Dështuan intrigat e “Pronto-s”, Vjosa Osmani është presidente

Opinione

Dështuan intrigat e “Pronto-s”, Vjosa Osmani është presidente

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 prill 2021 Në ora: 08:24
Vjosa Osmani - presidente e Republikës së Kosovës

Pas raundit të tretë të votimit në Kuvend, Vjosa Osmani është presidentja e gjashtë e Kosovës, dhe gruaja e dytë në krye të shtetit. Vjosa Osmani është model i forcës së gruas, i mosdorëzimit, i qëndresës dhe sfidave, mbi të gjitha Vjosa Osmani është sinonim i guximit. Vjosa, ndonëse e re në moshë, ka një përgatitje shumë të lartë politike, por edhe profesionale, ajo i jep dinjitet shtetit dhe qytetarit të Kosovës.

Që nga vdekja e dr.Rugovës, Kosova asnjëherë thuajse s’ka pasur president që i bën qytetarët të ndjehen krenarë. Paraardhësi i saj, i zgjedhur në këtë post me polici, me dhënie të posteve, terminale etj, nuk ka qenë asnjëherë figurë unifikuese dhe as figurë e respektuar. Pavarësisht se klani “Pronto” u mundua që të bëjë çdo gjë që Vjosa mos të zgjidhet sepse e sheh atë si person që e ngrit nivelin e presidentes, diçka që nuk ekziston në kampin e tyre. Pavarësisht këtyre pengesa nuk ia arritën, deputetët e votuan personin më të votuar nga qytetarët. Vjosa Osmani është politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë, me mbi 300 mijë vota, Vjosa ka përlidhur zgjedhjen e saj në krye të shtetit, duke hequr të gjitha dilemat për figurën e saj, meqenëse populli e votoi për presidente.

Vjosa Osmani është model për tu ndjekur, me leksionin e saj të madh që i dha politikës se zëri i qytetarëve duhet dëgjuar. Në një sistem demokratik ku vota e qytetarit është biletë për të ecur tutje apo jo, nuk mnd të qeverisësh apo të mbijetosh në politikë me arrogancë, me shpërfillje të zërit të qytetarëve. Sinkronizimi i veprimeve me kërkesat e qytetarëve e ka bërë Vjosën të jetë këtu ku është, politikania më e votuar dhe në krye të shtetit.

Vjosa ka dhënë një mësim të mirë, se vetëm duke qenë i përulur, duke dëgjuar zërin e qytetarëve mund të ecësh tutje. Ata që shpërfillin këtë gjë, u treguan arrogant ndaj zërit të qytetarëve, sot nuk janë në pushtet, politikisht kanë vdekur. Andaj, Vjosa përveç këtij fakti të pamohueshëm, ka dëshmuar se në politikë mund të ecësh tutje nëse ke besim, vullnet, guxim dhe mosnënshtrim. Paraardhësi i saj që është në burg tani, ka qenë e kundërta e këtyre vlerave, me ketë rast edhe besimi qytetar për të ka munguar.

Tanimë po hapet një kapitull i ri në skenën tonë politike, ku e kaluara e turpshme e politikanëve tanë ka marrë fund, modelet si Vjosa që rikthehen në gjenezën e dr. Rugovës dhe në harmoni me kërkesat e qytetarëve, duhet ndjekur dhe mbështetur, me kultivimin e shpresës për ditë më të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat