Ardian Kastrati, profesori bullist që s’di të çmojë femrën shqiptare

Opinione

Ardian Kastrati, profesori bullist që s’di të çmojë femrën shqiptare

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 prill 2021 Në ora: 22:06
Ardian Kastrati

Më lehtë është të jesh profesor, president, mbret etj, por më vështirë është të jesh njeri. Grada më e lartë në jetë për një person është të jetë njeri. Kur themi njeri kemi parasysh formimin e tij edukativ me të gjitha komponentët që e përbëjnë atë, duke nisur nga respektimi i të ndryshmes, tolerancës, respektit për mendimin ndryshe etj. Krahas këtyre përfshihen edhe mos bullizmi, të mos fyesh dikë në bazë seksizmit etj. Duket se këto atribute kryesore të njeriut i mungojnë Ardian Kastratit, deputetit të PDK-së, fatkeqësisht profesor në UP.

Pas luftës është bërë profesor lloj lloj matrapazi e debili, kjo s’do të thotë se ai përnjëmend është profesor i merituar. Ardiani, me ndihmën e PDK-së arriti të bëhet analist në RTK, në televizionin e kontrolluar nga “Pronto”. Nga aty thurte mite primitive për Hashimin e Kadriut, aq sa Skënderbeu dukej krejtësisht i vogël krahas veprës “kolosale” të Hashimit. Gjithë kjo propagandë dhe zhurmë në RTK për Hashimin nuk mbeti pa u shpërblyer, Ardiani u kandidua për deputet nga radhët e PDK-së. Një parti në rënie të lirë e mori për kandidat po një person që nuk ishte ngritur kurrë, përveç se kishte shërbyer si servil i PDK-së. Në mesin e 19 deputetëve të PDK-së, edhe Ardiani u bë deputet. Deputet po por jo njeri, ky mbetet Ardian Kastrati i cili bullizoi me format trupore të presidentes Vjosa Osmani.

Vjosa që ka doktoruar në Universitet në SHBA, e mban në xhep të vogël jo vetëm Ardianin por komplet PDK-në dhe jo vetëm PDK-në por edhe AAK-në dhe krejt sojin e tyre. Vjosa ka marrë mbi 300 mijë vota sa tri herë krejt PDK-ja, e kjo dëshmon se kush është Vjosa e kush është Ardiani. Ndonëse u mundua të arsyetohet, ky tipi i gërditshëm që të bën të vjellësh kur mendon se profesor të tillë mësojnë gjeneratat e reja, edhe një herë doli në pah fytyra e vërtetë e Ardianit.

Pas Ganës që u mor më vajzën e Albinit, tani ky tipi fyen presidenten e vendit vetëm nga xhelozia dhe mëria. Kot nuk thonë se shqiptari të fal çdo gjë por jo suksesin, e këtë e dëshmon edhe soji i Ardianit, për më tepër duke shfaqur anët e tija të errëta të mungesës së formimit njerëzor. Edhe pse nuk e kam pritur, gjithsesi ka qenë e rrugës që PDK të distancohet nga kjo formë e bullizmit që një deputet i saj e shfaq publikisht. Kjo nuk ndodhi, edhe e kam pritur mos reagimin e tyre, janë po të njëjtit që kanë bërë çdo gjë për të kapur pushtetin dhe zhvatur shtetin, njeriu që e vjedh shtëpinë e vet, ai nuk le gjë pa bërë.

Derisa PDK dhe soji i Ardianit janë e keqja e vendit, Vjosa është shpresë për qytetarët, për të ardhmen e tyre për ditë më të mira. Vjosa shihet si model i mirë për tu ndjekur jo vetëm nga gratë, por nga të gjithë të rinjtë që aspirojnë që me dinjitet dhe me integritet të arrijnë majat e shtetit, për t’i shërbyer popullit dhe qytetarëve të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat