Pse u ndalua nga pushteti i Hashim Thaçit, emisioni “Në kërkim me Editen”?

Opinione

Pse u ndalua nga pushteti i Hashim Thaçit, emisioni “Në kërkim me Editen”?

Nga: Lirim Gashi Më: 10 prill 2021 Në ora: 18:46
Lirim Gashi

Emisioni "Në kërkim me Editen", që është emituar në RTK nga viti 2011 deri në vitin 2013, i ka trajtuar në mënyrë shumë profesionale, etike dhe morale viktimat e dhunës në familje, përfshirë këtu edhe konfliktet e pazgjidhura, dhunën ndaj nënave dhe fëmijëve, trafikimet dhe vrasjet, si dhe dhunimin e femrave shqiptare nga bishat barbare serbe gjatë luftës.

Autore, producente dhe moderatore e këtij emisioni ishte zonja Edita Curri.

Falë angazhimit të saj të pashoq dhe falë angazhimit të pashoq të safit të saj përcjellës profesional, shumë enigma janë zgjidhur, shumë vrasje janë zbardhur dhe shumë nëna janë bashkuar sërish me femijet e tyre, me të cilët jetojnë të lumtur edhe sot e asaj dite.

Çuditërisht në momentin që Edita dhe Stafi i saj e ngritën zërin në Kuvendin e Kosovës për aprovimin e ligjit për "mbrojtjen e femrave të dhunuara në luftë dhe kërkimin e drejtësisë dhe dëmshpërblimit", emisioni i saj u bë i padëshiruar për pushtetin e Hashim Thaçit.

Dhe jo vetëm kaq, por ligji nuk kaloi në Kuvend, sepse 82 deputetë shqiptarë votuan kundër. 

Mirëpo Edita prapëseprapë nuk u ndal së insistuari që drejtësia ta marrë epilogun e duhur ligjor në Kuvend, prandaj në emisionin e saj e ftoi jo vetëm veprimtaren për të drejtat e njeriut dhe dëshmitaren e Tribunali të Hagës kundër dhunës serbe në Kosovë Nazlije Balen, por edhe deputeten e Pdk-së Flora Brovinen, e cila asokohe e trajtonte veçanërisht dhunën seksuale ndaj femrave shqiptare në luftë.

Çuditërisht Flora Brovina në momentin e fundit e anuloi pjesëmarrjen e saj në emision, pa ndonjë sqarim të arsyeshëm dhe logjikshëm.

Dhe sikur të mos mjaftonte ky veprim i çuditshëm i Flora Brovines, ndaj Nazlije Bales u ushtrua dhunë fizike menjëherë pas emisionit. 

Për mua është më së e qartë se dikujt në pushtet i pengoi asokohe debati rreth kësaj tabu-teme të lënë më së shumti anash nga politika.

Se kujt ka mundur t'i pengojë kaq shumë tabu-tema "dhunimi i femrave shqiptare në luftë nga militaret dhe paramilitaret serb" nuk do shumë mend.

Megjithatë një temë kaq e ndjeshme, që u bë në afat rekord e padëshiruar për pushtetin e Hashim Thaçit dhe për dorën e tij e zgjatur në RTK që personifikohej nga drejtuesit e menaxhmentit Dr. Mentor Shala dhe Mefail Limani, do gjithsesi analizë dhe sqarim të detajuar. 

Sepse këta dy të fundit ishin zbatues të përpiktë të urdhërit për ndalesë, që u erdhi atyre pikërisht nga ata që krekoseshin më së shumti, se e kanë çliruar Kosovën nga bishat e armatosura serbe, në manirin e Supermenave, thua se NATO tërë kohën ka qenë spektatore e heroizmit të Hashim Thaçit, në Teatrin tonë Politik Kombëtar. 

Dhe pasi që nuk mjafton vetëm një analizë e zakonshme  gazetareske, ky vendim duhet të marrë patjetër edhe epilog politik, juridik, etik dhe moral. 

Sepse vetë fakti që emisioni i saj është ndërprerë pa asnjë sqarim dhe arsyetim logjik nga pushteti i  Hashim Thaçit, respektivisht nga rojet e mjegullës së tij që ishin pa dyshim individët dr. Mentor Shala dhe Mefail Limani, është një dëshmi e gjallë që asokohe ekzistonte një mos-përputhshmëri e paparë, ndërmjet interesave të viktimave, publikut, kombit e shtetit dhe atyre të pushtetit, respektivisht bastionit të tij me emrin RTK.

Dhe sikur të mos mjaftonte ky debakel i arsyes njerëzore, kombëtare, profesionale, etike dhe morale, autorja dhe producentja e emisionit Edita Curri u kërcënua direkt nga pushteti i Hashim Thaçit së bashku me fëmijët e saj, prandaj u detyrua për ta braktisur Kosovën.

Në fakt, sa herë që Edita e fillonte emisionin me përshëndetjen "Mirëmbrëma", në dyert e banesës së saj binte zilja dhe dikush e linte gjithmonë para derës një letër kërcënuese me fjalët : "Nuk ke për t'i parë kurrë më fëmijët tuaj".

Këto kërcënime të njëpasnjëshme aq shumë e traumatizonin vajzen e saj, saqë e fikte menjëherë televizorin duke qajtur dhe duke bërtitur "Nuk dua që mami im të punojë në televizion, dua ta kem në shtëpi si shoqja ime Blerta mamin e saj". 

Ja një pjesë nga emisioni "Në kërkim me Editen" :

https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=aKsjRD2T1S0&feature=youtu.be

I indinjuar thellësisht nga një vendim i tillë i paarsyeshëm, i palogjikshëm, anti profesional, anti etik, anti moral, anti njerëzor, anti kombëtar dhe anti shtetëror, nuk më mbetet asnjë zgjidhje tjetër përpos që të apeloj te organet përkatëse shtetërore dhe juridike, jo vetëm për ta rishqyrtuar vendimin e lartpërshkruar, por edhe për ta korrigjuar.

Këtij apeli po ia bashkangjes edhe një sondazh për publikun i cili e përmban vetëm një pyetje të vetme.

A duhet të rikthehet ky emision i ndaluar në mënyrë kaq të turpshme në repertoarin e programit të RTK-së?

PO:

JO:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat