e re martesore, e cila edhe pse e bërë nga e njëjta gjuhë dhe i njëjti gjak, është lidhje e dy botëkuptimeve të ndryshme e cila rrallë funksionon si duhet. Por, edhe nëse të rinjtë e bashkuar nga dy mentalitete krejtësisht të kundërta, në një mënyrë apo një tjetër edhe funksionon, lindin probleme në jetën e dy të rinjve. Ata së pari e nisin bashkëjetesën (në të shumtën e rasteve) në bashkësi me prindërit(për shkaqe financiare)sepse ai që vjen nga vendlindja, në fillim do të jetë i papunë, për shkaqe që dihen: nuk e di gjuhën e vendit, apo nuk ka profesion të duhur.

Por, këto janë probleme të vogla në krahasim me ato që lindin kur vijnë në jetë fëmijët e qiftit të ri. Së pari është pagëzimi i fëmijëve të sapo lindur, që për gjyshet e gjyshërit e tyre duhet të jenë patjetër emra me bazë shqiptare, për ata gjyshe e gjyshër që veten e peshojnë në bazë të ndjenjës kombëtare, ndërkaq për ata gjyshe e gjyshër shqiptarë që veten e peshojnë me ndjenjat fetare, duan që emrat e mbesave dhe nipërve të tyre të jenë me karakter fetar!

Dhe në vendet ku jetojnë sot shqiptarët(në të katër cepet e planetit) emrat me karakter fetar ngjallin averzion dhe pakėnaqësi deri në refuzim tek banorët e vendit mikpritës!

Veçse kjo nuk është e tëra:gjyshet dhe gjyshërit shqiptarë duan që mbesat dhe nipërit e tyre së pari të mësojnë gjuhën e të parėve të tyre(që është gjuha shqipe),ndërkaq prindërit e tyre që nga fillimi u flasin të sapo lindurve gjuhë e vendit.Aty pastaj nis konflikti i gjeneratave,se kush e ka gabim dhe kush me të drejtë.Në këtë konflikt gjeneratash më së shumti e pësojnë fëmijët,sepse prindërit e tyre gjuhën e vendit e flasin ose me gabime ose me aksent krejt tjetër! Dhe kur këta fëmijë ulen qoftë në banka të çerdhes qoftë në banka të shkollës,vazhdojnë të flasin gjuhën që e kanë mësuar nga prindërit e tyre!

Dhe si pasojë e gjithë kësaj që u tha më lartë,fëmijët shqiptarë me nënë e baba shqiptarë,flasin keq gjuhën e vendit,atë gjuhë që e kanë mësuar nga prindërit e tyre,dhe rrallë shumë rrallë arrijnë suksese të kënaqëshme në shkollë dhe profesion pikërisht për shkak të gjuhës!

Dhe fëmijët e tillë(edhe përkundër dëshirës së gjysheve e gjyshërve të tyre si dhe dëshirës së prindërve të tyre që ata edhe më tutje të jenë shqiptarë(gjithmonë si dëshirë e një patriotizmi shqiptarë të rrejshëm)nuk janë të tillë,por një konglomerat për keqardhje!

Dikush thotë së patriotizmi ruhet e kultivohet kudo që të jesh,ndërkaq e vërteta thotë se patriot është vetëm ai që jetën e vetë e nis dhe e përfundon në vendin e vetë. Ai i cili e lë vendin e vetë dhe bėn çerdhe diku në botë,ndjenjën e patriotizmit e ka vetë deklarative.

Andaj,ju patriotë shqiptarë, kudo që ndodheni(këtu e fus edhe vetën time) mos harroni se patriotizmi i juaj ka vdekur që në momentin e largimit nga vendlindja.Ndërkaq patriotizmi deklarativ është një relikt që jeton e lulëzon vetëm në mendjet tuaja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat