“Eksplodoi balona” e Janez Janshës si lajm i pavërtetë, por që nxiti reagime të ndryshme

Opinione

“Eksplodoi balona” e Janez Janshës si lajm i pavërtetë, por që nxiti reagime të ndryshme

Hafiz Shala - New Nork Nga Hafiz Shala - New Nork Më 17 prill 2021 Në ora: 00:01
Harta që po qarkullon në media

Sipas prioriteteve të Qeverisë Kurti, dialogu ka zënë vendin e katërt, por në një moment të caktuar, urgjentisht mund të dalë edhe para vaksinave Covid-19.

Debatet televizive e mediatike, janë në vlugun më të madh, por që bisedimet sa duken larg, mund të jenë edhe më afër apo, e kundërta.

Qeveria, pretendon së duhet përgatitemi sa më mirë dhe më sa më shumë pjesëmarrës në përgatitjen e draft projektit, i cili duhet ta marrë bekimin e Parlamentit nëse dëshirojmë, anipse është obligim kushtetues që të jemi transparent ndaj qytetarëve, të cilët deri tani, ishin vetëm spektatorë, anipse nuk mund të themi pasivë, por që fjala, idetë dhe sugjerimet e tyre, nuk gjenin shprehje, sepse dialogu ishte komplet i privatizuar dhe i kontrolluar nga njerëz megalloman e të “dijshëm”, saqë çdo lloj “interferimi” do të konsiderohej, “minim” i procesit dhe pengesë ndaj autoritarit që për qëllime kishte ta merrte autorësinë duke propozuar zgjedhje “ ideale”.

Dhe, ajo zgjedhje “ideale” ku pavarësia e Kosovës (Dardanisë) e shpallur më 17 shkurt 2008 dhe e arsyetuar juridikisht nga Gjykata Ndërkombëtare si e drejtë dhe legjitime, nga Autori i bisedimeve Kosovë( Dardani) - Serbi, për ta ç’vleftësuar edhe pavarësinë dhe vendimin e Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ia zbriti çmimin në fusnotë, e cila po na hakmerret tani kur duhet t’i rinisim bisedimet të cilat, përpos kushteve që duhet të plotësohen nga ana e Serbisë, pala kosovare- Qeveria, nuk mund e as që guxon t’i rifillojë pa i analizuar të gjitha marrëveshjet e deritanishme, të zbatuara apo të pa zbatuara, posaçërisht nga ana e Serbisë, për ta pasur një pasqyrë të cilën Kosova (Dardania), nuk e ka.

Ekuivalenca në pjesëmarrjen e barabartë si dy shtete, nuk nënkupton edhe ekuivalencë në barazimin e krimeve, që ishte ide dhe qëllim i Thaçit dhe Vuçiqit, për t’i barazuar krimet serbe me ato, hipotetikisht shqiptare si vullnet “i mirë” për të harruar të kaluarën dhe për t’u kthyer kah e ardhmja. Për fat, u ndërpre.

Dialogu nuk ka filluar dhe ende është larg, për kosovarët, por, nëse i përcjellim deklaratat zyrtare, reagimet e zyrtarëve, qoftë shqiptarë, qoftë evropianë apo amerikanë, ato, përditë në vete, përmbajnë disa ide, të cilat nuk janë zyrtarizuar, por, që në një mënyrë, është prekje e pulsit apo, reagimet të cilat mund të shfaqën nëse disa çështje shtrohen për diskutim. Pra, dialogu, ose temat e tij, janë prezente për ditë.

Paraqitja e Ministres së Punëve të Jashtme, zonjës Donika Gërvalla para OKB-së, reagimi i Rusisë, reagimi i Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve dhe të tjerëve, janë reagime që e parafrazojnë të ardhmen e dialogut, i cili, nuk do të jetë i lehtë, nuk do të jetë i shpejtë, por, edhe, nuk do të jetë i pakufishëm ose, do të përfundojë në një status quo, që, do të thotë, tensione të ngrira me shkrepje kërcënuese të aty- këtushme, që nënkupton, jostabilitet në Ballkan dhe më gjerë.

Bashkësia Ndërkombëtare, qoftë Evropa apo Amerika, një ditë, duhet ta përfundojë këtë gjendje të paqëndrueshme në mes të këtyre dy shteteve.

Ne, duhet të përgatitemi që të kemi përgjigje në të gjitha pyetjet që do të na drejtohen, duke i argumentuar ato, e duke mos qenë shumë modest për t’ua përkujtuar të padrejtat historike ndaj tokave shqiptare sipas të gjitha periudhave, duke kërkuar, që definitivisht të përcaktohet qartë se kush ishte agresori e kush viktima dhe sipas këtij standardi, edhe të përcaktohen orientimet dhe finalizimi i konfliktit shekullor serbo-shqiptar.

Janez Jansha, i njohur për neve shqiptarëve si zbuluesi i asaj shkrese konfidenciale ushtarake, të cilit ia solli kuriri shqiptar, në kohën e ish-Jugosllavisë, por pa e ditur se çfarë përmbajtjeje ka, ku parashiheshin gjëra ogurzeza për neve. Sot, me ketë “non-paper”, anipse nuk është asgjë zyrtare sipas reagimeve sllovene e evropiane, megjithatë, mendja të shkon sipas asaj se ku të shkon gjuha, dhëmb dhëmbi, sorollatët në trurin e çdo politikani përgjegjës të çdo shteti, që të mendojë për një “ide” sado e “pakuptimtë”, por, në një moment të shterjes së të gjitha mundësive, edhe kjo të vijë në shprehje.

Vërtet është joshëse për ne e shqiptarët, por sa e realizueshme, është pikëpyetje e madhe.

Shtrohet pyetja se a mund të ndodhë një rishikim i tillë në mënyrë paqësore dhe a kemi udhëheqës kredibil në krye të këtyre shteteve, të cilët mund ta bëjnë një akt historik, për neve shqiptarëve, përmirësim i gabimeve historike nga ana superfuqive të atyre kohërave.

Tani, për Kosovën (Dardaninë), detyra në rend të parë është që ta ruajmë këtë të cilën e fituam me një sakrificë të madhe, që është obligim i Qeverisë si përgjegjëse për udhëheqje më dialogun që të qëndrojë e paluhatshme.

Por, fatkeqësia më e madhe është se udhëheqësit e deritanishëm të dialogut me qëndrime kundër interesave të Kosovës ( Dardanisë), hynë me ide të dëmshme rreth korrigjimit të kufijve, duke e joshur Serbinë që edhe ajo “duhet të merr diçka”.

Është brengosëse kur nga disa individë, ndoshta flasin edhe në emër të subjektit politik, të cilët si opozitë, nuk do të marrin pjesë në dialog më Serbinë.

Bile, shkohet aq larg në mënyrë injoruese e nënçmuese sa që thonë se nuk duan t’ia bajnë çantën Albinit.

Mentalitet fshataresk i para njëqind viteve. E po nëse nuk “ia banë çantën” Albinit, do t’ia bash, Rakiqit.

Kryeministri ka deklaruar se për dialogun me Serbinë do dhe duhet ta përfshijë opozitën jo në mënyrë formale, por esenciale si pjesëmarrëse në përpilimin e Platformës. Ashtu duhet të jetë.

Serbia, përherë të parë është në panik, sepse në Kosovë (Dardani), nuk janë më në pushtet ata të cilëve Vuçiqi u thoshte se çka duhet e çka nuk duhej të flisnin.

Kjo Qeveri e as ky Kryeministër, nuk ka qenë e as nuk është argat i Vuçiqit, prandaj, nuk mund të shantazhohet.

Shtrohet pyetja se pse po e dobësojmë pozicionin tonë kundrejt Serbisë me veprimet te dëmshme. A po i bie kjo se lë te dëmtohet Kosova (Dardania), vetëm kjo Qeveri në krye me Albinin dhe Presidenten zonjën Vjosa Osmani si përfaqësuese përfundimtare e politikës së jashtme.

Dua ta pyes opozitën se duke i kundërshtuar këta udhëheqës të zgjedhur për herë të parë në histori më një shumicë absolute të votave, po e kundërshtoni drejtpërdrejt vullnetin e popullit dhe besimin e dhënë kësaj udhëheqjeje.

Ata, ua shprehen mosbesimin ndaj juve, anipse u duruan në tepër së 20 vjet.

Këtë pushtet, ky popull nuk do ta durojë aq sa u ka duruar juve. Mund të shkojnë pas katër viteve apo, edhe më parë, nëse nuk i përmbushin premtimet. Ju, nëse mendoni ta ktheni besimin ndaj popullit, duhet të jeni konstruktiv duke e bërë opozitë me programe dhe alternativa joshëse dhe në atë mënyrë, të vini në pushtet.

Qeverisjen tuaj 20 vjeçare, e kanë përcjellë aq afera korruptive, kriminale e hajdute sa që kjo Qeveri i ka premtuar popullit se do të veprojë menjëherë dhe do t’ia kthejë dinjitetin e nëpërkëmbur qytetarit.

Funksionimi i ligjit dhe barabarësia e njëjtë para tij, është një lloj shprese për ta ndaluar ekzodin e largimit, posaçërisht të rinjve.

Qeveria, prioritet të 24 orëve e ka, sigurimin e vaksinave dhe vaksinimin e popullatës sipas prioriteteve.

Duhet të jemi të gatshëm që të gjithë të ndihmojmë në këtë drejtim e jo të pengojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat