Pasojat e masave po i bartin bizneset dhe sektorët tjerë të pafajshëm

Opinione

Pasojat e masave po i bartin bizneset dhe sektorët tjerë të pafajshëm

Nga: Xhavit Çitaku Më: 18 prill 2021 Në ora: 12:17
Xhavit Çitaku

Para se të merrej vendimi për kufizim lëvizjeje dhe të ndalimit të punës në sektorin e gastronomisë, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia e pranoi faktin se njëri ndër faktorët që ndikoi në përhapjen me shpejtësi të virusit vdekjeprurës Covid-19, ishte fushata paraelektorale e partive politike, të cilat, në të vërtetë, në asnjë moment nuk i respektuan masat më të domosdoshme për të parandaluar infektimin e popullsisë. Pra, fajtori kryesor për këtë gjendje kaq të rëndë që mbretëron në vendin tonë, pa dyshim, se janë subjektet politike, që pa kurrfarë turpi, e në interes të tyre politik e karrierist, zhvilluan një aktivitet të pashembullt e të papërgjegjësisë gjatë gjithë atyre ditëve. Liderët politik dhe pjesëmarrësit tjerë në atë fushatë parazgjedhore treguan qartë se politikisht janë të papjekur, ndërsa ndjenja e tyre për të kuptuar se do t‘i shkaktojnë probleme popullatës, ishte në nivelin zero. Dhe, që absurdi të jetë edhe më i madh, këta liderë partiak, gjatë gjithë aktivitetit parazgjedhor, në fokus të interesimit dhe punës së madhe që do të bëjnë nëse i fitojnë zgjedhjet, sigurisht se do ta kishin luftën kundër pandemisë, ndërkaq në anën tjetër grumbujt e qytetarëve që tuboheshin në salla e rrugë qytetesh ishin qindra sish. Dhe këtë papërgjegjësi të tyre tash po e vuajnë të tjerët pa pasur asnjë pikë faji. Thënë konkretisht, shkaku i kësaj gjendjeje të rëndë, ku pothuajse të gjitha kapacitet në klinikat përkatëse janë përplot me qytetarë të prekur nga virusi Covid- 19, qindra pacientë të sëmurë seriozisht, por edhe numri i atyre që po humbin betejën kundër këtij virusi është i madh, qeveria e Kosovës bëri disa kufizime në sferën e arsimit, ndërsa për 14 ditë është mbyllur gastronomia. Me këtë hap ekstrem për gastronominë, fitohet përshtypja se propozuesi i këtyre masave, por edhe ata që e mbështetën, nuk analizuan me përpikëri pasojat që mund të shkaktohen në këtë sektor shumë të rëndësishëm dhe me mijëra të punësuar, i cili edhe ashtu ka pësuar humbje të mëdha që nga paraqitja e kësaj sëmundje e deri me tash.

Problemi bëhet edhe më i madh kur të kihet parasysh fakti nuk ka një plan të detajuar se si do të të kompensohet ajo humbje e madhe që do të shkaktohet në këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë, sidomos, se si do të kompensohen të ardhurat e të punësuarave, numri i të cilëve është i madh. Dihet mirëfilli se shumica e të punësuarave varen nga të ardhurat që i fitojnë në restorantet dhe lokalet tjera shërbyese për qytetarët dhe vërtetë shtrohet pyetja se si do t’ia dalin për të kryer të gjitha obligimet për familjet e tyre në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalon Kosova, e cila, fatkeqësisht, ka mbetur goxha shumë edhe  në periferi të interesimit të Bashkimit Europian. Thënë shkurt e shqip për shkak të papërgjegjësisë të atyre që duhet të ishin të parët për të respektuar masat për mbrojtjen e shëndetit publik, pasojat po i bartin të pafajshmit, bizneset që me punën e tyre, pos tjerash, e ndihmojnë rritjen e buxhetit dhe punësimin, si një problem shumë i madh që po shkakton edhe ikjen në shtete tjera të perëndimit të mijëra të rinjve. Së këndejmi, Qeveria e Kosovës është dashur që më parë të siguroj burimet e mjeteve materiale për kompensim të këtij sektori e më pastaj të marrë ato masa që do të jenë të pariparueshme për një kohë të gjatë në sektorin e gastronomisë. Pra, ato masa ishin të padrejta sepse ky sektor dhe qendrat tregtare nuk ishin  pjesëmarrës në atë nivel të theksuar të mosrespektimit të masave kundër Covid- 19, por ishin pikërisht ata që i morën këto masa dhe subjektetet tjera politike.

Sa do të jetë cilësor mësimi online

Edhe në sferën e arsimit u morën masa. Nga klasa e parë deri në të pestën mësimi po ndiqet fizikisht, ndërsa pjesa tjera e nxënëseve dhe studentëve mësimin po e zhvillojnë online. Kjo formë e mësimdhënies po aplikohet në pjesën më të madhe të botës, mirëpo në rastin e Kosovës bie në sy diçka specifike bazuar në një deklaratë të Kryetarit të Sindikatave të pavarura të Arsimit z. Jashari, i cili tha se me këtë hap ne po shkaktojmë analfabetë, duke u mbështetur në faktin se një familje shumë anëtarëshe nuk ka mundësi që të siguroj kompjuter për të gjithë fëmijët, ndaj edhe shtrohet pyetja se si do të ndjekin mësimet këta nxënës, numri i të cilëve është bukur i madh. Për këtë brengë të kësaj sindikate, por edhe të shumë shkollave fillore e të mesme, ende nuk ka përgjigje nga organet përkatëse, përkatësisht Ministria e Arsimit. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se sa do të jetë cilësia e fituar e mësimnxenjes në këto lloj masash, sërish duke patur parasysh skepticizmin e njeriut të parë të sindikatës së arsimit, pastaj të Këshillit të Prindërve dhe të mësimdhënësve. Nuk ka më mirë se sa një bashkëpunim i ndërsjellë i të gjithë akterëve, sepse pasojat do të ishin më të vogla.

Edhe estrada kërkon trajtim të barabartë me të tjerët

Në fillim të javës së ardhshme do të hiqen numri më i madh i masave të ndërmarra nga organet kompetente. Për këtë vendim më së shumti i gëzohet sektori i gastronomisë dhe nxënësit. Mirëpo. të brengosur e mjaft të hidhëruar mbetën këngëtarët e estradës, të cilët po protestojnë dhe po kërkojnë që edhe ata të trajtohen barabartë sikurse të tjerët, ngaqë u bë kohë e gjatë që nuk po iu lejohet të këndojnë nëpër ahengje e dasma, të cilat, po ashtu, nuk i lejon shteti të organizohen. Edhe kjo pjesë e të ardhurave të buxhetit po thekson me të drejt se për partitë politike ishte gjithçka në rregull të grumbullojnë qindra simpatizantë gjatë fushatës parazgjedhore, ndërsa për familjet që duan t’i martojnë apo fejojnë më të dashurit e tyre, kjo e drejt iu mohohet, përkatësisht nuk iu lejohet të organizojnë dasma e ahengje. Pavarësisht se ende nuk është marrë diçka konkrete lidhur me këtë kërkesë të këngëtarëve të estradës, ata paralajmërojnë se punën e tyre do ta fillojnë kah mesi i qershorit, apo siç thonë ata, ose do të punojmë të gjithë ose asnjë. Mbetët të shihet se çfarë do të ndodh, por një gjë dihet se qeveria nuk duhet të punoj me dy kute.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat