Martirët e “Kohës së Nemces”

Opinione

Martirët e “Kohës së Nemces”

Nga: Gëzim Loka Më: 21 prill 2021 Në ora: 07:26
Gëzim Loka

Qëndresa e Lurës ka vijuar të shënojë faqe të reja heroizmi e qëndrese, në të cilat rrijnë denjësisht në panteonin e lavdisë së merituar kombëtare edhe bijtë e Lurës.

Një ngjarje ka mbetur e pashlyer në kujtesën e brezave lurianë, ka ardhur gojë më gojë e brez pas brezi dhe ka hyrë në analet e historisë për të dëshmuar në njërën anë qëndresën titanike të lurianëve dhe nga ana tjetër mizorinë dhe barbarinë e pushtuesve. Ngjarja ka ndodhur në kohën e pushtimit të egër austro-hungarez, që populli e ka etiketuar si “koha e Nemces”. Lura, ky zambak i bardhë, mpleksur fort me rrënjë gjaku, sfidash të rënda në histori, është dëshmi e një mizorie të pashembullt, për shkak të shpirtit të saj të paepur e qëndrestare. Në histori ka hyrë me germa dhimbje e alarmi masakra e 26 korrikut 1916, ku u masakruan nga ushtria austro-hungareze 108 banorë të zonës së Lurës.

Kjo është një nga ngjarjet në të trishta e të dhimbshme të ndodhura në Shqipëri gjatë Luftës së parë Botërore, ku 98 vite më parë u internuan dhe u masakruan në mënyrë barbare dhjetëra banorë të Lurës, pasojë e një akti gjakatar të ndërmarrë nga një makinë e përbindshme lufte, që kërkonte të mbante peng trojet shqiptare. Kohët rrëshqasin në humbëtirën e viteve e të shekujve që lënë pas, por me vete ato marrin gëzimet e drithërimat e njerëzve për t’i lënë të qeta diku në skutat e errta të kohëve, si kujtime që dhembin e tramaksin kujtesën kolektive të trevave dhe etnive të caktuara.

Udhëtojmë si një shtegtar nëpër vite e shekuj dhe startojmë diku atje në ngjarjet njerëzore që na flasin edhe sot, duke na zgjuar ato klithma lufte, dhimbje e dëshpërimi, të atyre njerëzve që u martirizuan në emër të kombit, që në këtë vend të mos kishte më mizorë e barbarë, por të ishte një tokë e lirë e njerëzve të lirë!

Dhe kur vjen çasti të kujtojmë copëza nga historia jonë, ku pjesët tona kanë mbetur në fushëbeteja krimi e genocidi, vetiu sytë na përlotën e dhimbja përmbyt sytë dhe shpirtërat e trazuar... Ndiejmë dhimbje gjer në palcë të trupit tonë; dhimbje në çdo plis dheu të tokës sonë, dhimbje të atyre maleve krenare e fushave hirëplota të Lurës sime të bukur, ku mbetën përjetë në gjirin e ngrohtë të dheut mëmë 108 burra, të masakruar nga genocidi dhe barbaria e një soj perandorie që pretendonte oksidentalizmin e vendit të shqipeve, por mbolli dhunë e varre kolektive!

E ndiej dhimbjen tënde Lura ime e shtrenjtë, e ndiej humbjen e bijve të tu, gjysh-stërgjyshërve tanë të maskruar në shpellat dhe guvat e tua, mbetur pa varr, me eshtra të mbjella në absurdin e një vendi perëndimor, që erdhi në emër të gjoja civilizmit e mbolli eshtra e kufoma të kallura në varre anonime, në gropa kolektive krimi e masakrimi të përbindshëm!

Në mungesë të armëve e fishekëve, lurianët do të përdornin kundër pushtuesve gurë e shkëmbenjë, të rrëmbyer nga faqet e maleve, grykave dhe honeve, për t’iu bërë pritë e për të mos lejuar kalimin drejt Lurës të invadorëve mizorë.

Kështu, më 28 korrik 1916, në Lurë u zhvilluan luftime të ashpëra, dhëmb për dhëmb me pushtuesit austrohungarezë. I gjithë populli i Lurës, burra, gra e fëmijë, rrëmbyen sëpata e sfurqe, gurë e hunj, gjithë çfarë kishin si mjete mbrojtje e sulmi dhe u vërsulën për të mbrojtur tokën e të parëve, me gjakun e tyre të kulluar! Ishte një betejë e egër, për jetë a vdekje dhe trimëria e lurianëve, sulmi i tyre i furishëm, me besë a besë, duke kënduar këngët e të parëve krenarë në llogoret e betejës, i egërsuan shumë pushtuesit mizorë.

Ushtria e armikut u dynd egërsisht mbi Lurë dhe dogji fshatra, plaçkiti e grabiti pasuritë, dogji arat e mbjella, pemët, pyjet, rrënoi e ktheu në gërmadhë, nën mbretërinë e tymit dhe flakëve kullat e malësorëve, aq sa gjithçka binte erë shkrumbi dhe vdekjeje!

Qëndresa e lurjanëve ishte titanike; trupat e atyre burrave u kthyen në mburoja, që hasmi të mos depërtonte në thellësi të Lurës.

Bijtë e Lurës luftuan me heroizëm ndaj një ushtrie të armatosur deri në dhëmbë me armatimin më të sofistikuar të kohës. Vrasja e dy ushtarëve austriakë nga rezistenca e banorëve, ashpërsoi më shumë luftimet atë ditë fundkorriku të nxehtë , ku zhegut dhe vapës përvëluese iu shtua edhe flaka e armëve që u përdorën në luftime midis ushtrisë e banorëve të Lurës, që u përfshinë në një rezistencë popullore unike.

Si hakmarrje, pushtuesit që të shumtë në numër e të pajisur me armët më moderne të kohës e pushtuan Lurën, mblodhën tek Kisha e Lurës së Vjetër të gjithë burrat që mundën të kapnin, gjithë popullatën e pambrojtur civile dhe nisën raprezaljet dhe ndëshkimin mizor. Një pjesë të burrave e fëmijëve i çuan në internim në Kotorr të Austrisë, 108 veta u maskaruan.

U maskruan atë ditë terrori unikal nga Lura këto persona: Bajram Loka, Asllan (Llan) Loka, Abaz Kolegjegja, Arif Haldeda, Abaz Skana, Bibë Markola, Bajram Cuku, Dan Kalia, Hasan Cuku, Hasan Kaci, Hysen Kalia, Hasan Murati, Humë Murati, Hasan Hoti, Isuf Deda, Imer Hoti, Mide Cuku, Met Haldeda, Muharrem Tollja, Osman Hoti, Sali Tollja, Vezë Cuku, Vesel Kalia dhe Xhemile Gjogjegja.

Një nënë me emrin Mude Skana ia doli me shumë mundime që t’iu shpëtonte mizorëve e të kthehej gjallë në Krej-Lurë; ajo jetoi deri në vitin 1964 dhe ka dhënë për kohën një nga dëshmitë më tronditëse nga ai kamp famëkeq në Austri, ku shumica e të internuarve nuk u kthyen më kurrë në vendin e tyre, pranë familjeve të tyre! Nga Lura, tek ai kamp u internuan 49 banorë, ku 13 prej tyre mbetën përjetë në tokën austriake dhe nuk iu dihen as varret se ku i kanë! Midis atyre që u internuan në këtë kamp mizor dhe nuk u kthyen më kurrë në Lurë (nuk iu dihet as varri se ku iu prehen kockat) mund të përmendim: Llesh Kaçorrin,Ndue Rajtën,Hamit Kacin, Mark Kaçorrin,Can Vladin, Pjetër Rajtën, Han Hotin, Zyber Doçin, Cen Tollja, Ali Marko- lën, Mustafa Vladin. Mustafa Sulemanin e pushkatuan gjatë rrugës në Shkodër. Pjesa tjetër mundën të kthehen të gjymtuar në Lurë, siç ishin Adem Meta, Demir Mena, Sali Tollja, Xhaferr Haldeda, Met Loka, Liman Loka, Xhil Hoti, Xheme Haldeda, Halil Peka, Adem Meta, etj.

Emri i nënës heroinë Xhemile Haziz Gjogjegja, e cila u varros e gjallë me fëmijën në bark nga ushtarët austro-hungarezë, është një akt i përbindshëm, që nuk e nxë asnjë muze krimi e genocidi, një sakrilegj, që do të trazojë në shekuj e mijëvjeçarë kujtesën e vrarë të Lurës e lurianëve.

Historitë kujtohen e shkruhen për të mos u përsëritur më kohët e hidhura, me qëllimin e vetëm për të ndërtuar ura bashkëpunimi e miqësi vllazërimi midis popujve e kombeve.

Shqiptarët si dje edhe sot, kanë dëshmuar para popujve e kombeve të botës dashuri njerëzore, civilizim e qytetrim.Eshtë detyrë e qeverisë së “Rilindjes’’ që të investojë në perlën e natyrës shqiptare, në Lurën e zambakëve të bardhë, atje ku flet historia e kombit tonë.

Pra, ushtria pushtuese austro-hungareze ndërmori një masakër mesjetare, barbare e cinike deri në shurdhëri ndaj jetës njerëzore, duke mos kursyer as gratë, duke i internuar ato në Kotorr të Austrisë. Përmasat e kësaj tragjedie nuk harrohen kurrë, plagët e hapura, varret dhe dhimbjet deri në asht prekin kujtesën e brezave dhe të kohëve. Kjo barabari na bën apel për reflektim, që të kujtojmë sot këtë akt makabër, jetët luriane të shuara nga një ushtri e huaj, që kërkoi të shtronte shpirtin lurian e kur s’ia doli dot, përdori gjithë mekanizmin e përçudnuar të krimit e genocidt të një ushtrie monstër!

Lura kujton dhe loton, loton dhe vuan, vuan dhe reflekton, por koha dhe shtetarët e këtij vendi duhet të bëjnë të tyren, që kujtesa të mos zërë ndryshk dhe aktet e qëndresës luriane të përjetëohen.

Ka ardhur koha të vendoset një pllakë përku- jtimore, një memorial, një shenjë për të përkujtuar në jetë të jetëve martirizmin e këtyre burrave e grave të Lurës nga ushtria e Nemces.

Në kujtim të masakrës që është bërë në vendin. “Kisha e Lurës së Vjetër’’, më 28 korrik të vitit 1916 nga ushtria austro-hungareze, në Luftën e Parë Botërore, duhet të ketë një shenjë, një simbol kujtese, që lurianët të përcjellin brez pas brezi, nga koha në kohë, kumtin e çmimit të shtrenjtë të lirisë e dinjitetit, çmimin e gjakut dhe të sakrificës sublime për atdhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat