Pse kaq shumë mllef nëpër biseda e “debate”?

Opinione

Pse kaq shumë mllef nëpër biseda e “debate”?

Nga: Driton Gashi Më: 14 prill 2021 Në ora: 17:33
Driton Gashi

“Unë e di që nuk di asgjë”, pohohet të ketë thënë fiolozofi i Greqisë së Vjetër Sokrati. E keni dëgjuar si thënie? Më pëlqen shumë. Ndoshta duhet t'a mësojnë së pari ata të cilët „urtësinë e kanë ngrënë me lugë“, ata që pretendojnë se i dijnë të gjitha. Për çdo temë të kësaj bote vetëshpallen si ekspertë, analistë e opinionistë. Në thonjëza natyrisht. Sa e ulët! Çfarë mbivlerësimi i vehtes dhe njohurive të tyre! Çfarë mbidoze të narcizmit e të vetekspozimit kanë! Bile nganjëherë edhe të krekosur, prepotentë, arrogantë e agresivë! Përçarës!

Mua do më vinte turp të dal çdo natë në televizion e të flas për tema që nuk i njoh sa duhet ose fare.

Ku i kemi lënë rregullat elementare të mirësjelles?

Si duket janë bërë demode.

Më kujtohet si i vogël, kur nëpër oda tradicionale ka patur më shumë rregull dhe më shumë kulturë bisedimi e respekti ndaj njëri-tjetrit se tani nëpër televizione dhe rrjete sociale, të cilat shpesh shndërrohen edhe në asociale. Me përjashtime natyrisht, nuk dua të përgjithësoj. Është folur me rend, me zë të ulët, është respektuar hierarkia e biseduesve. I është dhënë fjala secilit, nuk ka patur sharje, ofendime, vulgaritete, urrejtje, ngritje zëri, shpifje, kërcënime apo përleshje fizike. Njerëzit kanë dashur njëri-tjetrin, kanë qenë të afërt, më solidarë. Kanë kënduar së bashku e kanë luajtur lojëra tradicionale.

E tash? Në kohën “moderne”?

Mundohemi sytë t'ja nxjerrim njëri-tjetrit, t'ja hedhim poshtë mendimin menjëherë, pa patur argumente të duhura. Me të dëgjuar e bëjmë ne këtë punë. E postoi filani në facebook, duhet të mjafton si burim. Më tha njëri në kafehane. Ai i din gjërat! Aha! E marrin guximin të flasin, të interpretojnë e komentojnë për tema, mbi të cilat nuk kanë lexuar kurrë asnjë fjalë e asnjë fjali, lëre më një libër të tërë!

Mundësitë bashkëkohore të komunikimit janë parimisht të arritura pozitive, por ato duhet përdorur drejt, me masë, duke mos kaluar kufirin, ku mendimi i lirë mund të shprehet, ku tjetri mund të kundërshtohet, por gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen e dinjitetit njerëzor të të tjetrit. Duket se akoma nuk jemi mësuar t'a lëmë një mendim ashtu si është shfaqur nga dikush tjetër, pa u munduar t'a bindim, se pikëpamja jonë është ajo e „vërteta“. Pa imponime. Ndoshta na duhet më shumë kohë për t'u mësuar me rregullat e lojës demokratike.

Mllefi dhe urrejta nuk do n'a bëjnë mirë. Në asnjë aspekt.

Sidoqoftë, kemi më shumë nevojë për dashuri.

Për më shumë respekt ndaj njëri-tjetrit.

Për gjëra të bukura.

Poezi.

Këngë.

Art.

Lule.

Shëtitje.

Një gotë verë Rahoveci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat