Nuk ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa ndëshkimin e gjenocidit serb

Opinione

Nuk ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa ndëshkimin e gjenocidit serb

Nga: Skënder Sadri Kapiti   Më: 9 prill 2021 Në ora: 09:07
Skënder Sadri Kapiti  

E gjithë bota e dinë se mbi shqiptarët e Kosovës është ushtruar dhunë, pastrim etnik dhe gjenocid.

Nuk ka rëndësi se a e njeh Serbia Kosovën si shtet dhe nuk përbën kjo agjendë kryesore për Kosovën.

Lufta ka mbaruar dhe tashmë Kosova është shtet i pavarur, dhe këtë realitet askush nuk e dinë më mirë se sa vetë serbët dhe Serbia, por që ato bëjnë sikur nuk e dinë dhe nuk e pranojnë.

Por Serbia dhe serbët duan ta zvarrisin njohjen me qëllime të caktuara strategjike për të përfituar privilegje dhe “lutje” nga SHBA dhe BE që Serbia ta njohë Kosovën , si dhe me qëllim që Serbia t’i shpëtojë barrës së dëmshpërblimit që ajo duhet të japë si kompensim për krimet, rrënimet e dëmet materiale që ajo u ka shkaktuar Kosovës dhe shqiptarëve.

Ajo parqet me dëshpërim në synimin e saj për të marrë çfarë të mundet nga Kosova në këmbim të njohjes, si dhe për përmirësimin e imazhit të saj si një vend , shtet e komb që ka ushtruar gjenocid mbi popujt e tjerë jo serbë, mbi shqiptarët, boshnjakët e kroatët.

Serbia nuk ka pranuar as minimalisht falje për krimet dhe gjenocidin e saj, për mijëra e mijëra vrasje, torturime e përdhunime çnjerëzore dhe për zhdukje njerëzish e as për dëbimin e 1 milion shqiptarëve nga Kosova.

Dhe gjithashtu Serbia akoma nuk ka dëmshpërblyer asgjë nga ato miliarda dollarë dëme materiale, rrënime e djegie shtëpish, biznesesh, fshatrash e qytetesh të Kosovës.

Dhe a mund dhe a duhet pranuar normalizim marrëdhëniesh me një shtet të tillë që vazhdon të jetë po ajo Serbi, e po asaj natyre shoviniste dhe antishqitare si më parë?!

Shqiptarët e Kosovës luftuan për liritë njerëzore dhe ato kombëtare, pra për të pasur shtetin e vet në të cilin të realizohen të gjitha liritë e të drejtat njerëzore e kombëtare.

Lufta u zhvillua në Kosovë dhe që dihet ndëkombëtarisht se çfarë gjenocidi dhe krimesh barbare ushtruan kolonizatori dhe pushtuesi serb.

Është detyrë e shtetit të Kosovës që të mbrojë liritë e të drejtat e qytetarëve të vet; pra që edhe që të bëjë bilancin e dëmeve materiale e pasurore që pushtuesi barbar serb ka bërë mbi pasuritë e qytetarëve dhe të Kosovës në mënyrë që t’i kërkohet Serbisë edhe dëmshpërblimi.

Mirëpo as politika dhe as pushteti në Kosovë deri më sot nuk e kanë bërë e madje as nuk e kanë akuzuar dhe as nuk i kanë kërkuar nga Serbia dëmshpërblimin, por më keq akoma dhe përkundrazi, më shumë politikës dhe pushtetit, pra qeverive të pas luftës në Kosovë u ka interesuar vetëm interesi e pushteti personal e deri edhe vjedhja e pasurimi në mënyrë korruptive e të paligjshme të pasurive të qytetarëve, të shtetit dhe atë të parasë publike.

Qytetarët e Kosovës dhe bizneset kanë ngritur padi penale individualisht për kompensimin e dëmeve materiale të luftës të cilat i mban peng Gjykata e Apelit, duke mos ju dhënë zgjidhje të drejtë, por duke i udhëzuar palët e dëmtuara ndjekjen e procedurës gjyqësore në gjykatat serbe në Serbi?!

Pra sipas logjikës së kësaj Gjykate e pyesim atë se: sipas saj Kosova a është shtet i pavarur apo është akoma nën juridiksionin e Serbisë përderisa kjo Gjykatë e Kosovës deklarohet se shqiptarët e Kosovës duhet t’i drejtohen Gjykatave serbe në Serbi. Pra sipas tyre, sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës duhet që dëmet që i ka bërë pushtuesi serb shqiptarëve e Kosovës në territorin sovran të Kosovës duhet t’i drejtohen drejtësisë në Serbi dhe nëse qytetarët e Kosovës kërkojnë drejtësi në Serbi atëherë Kosova nuk e paska fituar pavarësinë juridike e as territoriale sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Kjo tregon kulmin e papërgjegjshmërisë dhe pse jo edhe të tradhtisë kombëtare që bën Gjykata e Apelit në Kosovë.

Pra sipas Gjykatës së Apelit edhe popujt e Europës për dëmet materiale që patën pësuar nga pushtimi nazist do të duhej që t’u drejtoheshin gjykatave të shtetit gjerman të pas Luftës?!

Dhe ajo se çfarë duhet të bëjë qeveria e sotme në Kosovë është pranimi i kërkesave si dhe verifikimi e evidentimi shtetëror i dëmeve të shkaktuara gjatë Luftës nga pushtuesi serb si dhe kërkesa drejtuar shtetit serb që ai të dëmshpërblejë qytetarët e Kosovës dhe shtetin e Kosovës, dhe në rastin tjetër edhe ngritjen edhe të një padie në Gjykatën Ndërkombëtare për ta detyruar Serbinë për dëmshpërblimin për dëmet e luftës shkaktuar prej saj.

Nuk është kurrë e mundur që Gjykata serbe në Serbi të ndëshkojnë dhe ta detyrojnë shtetin serb që të dëmshpërblejë shqiptarët e Kosovës për dëmet e shkaktuar atyre nga pushtuesi serb ,kur Serbia nuk e njeh dhe as nuk e ka pranuar as gjenocidin, as krimet dhe as dëmet që ajo ka bërë në Kosovë. Atë se çfarë është vepruar deri më sot nga papërgjegjshmëria apo nga indiferenca e institucioneve të Kosovës karshi mosinteresimit për dëmshpërblimin material e monetar të Serbisë fatkeqësisht përbën një pabesi e tradhti të institucioneve dhe të ish krerëve të shtetit të Kosovës ndaj shtetasve të vet dhe ndaj Shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat