1914 e pakuptuar edhe në 2021! Disa mendjeshkulur nuk e kanë kuptuar, bëjnë sikur nuk e kuptojnë, ose kanë interesa financiaro-okulte që të harrohet!

Opinione

1914 e pakuptuar edhe në 2021! Disa mendjeshkulur nuk e kanë kuptuar, bëjnë sikur nuk e kuptojnë, ose kanë interesa financiaro-okulte që të harrohet!

Nga: Shaban Murati Më: 9 prill 2021 Në ora: 14:04
Shaban Murati

Ndonëse kanë kaluar mbi 100 vjet, ende sot e kësaj dite udhëheqës të çekuilibruar të vendit, politikanë të çekuilibruar, historianë të çekuilibruar, analistë të çekuilibruar, dhe natyrisht levantinët dhe profanët shqiptarë, nuk e kanë kuptuar ende se në vitin 1914 rreziku jetik dhe më i madh i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar ishin Serbia dhe Greqia.

Dy shtetet fqinjë, që kishin trupat e tyre pushtuese brenda në Shqipërinë e pavarur londineze, dhe që na grabitën dhe kanë edhe sot e kësaj dite në zotërim territore shqiptare. Disa mendjeshkulur nuk e kanë kuptuar ende, ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë, ose kanë interesa financiaro-okulte që të harrohet kjo e vërtetë kombëtare dhe e dhimbshme historike.

Nuk është rastësi që viti 1914, nga më tragjikët e historisë sonë kombëtare, paraqitet sot si objekt humori folklorik nga politika infantile, nga historiografia infantile dhe nga analitika fondamentaliste antishqiptare, duke fshehur dhe mos përmendur se cili ishte rreziku i vërtetë i Shqipërisë në vitin 1914.

Për levantinët, që duan fqinjët më shumë se atdheun, po sjell çfarë shkruan shkenca e sotme gjermane për Shqipërinë e vitit 1914:

”Nacionalistët epirotas dhe trupat pushtuese greke u përpoqën më tej që të ndryshonin kushtet me anë të shtrëngimit, aq sa ta bënin të sigurtë qendrimin e territorit nën Greqi: Ata dëbuan shqiptarët myslimanë nga qytetet e Gjirokastrës, Delvinës dhe Libohovës, dhe për këtë arsye çuan grekë, të cilët u veshën si shqiptarë. Qëllimi i këtij aksioni ishte i qartë: Komisioni Ndërkombëtar për kufijtë duhet të gënjehej për kushtet e vërteta. Bandat epirote këtu vazhduan të përndiqnin popullsinë myslimane. Sipas raporteve bashkëkohore, midis tetorit të vitit 1913 dhe majit të vitit 1914, u vranë rreth 20 mijë njerëz nga nacionalistët grekë”.

(Hanns Christian Lohr, “Themelimi i Shqipërisë. Wilhelm Widi dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha në Ballkan, 1912-1914”, Tiranë 2019, Shtëpia Botuese “Skanderbeg Books”. fq.235)

Historinë shqiptare më mirë se zyrtarët dhe politika shqiptare e lexon dhe e kupton shkenca gjermane. A është ky moskuptim shqiptar i vitit 1914 në vitin 1921 një infantilizëm historik, papjekuri shtetformuese, mentalitet rajaje apo ndikim i shteteve të rrezikut të vitit 1914, të cilët përpiqen ta bëjnë popullin shqiptar dhe kombin shqiptar të mos kuptojë se Serbia dhe Greqia vazhdojnë të jenë sot e kësaj dite kërcënim integriteti territorial nga toka dhe nga deti për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar edhe në vitin 2021?/DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat