Bëni kritika, por ndaloni sulmet ndaj ndryshimit të madh në Kosovë!

Opinione

Bëni kritika, por ndaloni sulmet ndaj ndryshimit të madh në Kosovë!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 12 prill 2021 Në ora: 13:13
Mbledhja e kabinetit qeveritar gjatë vikendit të kaluar

Është traditë e shqiptarëve që pasardhësve t'u jepet kohë e mundësi ta dëshmojnë veten në drejtimin dhe menaxhimin e tyre. Është gjithashtu traditë e vendeve demokratike që qeverisë pasardhëse t'i jepet mundësia të dëshmojë lidership në një kohë të caktuar. Koha dhe hapësira janë dy elementët themelorë që përcaktojnë ligjet filozofike. Kjo nuk do të thotë që opozita, shoqëria civile, media të mos bëjnë kritika apo rekomandime dhe sugjerime që shkojnë në dobi të qeverisjes së radhës. Por të kuptohemi, sulmet janë të papranueshme.

Në rastin e qeverisë Kurti dhe të presidentes Osmani, ky përcaktim filozofik e tradicional shqiptar në të shkuarën dhe demokratik në të sotmen nuk vlen. Sepse ende pa filluar punën janë ngritur dhe sulmojnë kundër tyre në kor forcat e errëta të dështimit të qeverisjes dhe për pasojë po dëshmojnë se këta politikanë nuk njohin as traditën, as rregullin e një shoqërie demokratike. Goditjet ndaj qeverisë dhe presidentes po vijnë çdo ditë nga opozita e Prishtinës, nga qeveria dhe presidenti i Serbisë dhe nga mediet dhe qeveria e Shqipërisë. Automatikisht Edi Rama dhe të tijët e kanë renditur në këtë rast veten me politikanët e dështuar të Kosovës dhe të gjithë politikanët shqiptarë anti-Vjosë e anti-Albin dhe me dashje ose pa dashje ata janë rreshtuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Kur Edi Rama nisi punën si kryeministër në vitin 2013 gjeti një opozitë të përgjegjshme, e cila e thoshte hapur se "duhet t'i lemë kohë qeverisë të dëshmojë përkushtimin e saj për realizimin e premtimeve dhe më pas të reagojmë e të flasim"! Edhe në Kosovë ka ndodhur e njëjta skemë, pavarësisht qëndrimeve ekstreme të opozitës në kohën e pikut të qeverisjeve të mëparshme. Albin Kurti luftoi me shumë forcë që të mos shkohej në rrëzimin e qeverisë së tij të parë për t'u zëvendësuar nga qeveria tjetër jolegjitime e zotit Hoti. Por pas formimit të kësaj qeverie ai nuk reagoi aq dhunshëm sa reagon sot opozita në Kosovë. Thjesht iu drejtua gjykatës kushtetuese.

Ndërsa në rastin e zotit Kurti duket se janë bërë bashkë Partia Demokratike e Hashim Thaçit, drejtuar nga zoti Hoxhaj, AAK e zotit Haradinaj, segmenti konservator e destruktiv i LDK-së me Isa Mustafën në krye, partia dhe servilët e Edi Ramës në Tiranë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ambasadori i tij në Uashington, Gjuriq, Lista Srpska e Kosovës etj. Kori i kritikave ende pa nisur punën qeveria dhe presidentja duket se ka një dirigjent. Ka edhe një regjisor dhe një skenarist. Aktorët që luajnë në skenën anti-qeveri dhe anti-presidente janë shqiptarë e serbë të bërë bashkë. Kjo le një shije shumë të hidhur, sepse lexohet edhe si përpjekje për ta detyruar qeverinë e re të bëjë kompromise anti-shqiptare me Listën Srpska, çka do të thotë me Beogradin, me qëllim që "të gjithë të bëhen njësoj"!

Sulmet ndaj Albin Kurtit po lidhen më së shumti me atë që kundërshtarët e konsiderojnë si "autoritarizëm". Ndërkaq kanë harruar se vetë ishin autoritarë deri në atë masë sa të merrnin vendime antikushtetuese, të cilat vinin në diskutim integritetin territorial të vendit. Harrojnë se autoritarizmi i Ramës, Thaçit, PDK-së dhe AAK-së krijoi oligarkinë dhe oligarkët në të dy shtetet tona shqiptare, të cilët sponsorizojnë luftën e të mundurve me mullinjtë e erës! Harrojnë se oligarkët financiarë në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Kosovën e Hashim Thaçit emëruan bordet. Shkretuan kompanitë publike për t'ua grabitur pronat. Sollën nepotizmin si garanci e marrëdhënieve të dyshimta midis politikës dhe sipërmarrësve oligarkë.

Modeli autokratik i qeverisjes së Ramës në Shqipëri dhe Thaçit e thaçistëve në Kosovë ishte e mbetet një model jo vetëm autokratësh, por edhe i llojit më të paskrupullt të qeverisjes së korruptuar. Për këtë arsye qeveria Kurti po përgatit ligjin anti-korrupsion, me të cilin politikanët duhet të kalojnë në Vetting dhe të sqarojnë si i kanë vënë pasuritë e tyre marramendëse, si dhe të justifikojnë burimin e të ardhurave për këto pasuri. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri pas 25 prillit. Janë pikërisht këto masa që nxisin politikën e vjetër e të dështuar të sulmojë ashpër qeverinë ende pa nisur punën. Gjithçka synon që të dobësohet autoriteti i saj në Prishtinë e nesër kësisoj do të ndodhë edhe me qeverinë e ardhshme në Shqipëri.

Është vështirë që politika e korruptuar dhe e pasuruar me korrupsion të heqë dorë nga privilegjet e saj. Për pasojë nuk mund të pritet që ajo të jetë konstruktive, kritike dhe e matur në sulmet e saj kundër politikës që sjell në pushtet ndryshimi me votën e sovranit. Kjo është dhe mbetet një nga arsyet kryesore për të sjellë ndryshimin edhe në Shqipëri e bashkë me ndryshimin edhe normalitetin politik, që i hap rrugë integrimeve europiane dhe prosperitetit të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat