Rexhep Lika, imami që meriton respektin dhe nderimin më të lartë

Opinione

Rexhep Lika, imami që meriton respektin dhe nderimin më të lartë

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 15 prill 2021 Në ora: 09:54
Gjekë Gjonaj

Vëllai im imami tashmë në pension Rexhep Lika, 81 vjeç, është një person shumë i respektuar jo vetëm në Ulqin e Malësi, ku ka shërbyer si imam e kryeimam pothuaj tërë jetën e tij, duke predikuar fenë islame, duke pajtuar njerëz e duke ndërtuar ura të reja komunikimi e bashkëpunimi , por edhe kudo në treva tjera shqiptare. Ai është një njeri i ditur dhe i aftë për komunikim. Është tolerant në diskutim, njohës i mirë i dijeve që burojnë nga Kurani i madhërishëm. Është hoxhë që gëzon autorit nga brezi i vjetër, i mesëm dhe i ri. Ai është i afërt, i dashur me njerëzit e të gjitha komuniteteve, i qeshur dhe në shërbim të përhershëm të fesë. Të gjitha këto vlera njerëzore e fetare që i theksova për këtë njeri të dashur dhe të nderuar i kam dëgjuar nga popullata e Malësisë dhe e Ulqinit.

xhaminë e Tuzit erdhi të punojë në moshën 25 vjeçare pasi mbaroi medresenë “Alauddin” në Prishtinë dhe dy viteve punë në xhaminë e Hysein-pashës në Plevla. Malësia për imamin e ri nga fshati Rashtishë i Komunës së Ulqinit ishte vend i panjohur. Mirëpo, edhe pse në një mjedis të ri me një mentalitet krejtësisht tjetër nga ai që ishte rritur dhe edukuar, falë mirësisë, thjeshtësisë, butësisë, sinqeritetit dhe sjelljeve të tij shembullore, jo vetëm se ambientohet por edhe hynë në zemrat e malësorëve të besimit myslimanë dhe katolikë. Malësorët e kanë pranuar atë si djalin e vetë, kurse ai i ka pranuar ata si vëllezërit e tij. Hoxha i ri, por i ditur e i dashur bashkëpunon ngushtë me prijësit fetarë në Kishën e Tuzit. Vendos ura të ngushta komunikimi e bashkëpunimi fillimisht me Patër Gjergjin, fratin e Kishës së Tuzit e pastaj edhe me patër Dedën, priftin e Grudës e meshtarët e tjerë në Malësi. Shoqërohet me ta vazhdimisht. Sidomos me patër Gjergjin ka qenë i pandarë. Kudo kanë shkuar bashkë. tubime të ndryshme. Në dasma, gëzime e vdekje. festa fetare, nëpër fshatra fushore e malore të Malësisë, por kanë ndenjur shpesh së bashku edhe në kafene. Po përmendim një rast për të cilin është folur gjatë kohë në Malësi. Derisa ishin ulur për të pirë kafe së bashku imami Rexhep dhe patër Gjergji një malësor u afrohet dhe u drejtohet si me provokim: “ Po çka dreqin ashtë kjo punë djalë? Ju rrini e pini kafe bashkë e na duem m’u hagër njani me tjetrin ! “ Të urtit pinë kafe bashkë, kurse budallenjtë rrihen mes veti- iu përgjigj me urtësi patër Gjergji”. Këta të dy prijës fetarë vërtetë kanë qenë shembull model i tolerancës dhe harmonisë fetare mes shqiptarëve. Rexhep Lika ka qenë hoxha i parë në Malësi i cili ka shkua në Kishën e Tuzit dhe të Grudës. Deri atëherë hoxhët nuk kanë shkuar në kishë. Me këtë veprim të tij ai theu akullin dhe paragjykimin tek popullata vendase se hoxha nuk duhet të shkojë në kishë. Rasti i parë ka ndodhur në kohën kur Ambasadori i Selisë së Shenjtë ka vizituar Kishën e Tuzit. Një malësore kur e shikon hoxhën Rexhep se ka hyrë në kishë pëshpëriti me zë: Na nimo o Zot! Edhe hoxha na ka ardhë në kishë!? Rasti tjetër ka të bëjë me pjesëmarrjen e tij në Kishën e Grudës , me rastin e festës së Zojës së Grudës, si mysafirë i ftuar nga patër Deda. Këtë pritje, respekt e nderim, që i është bërë atij atë ditë nga patër Deda dhe miqtë e tij të ftuar të tjerë të të dy besimeve imami Rexhep Lika e ka përmendur kudo që i është dhënë rasti.

Rexhep Lika aq ka qenë i dashur dhe i respektuar saqë e kanë ftuar në shtëpi familjet më të njohura të kohës në Malësi pa dallim feje. Në çdo familje malësore ka qenë i mirëseardhur dhe i mirëpritur. Pa prezencën e tij dhe të patër Gjergjit nuk ka pasur kënaqësi ( lezet) ndeja e as bashkimi, thonë në Malësi . Ata u kanë dhënë vlerën tubimeve. Pa ta është ndjerë një mungesë e madhe në shoqëri.

Image

Dëshira e tij ishte që të gjithë të kujdesemi maksimalisht që ta ruajmë respektin reciprok fetar, gjë të cilën edhe e arriti. Gjithmonë është shprehur se ç’do kënd Zoti e ka lënë të lirë të besojë ose jo dhe se zgjedhja e vetë individit i jep përgjegjësi tek Zoti. Ai kurrë nuk e ka urryer një person nëse nuk është mysliman. “Secili fenë e ka për vete. Është shumë mirë ku ka harmoni midis besimtarëve pavarësisht cilit besim i përkasin”, më thoshte Rexhepi.

Përveç detyrave kryesore në xhami dhe disa shërbime të tjera fetare, tradicionale, ai gjatë dy dekadave të punës dhe veprimtarisë së tij shumë të suksesshme në Tuz ishte individ me ndikim shumë të madh në Besëlidhjen e Malësisë, e cila u zhvillua më 28 qershor 1970. Me predikimet e tij në xhami ndikoi në ndërgjegjësimin e malësorëve të besimit islamë që të lidhin Besën për të ndaluar njëherë e përgjithmonë gjakmarrjen, këtë fenomen të zi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Jo vetëm kaq, por ai ishte pjesëmarrës i Kuvendit të Burrave , i cili solli këtë vendim historik, i cili sot vlerësohet si një ngjarje e rëndësishme në historinë bashkëkohore të shqiptarëve në Mal të Zi.

Kontribut të rëndësishëm në aspektin kombëtar ai ka dhënë edhe në periudhën e vështirë të regjimit komunist në shpjegimin e vëllezërve tanë të besimit myslimanë që të mos e ngatërrojnë fenë me kombin. Ai gjatë fushatës së regjistrimit të popullsisë, që kishte organizuar shteti jugosllav, arriti t’i bind besimtarët e vet, që mos të bien viktimë e propagandës shtetërore se të gjithë besimtarët e fesë islame duhet të deklarohen si komb myslimanë. S’do të harrohen kurrë fjalët e shenjta të imamit Rexhep Likës drejtuar besimtarëve të vet: “Shqiptarët nuk kanë nevojë të mohojnë kombin e vet, për shkak se i takojnë besimit islamë. Ne jemi të besimit myslimanë dhe duhet ta ruajmë fenë tonë. Por duhet ta dimë se jemi shqiptarë dhe ashtu duhet gjithmonë të deklarohemi. Shqiptarë kemi lindur dhe shqiptarë do të vdesim. Ne duhet t’i themi bukës bukë, e jo ndryshe”.

Në të gjitha të gjitha trevat shqiptare ky imam që drejtoi lutjet e besimtarëve në xhami ka lënë gjurmë të pashlyera dhe do të përmendet për vepra të mira me interes fetar e kombëtar. Si rezultat i gjithë kësaj veprimtari të pasur dhe të suksesshme në shërbim të Zotit dhe të Kombit para pak ditësh, saktësisht më 6 prill të këtij viti, ai u dekorua nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë me titullin “ Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me rastin e 110-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë. Kjo është një mirënjohje më se e merituar për këtë interpretues të denjë të fesë islame, por edhe të një njeriu që u dallua me sjellje të veçantë të moralit dhe kulturës si refleksione dëshmuese këto të imamit dhe nivelit të tij shpirtëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat