Politikë me insinuata arrogante

Opinione

Politikë me insinuata arrogante

Nga: Skender Musliu Më: 15 prill 2021 Në ora: 20:24
Skender Musliu

Menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ende pa u konstitua Kuvendi i Kosovës, Qeveria dhe presidentja, filluan kritikat ndaj LVV-së dhe Listës « Guxo » duke prejudikuar punën e tyre të ardhshme si të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, e në veçanti, ky diskurs u ashpërsua dhe intensifikua pas konstituimit të institucioneve.

Nga partitë opozitare, më të zëshmit janë PDK-ja dhe AAK-ja, të cilat apriori kritikojnë në mënyrë paushalle, me gjuhë denigruese, pa argumente dhe insinuata, duke manipuluar opinionin me rrena.

Pas një « ofanzive » të liderëve të këtyre dy partive, të cilët nuk kursyen fjalorin degradues ndaj institucioneve, tani radhën ua kanë lënë bashkpartiakëve të tyre.

Kështu, ish-deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, për presidenten e Kosovës, Zonjën Vjosa Osmani, thotë se ajo është e sëmurë dhe e pavlerë. Kjo gjuhë e urrejtjes, nënçmimit dhe ofendimit të presidentes është e papranueshme, e turpshme dhe jashtë çdo niveli të kulturës politike, sepse kjo Safete, mund t’a kritikojë presidenten për punën e saj, të mirë apo jo të mirë, por që ajo të merret dhe t’a kualifikojë moralin, karakterin dhe personalitetin e Zonjës Osmani, është e papranueshme dhe e dënueshme me Ligj, me çka prokuroria duhet të merret.

Po ashtu edhe deputeti i PDK-së dhe «profesori universitar», Ardian Kastrati, në mënyrë të paskrupullt ka ofenduar rëndë presidenten e vendit, duke përdorur fjalë seksiste, maçiste dhe boliste. Me këto fjalë denigruese ai ka treguar nivelin e tij primitiv dhe edukatën e ulët, dhe është e papranueshme që një person i tillë, që paguhet nga taksapaguesit, t’i edukojë studentët dhe të ulet në karriken e deputetit, prandaj ky meriton të përjashtohet nga Universiteti dhe t’i merret mandati i deputetit.

Nuk munguan as kritikat nga Ganimete Musliu, e cila kritikoi presidenten, sepse ajo nuk e paska përmendur Hashim Thaçin në fjalimin e saj në përvjetorin e Betejës së Kosharës si dhe në takimin e Zonjës Osmani me ish presidentët e Kosovës, Zotri Sejdiun, Zonjën Jahjaga dhe Zotëri Pacolli. Por, ajo po harron se Zonja Osmani në fjalimin e saj ka përmendur Adem Jasharin dhe luftën e UÇK-së, dhe se presidentja nuk është e obliguar t’i përmend edhe anëtarët e «Shtabit të Rognerit » dhe profiterat e luftës që plaçkitën dhe dëmtuan rëndë shtetin e Kosovës.

Në këtë makineri propaganduese është përfshirë edhe Blerta Deliu – Kodra, e cila në një konferencë për shtyp të PDK-së, me një gjuhë banale etiketoi presidenten, Zonjën Osmani, kritikoi Zotin Kurti dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Zonjën Donika Gërvalla. Ajo po e kritikon politikën e jashtme, mirëpo pikërisht shefi i saj, Hashim Thaçi ishte ai që ndër vite degradoi dhe kidnapoi politikën e jashtme të Kosovës për interesa personale dhe partiake.

Me rastin e fjalimit të Zonjës Gërvalla në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-ës, për çka Zonja Deliu thotë se ajo ditë paska qenë ditë turpi për Kosovën dhe se Zonja Gërvalla paska qenë në një linjë me Serbinë dhe Rusinë, vetëm pse ka thënë se qeverisja e re do t’a luftojë korrupcionin dhe krimin e organizuar. Mirëpo Zonja Deliu nuk po e pranon faktin se vite me radhë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Këshilli i Europës në raportet e tyre vjetore konstatojnë se Kosova është shtet i kapur, i korruptuar dhe ku ka krim të organizuar të profilit të lartë. Të njejtat konstatime i raportojnë edhe shumë OJQ vendore dhe ndërkombëtare.

Prandaj, vetëm në këtë kontekst, Zonja Gërvalla ka premtuar se Qeveria e re do të angazhohet në luftën kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar, sepse ky është kushti i vetëm që bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova për liberalizimin e vizave. Për ndryshe, fjalimi i Zonjës Gërvalla ka qenë shembullor, gjithëpërfshirës i drejtpërdrejtë, gjë që përveç Zonjës Vlora Çitaku, askush nuk e ka bërë më mirë.

Kush i ka faj zonjës Deliu që pikërisht partia e saj, PDK-ja, pjesë e së cilës është ajo që nga fillimi, instaloi nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar të profilit të lartë, kurse tani derdh lot krokodili se dikush tjetër e paska fajin.

Derisa shtetet e botës demokratike urojnë dhe përgëzojnë konstituimin e institucioneve shtetërore të Kosovës duke i ofruar ndihmë dhe bashkëpunim, politikanët tanë kritikojnë pa kurrfarë baze, që për qëllim kanë denigrimin e institucioneve dhe pengimin qeverisjen e mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat