Ja pse s’kishte vullnetarë shqiptarë në Luftën e Çanakkales

Opinione

Ja pse s’kishte vullnetarë shqiptarë në Luftën e Çanakkales

Nga: Driton Tali Më: 9 prill 2021 Në ora: 16:27
Driton Tali

Paraprakisht duhet thënë se nuk ka asnjë dokument që e dëshmon shkuarjen "masive" apo grupore të vullnetarëve shqiptarë në këtë luftë. E individualisht të ecën (me karrocë ose kalurohen) rreth 1000 km në atë kohë ishte "mision i pamundur" për shkak të rrethanave që kanë imponuar logjistikë të veçantë (sigurim, ushqim, veshmbathje, pushim etj).

Ndonëse ka dëshmi të panumërta për prezencën e luftarëve shqiptarë atje.

Prandaj përfundimi logjik është se ata shqiptarë ishin të shpërngulurit (qofshin muhaxherët e vitit 1877-78 apo ata të më vonshmit, deri te Luftërat Ballkanike) dhe ushtarë (askerë - nizam) të rastit të ngelur gjithandej Perandorisë.

Për ta ilustruar se pse nuk kishte vullnetarë shqiptarë më duhet t'i ceki disa të dhëna historike sepse po e shohë që shumë komentues nuk janë familiar me ambientin mbizotrues gjatë "Luftës së Madhe" (L1B atëhere quhej "Lufta e Madhe" apo edhe "Lufta për t'i dhënë fund të gjitha luftërave").

Siç dihet L1B fillon me 28 qershor 1914.

Me 31 tetor 1914 Perandoria Osmane futet zyrtarisht në L1B.

Lufta e Çanakkales fillon me 17 shkurt të vitit 1915 dhe zgjatë deri (zyrtarisht) me 9 janar të vitit 1916. D.m.th., ajo zgjati 10 muaj, 3 javë e 2 ditë.

Por, betejat kryesore zhvillohen deri ka fundi i shtatorit (1915), sepse me 21 tetor të vitit 1915 hapet "Fronti I Selanikut", ku forcat aleate (Britania e Franca) i tërheqin shumë divizione nga Çanakkale. D.m.th., e pranojnë dështimin - humbjen.

Gjersa, Bullgaria në L1B futet pas më shumë se një viti, me 14 tetor 1915. Deri atëhere ajo ishte në negociata me Britaninë dhe Francën ku si shpërblim për kyçjen e saj në anën e tyre ju kërkonte tokat e saj të humbura në Luftërat Ballkanike te Serbia (me theks të veçantë Maqedoninë Lindore) por për shkak se ato e refuzuan e nga ana tjetër Kaizeri (Gjermania) ju premtoi se nëse fitojnë Bullgaria do të përfitojë shumë më shumë se aq, ajo ju bashkua "Fuqive të Boshtit".

Ndërkohë, nga ana tjetër, pasi që Austrohungaria fillon ta bombardojë Beogradin nga qyteti Zemun, i tërë establishmenti serb (Kuvendi, qeveria, komanda ushtarake...) por edhe qytetarët e rëndësishëm (intelektualët, ekspertët e ndryshëm) tërhiqen në Nish, u mor vesh për qështje sigurie.

Kështu që, nga nëntori i vitit 1914, Nishi është kryeqendra e Serbisë, dhe shteti serb koncetrohet në të ashtuquajturën "Serbia e Vjetër" (Stara Srbija), dotëthotë Kosova dhe Maqedonia ishin epiqendra e shtetit serb nga nentori i vitit 1914.

Kështu është për mëse një vit, derisa nuk fillon "Ofanziva e Kosovës", kur forcat bullgaro - austriake i mposhtin ato serbo - malazeze. Kjo ofanzivë zhvillohet nga 10 nëntori i vitit 1915 deri me 4 dhjetor të vitit 1915. Nga kjo kohë forcat serbe ikin në Korfu nëpërmes Shqiprisë.

D.m.th., deri sa betejat kryesore zhvilloheshin në Çanakkale (për çka njihet Çanakkale) Serbinë e kemi pasur "këmbëkryq" në Kosovë e Maqedoni, dhe Bullgarinë në negociata me "Fuqitë Aleate".

Tashti, shtrohet pyetja: sa logjike ka qenë për Serbinë që t'i lejojë shqiptarët për t'iu bashkuar ushtrisë armike të saj, kur ajo vet ka mundur t'i mobilizoi me forcë ashtu siç ka bërë përhere?!

Dhe, pyetja tjetër: sa logjike ka qenë që Bullgaria t'i lejojë ata në grupe të organizuara të kalojnë nëpër territorin e saj me çka kishte për t'i vërë në rrezik negociatat e saja për hiçgjë?!

E shkuarja nëpërmes Greqisë është krejt e pakuptimtë.

Për mos ta përmend faktin se në këto territore kishte shumë vite që luftohej për çka edhe "rezursi mashkullor" shqiptarë ishte paksuar dukshëm dhe se ato luftëra kishin sjellë shumë telashe ekonomike duke e llogaritur edhe urinë.

E pra, pyetja e radhës do të ishte: sa logjike është që në këtë lloj ambienti (të pushtuar, humbje të familiarëve, varfëri, uri etj) të lihen familjet e tyre të varfëra në "gojë të ujkut" për të shkuar në xhihad?!

Kjo pos që është jo logjike është edhe anti-islame! Sepse "xhihadi i vogël" (Asghar) myslimanin e obligon sëpari ta ruaj familjen e vet - të luftojë për pragun e shtëpisë tij, e pastaj t'iu shkojë në ndihmë nëse mundet myslimanëve të rrezikuar kudoqofshin.

Gjersa "xhihadi i madh" (Akbar) s'ka të bëjë asgjë me luftërat.

Prandaj edhe nuk ka dokumente që e vërtetojnë shkuarjen e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Çanakkales në masë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat