Teoria e të vepruarit komunikativ

Opinione

Teoria e të vepruarit komunikativ

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 13 prill 2021 Në ora: 12:30
Zejnullah Jakupi

Në këtë vepër bouar në vitin 1981 filozofi dhe sociologu gjerman Jürgen Habermas punoi për rreth 10 vitesh rrjesht.Në të ai trajton fenomenin e komunikimit dhe shoqërisë, ku ai ai i qaset asaj nga një perspektivë gjuhësore, duke e përshkruar atë si një rrjetë të veprimeve komunikative. Njerëzit, sipas Habermas, duhet t´i koordinojnë veprimet e tyre me të tjerët. Kjo është ajo çfarë duhet arritur përmes komunikimit. Ky komunikim duhet të jetë një komunikim ndërnjerëzor, një komunikim më i mirë, mirëkuptues për të mundur të zgjidhim problemet e përditshme njerëzore. Duke u bazuar në shkencëtarët amerikanë ai trajton se cilat janë përbërësit e këtij komunikimi të përditshëm. Në epiqendër të trajtimit qëndrojnë të ashtuquajturit ´Sprechakte´, (aktet e të folurit), veprimet gjuhësore në të cilat ne përshkruajmë, supozojmë, shpjegojmë ose përpiqemi të ndikojmë në veprimet e të tjerëve, ku bëjnë pjesë opusi i vrejtjeve, udhëzimeve (komandimit, apelit).

Sipas Habermas edhe aktet joverbale janë të rëndësishme të cilat nuk mund t´i shprehim përmes ngritjes së tonit, zërimit gjatë të folurit, apo gjuhës së trupit - gjestikës dhe mimikës. Kjo do të thotë se në komunikimin ndërnjerëzor ka rëndësi se si sillemi gjatë të folurit, nëse ngrisim zërin apo shtrëngojmë grushtin. Si do ndihet ana tjetër kur i biem tavolinës me grusht gjatë të folurit, apo si do kuptohemi nëse rrijmë të qetë dhe buzëqeshim dhe flasim but e ngadalë, në mënyrë të relaksuar?

Përmes këtyre akteve, verbale dhe jo verbale, thotë Habermas, ne e ndërtojmë jetën tonë të përditshme (Lebenswelt) dhe kjo terësi përbën një rrjet të cilin ai i quan ´veprime komunikative´ose thënë ndryshe e identifikon këtë rrjet komunikimi me shoqërinë.

Një shoqëri e drejtë dhe e barabartë është ajo shoqëri e cila i mundëson secili njeri të mund t´i shpreh këto veprime, verbale dhe jo verbale në mënyrë të barabartë me të tjerët.Etika e diskursit, sipas Habermas, i formulon rregullat se si duhet të zhvillohet ky diskurs? Komunikimi në shoqëri sipas tij duhet të jetë i atillë në mënyrë që rezultati përfundimtar të jetë i drejtë dhe i mirë për nga morali. Etika e diskursit është një procedurë e cila, sipas tij, ne nuk kemi një masë përcaktuese se çfarë është ajo e mirë apo e keqe për të gjithë njerëzit, sepse në debate kemi mendime të ndryshme të cilat mund të argumentohen dhe të arsyetohen në mënyra të ndryshme. Për këtë, as filozofia si instancë elitare nuk mund të tregojë, se çfarë është morale e çfare nuk është dhe se cila është një gjë e mirë apo e keqe? Gjithashtu, qartësimi se kur është një diksurs real dhe etik është bërë gjithnjë i vështirë, sepse tanimë shoqëritë moderne gjithnjë më shumë po ballafaqohen me komercializim të pushtetit medial dhe po shtohet koncentrimi i pushtetit në bërjen e opinioneve.

Me ketë rast ndeshemi me nocionin e moralitetit. Habermas e shpjegon se moraliteti nuk duhet të ishte një përcaktim i cili duhet të vlej për të gjithë, por tu lihet në dispozicion secilit të cilët janë të prekur ose e ndiejnë nevojnë e argumentimit të tillë moralist që ta bëjnë këtë. Ky ballafaqim duhet të ndodh në një diskurs. Në diskurs do të duhej të diskutohej në përmasa të gjera, pra, duke dhënë secili argumentin e tij se si duam ta shohim një fenomen, ngjarje etj, se si duhet t´i vlerësojmë akterët, pjesmarrësit e saj? Kjo formë e komunikimit natyrisht është demokratike dhe nuk duhet të marrë format e nxitjes për hakmarrje pse të thuhet pastaj se X apo Y e thotë këtë mendim apo një mendim tjetër. Që gjërat të vihen në vendin e vet, duhet gjithsesi që diskursi të udhëheqet nga argumentet e arsyeshme prej nga vjen edhe emërtimi ´etika e diskursit´.

Detyra e filozofisë në ketë mes, sipas Habermas, do të ishte për të vendosur rregulla se si duhet të zhvillohet ky diskurs. Dhe për çdo temë, fenomen, çështje ose ligj që do të miratohej, duhet të zhvillohet ai në publik me argumente të arsyeshme për të ardhur në një përfundim – vlerësim ose vendim të përbashkët, siç veprohet në kampanjat e debateve me rastin e miratimit të një ligji, ose në raste kur kemi një memorandum popullor për një çështje të caktuar. Kjo metodë diskursive mund të zbatohet, jo vetëm në opinionin publik, por edhe në rreth më të ngushtë, siç është ai privat - në amvisri- kur duhet të vendoset se kush do të bëjë punët e shtëpisë e kush do të bëjë blerjen e gjërave ushqimore etj? Të gjitha këto pyetje dhe vendime duhet të sqarohen së pari në diskurse dhe pastaj të zbatohet vendimi. Por, si mund të krijohet diskursi etik kur opinioni manipulohet ose kur qytetarët nuk informohen si duhet, në mënyrë profesionale?, pyetje të cilën Habermas më pak e ka trajtuar në punimet e tija.

Primare sipas Habermas është se në debat duhet të jenë të gjithë pjesëmarrësit të barabartë, dhe të guxojnë ta thonë fjalën e tyre. Nuk duhet të ketë bllokues, linçues, ´kërcënues´ ata që e vejnë në pikëpyetje argumentimin e palës diskutuese, për çështjet debatuese. Ideja e Habermasit është se nuk duhet të ketë frikësim të atyre që mendojnë ndryshe, por as nuk duhej që të shpallen ata si fajtor, si armiq, pse ata po mendojnë kështu apo ashtu. Secila palë duhet t´i kuptojë dhe t´i marrë seriozisht mendimet e palës tjetër dhe të jetë në gjendje të vetëbindet për këto argumente, pra, ta bëjë këtë pa trysni dhe pa dhunë. Ideja është se si të fitohet diskursi pa improvizime dhe pa trysni, në të cilën fiton argumenti më i mirë, përmes një konsensusi? Për të arritur tek një moralitet i caktuar duhet të jetë e mundur që të gjithë të jenë të pajtimit - ose shumica e pjesëmarrësve në diskurs- në mënyrë që një diçka e tillë të ketë bazën morale të legjitimuar, pra, duhet të këtë një debat të gjerë shoqëror.

Pra, hipotetikisht po themi nëse do të kishte një pajtim të të gjithëve në debat atëhërë do ishte një gjë e mirë dhe moraliste dhe kjo arrihet kur kemi një konsens shoqëror mbi një çështje të caktuar. Një diskurs jo i moralshëm do të ishte në këtë rast kur nuk arrihet një pajtim i tillë, dhe e kundërta do ishte kur mes palëve biseduese ka një diskurs të mirëfilltë kur dy palët e barabarta do të mund t´i thonin argumentet e tyre. Ky është ai momenti kur dy palët do binin dakord ose do e pranonin një marrëveshje të arritur. Respektimi i këtyre rregullave të diskursit do të thotë se në fund mund të vijmë në një rezulat i cili është i mirë për të gjithë dhe kur marrëveshja ose pajtimi bëhet, atëherë ai bëhet një veprim i mirë moralist.

Pyetja të cilën e shtron Habermas si një kritikë e kësaj teorie, është se a mund të vihet në jetë ky diskurs ashtu që të gjithë të jenë të kënaqur? A mund vallë që të gjithë ata që vendosin për një çështje mund të ulen në një tavolinë, ose të marrin pjesë në një debat, apo edhe të pranojnë t´i respektojnë rregullat e parapara. Habermas thotë se etika e diskursit është kontrafaktike, ajo nuk përshkruan çështjen se si janë, por si duhet të jenë? Dhe, për ketë, kjo teori shquhet për nga pikëpamja normative. Habermas rekomandon duke thën se edhe nëse nuk arrihet konsensuzi, nëse nuk arrijmë tek vlerësimi përfundimtar ose nëse nuk arrihet ky diskurs në formën e duhur, gjithsesi nuk duhet të hequr dorë nga ai. Me këtë rast do ja vlente të kemi shpresë dhe të përpiqemi të arrijmë atë, që të angazhohemi,do të ishte sukses edhe nëse nuk e arrijmë asnjëherë këtë nivel, prandaj jo pa shkas Habermas do t´i jep konotacionin e një ´diskursi fiktiv´.

Mesazhi i Habermasit për fund do ishte; duhet të jetë parasëgjitash vullneti ynë i mirë për të komunikuar me njeri-tjetrin, dhe kjo do të thotë jo vetëm për ta kuptuar njeri- tjerin, por duhet gjithashtu të tregojmë respekt dhe tolerancë dhe empati ndaj njeri-tjetrit, shkurt: duhet ta duam dhe ta respektojmë njeriun, qenien humane dhe dinjitetin e të të gjithëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat