Urgjentisht të pastrohet RTK nga familjarizmi i Hashim Thaçit

Opinione

Urgjentisht të pastrohet RTK nga familjarizmi i Hashim Thaçit

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 18 prill 2021 Në ora: 10:16
Hashim Thaçi

Radio Televizioni i Kosovës ka qenë vegël e PDK-së e propagandës dhe akoma vazhdon të jetë. Konkretisht, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po e ruan ndikimin e tij në Radio Televizionin e Kosovës, edhe pse gjendet në Hagë. Së fundi u raportua se tre familjarë të tij janë punësuar në RTK, djali, reja dhe vëllai i resë së Gani Thaçit, vëllait të Hashim Thaçit.

Për lajmin ka reaguar gazetarja Jeta Xharra. Ajo ka thënë se drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati, i kishte thënë asaj se nuk donte të shkonte në burg për punësime familjare. Por, sipas saj, Kastrati ka nënshkruar kontrata jashtëligjore për punëtorë që nuk i ka parë askush në punë.

“M’thojke drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati “Unë s’du me hi n’burg” e knej, rreth asaj kohe që m’ka thanë qeshtu, paska nënshkru kontrata jashtëligjore për “punëtorë” fiktiv që kurrkush në RTK si ka pa n’punë! Hmmm”, ka shkruar Xharra në një postim në Facebook.

Leotrim Thaçi, djali i Gani Thaçit, është angazhuar me kontratë në RTK në janar të vitit 2021, në pozitën Menaxher i Njësisë për të Drejta Autoriale.

Radio Televizioni i Kosovës vazhdon të jetë nën diktatin e PDK-së, sidomos që nga ardhja e Mentor Shalës si drejtor i RTK-së.

Që nga ardhja e Mentor Shalës në krye të RTK-së, në janar të 2013, pozitat drejtuese në këtë medium publik kontrollohen nga njerëz të afërt ose familjarë të PDK-së.

Mentor Shala në kohën kur ishte redaktor përgjegjës në RTK dhe kryetar i AGPK-së, bashkë me Mufail Limanin ishin bashkëthemelues dhe anëtarë të OJQ-ve “Integrimet Plus” dhe “Initiative for Pragmatic Action”.

Përmes këtyre OJQ-ve, ata patën marrë fonde nga Qeveria e Kosovës, veprim ky që shkelë legjislacionin kundër korrupsionit në Kosovë dhe shkakton konflikt të interesit. Të kujtojmë se vetëm disa javë pasi që Mentor Shala është zgjedhur drejtor i RTK-së, është punësuar Mustafë Mustafa, një njeri i afërt me PDK-në, në pozitën e udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta në RTK.

Kjo pozitë i mundëson Mustafës kontroll mbi administratën dhe financat në RTK. Mustafa, është vëllai i Remzi Mustafës, uzurpatorit të një lokalit të Odës Ekonomike të Kosovës i njohur zi “Zanzi Bar”, lokal i ndejave të natës prej nga në vitin 2009, PDK kumtoi prishjen e koalicionit me LDK-në.

Mustafë Mustafa është vëllai i Agron Mustafës, i cili qe emëruar pa konkurs si Aeroportit të Prishtinës dhe anëtar i PDK-së. Pozita e rëndësishme që mban Mustafa në RTK i ka mundësuar atij që të ketë ndikim edhe në punësimin e familjarëve të tij.

Remzi Mustafa, vëllai i Mustafë Mustafës është i punësuar si shofer në Radio Kosovë, përderisa daja i tyre, Mahmut Rexhepi, punon si zyrtar për marketing si dhe është anëtar i Sindikatës së RTK-së. Ndikim në punësime në RTK, që nga ardhja e Mentor Shalës në krye të RTK-së, kanë shfaqur edhe familja Hashim Thaçit si dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt që janë në kryeministri.

Në RTK janë punësuar kunata (motra e gruas) e kryeministrit Thaçi, Nerxhivane Gërxhaliu si dhe kunata (motra e gruas) e Gani Thaçit (vëllai i Hashim Thaçit), Kaltrina Gashi. Gjithashtu ky televizion së fundi i dha kontratë 80 mijë euro Fisnik Ademit, anëtar i PDK-së, që vazhdon të bëjë propagandë përmes rrjeteve sociale për të votuar PDK.

Me pak fjalë, RTK ka rënë aq poshtë sa shikueshmëri e saj krahasohet me televizione lokale, pasi shkalla e besimit në këtë institucion televiziv ka ra si mos më keq.

RTK me mbi 784 punëtorë, nuk arrin të krijojë një program cilësor, edhe pse ka buxhet mbi 2 milionë euro. Mbushja e RTK me militant të PDK e ka shndërruar televizionin publik në qarqe të klanit “Pronto”. RTK duhet të çlirohet nga ndikimi i politikës, ndryshe do të vazhdojë të mbetet një televizion pa vilës, dhe rënie të vazhdueshme të besimit.

Duhet që qeveria e re të intervenojë në RTK për ta ç’kapë këtë institucion televiziv nga ndikimi i politikës, për ta kthyer në shërbim të qytetarëve dhe fjalës së lirë.

Me taksat tona mediumi shtetëror shndërrohet në ndërmarrje private dhe partiake të dikujt, duke u bërë tellall i të keqes. Është koha fundi që RTK t'u kthehet qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat