Parandalimi – shpëtimi!

Opinione

Parandalimi – shpëtimi!

Nga: Esad Ejupi Më: 21 prill 2021 Në ora: 11:26
Esad Ejupi

Rëndësia e masave parandaluese nëse jo më parë, atëherë sidomos tash kur po jetojmë në kohën e pandemisë globale të Coronavirusit është kuptuar shumë mirë nga të gjithë.

Është shumë e vjetër shprehja “më mirë të parandalosh sesa të shërosh”, që në fakt, si e tillë është krijuar për qëllim të ruajtjes së shëndetit. Por, këtë shprehje, personalisht e përdori bukur shpesh në shkrimet e mia për tema që lidhen me parandalimin e konfliktit të interesit dhe në përgjithësi korrupsionit, natyrisht të modifikuar për qëllime të kësaj natyre, e që i bie kështu: “më mirë të parandalosh sesa të hetosh e të denosh”.

Pra, nëse zbatojmë mirë masat për parandalimin e konfliktit të interesit, rrjedhimisht kemi parandaluar një aferë të mundshme korruptive dhe kështu kemi shpëtuar edhe nga hetimi edhe nga dënimi.

Konflikti i interesit nuk është apriori korrupsion. Por, më duhet të përserisë këtu atë që e kam thënë edhe më parë, “konflikti i interesit është paradhomë e korrupsionit”.

Pra, nëse një situatë e konfliktit të interesit nuk parandalohet, nuk shmanget ose nuk zgjidhet, ajo pastaj potencialisht na shpie në një aferë korruptive.

Në kë bie përgjegjësia, për parandalimin e konfliktit të interesit ?

Është bërë gati si një rregullë e pa shkruar, ose le të themi është bërë praktike, që sa herë të përmenden situatat e konfliktit të interesit të gjithë i drejtojnë sytë, mendjen, gishtin, e herë herë edhe kritikat drejt Agjencisë kundër Korrupsionit, si institucioni qendror për paranalimin e konfliktit të interesit.

Kjo në “end-efekt” është e drejtë. Por, ka kohë që Agjencia kundër Korrupsionit me aktivitetet e saja mundohet që të sensibilizoj opinionin, zyrtarët publik, e në veçanti zyrtarët e lartë publik që kanë rol vendimmarrës, që; sipas Ligjit për P.K.I., obligimi për parandalimin e konfliktit të interesit nis nga vet zyrtari publik, më tej, ky obligim vazhdon për eprorin e tij apo institucionin epror, pastaj ky obligim vazhdon edhe brenda autoritetit përgjegjes të institucionit, e tek në fund, kur asnjëri nga këta ose nuk ka mundur ose nuk ka ditur të zgjedhë situaten, duhet që t’i drejtohen Agjencisë kundër Korrupsionit, për të marr një vlerësim final dhe të saktë.

Stafi i Agjencisë kundër Korrupsionit nga Departamenti për Parandalimin e konfliktit të interesit, mund të mos jetë i përkryer, por jam i bindur se është shumë i përgjegjshëm, kompetent dhe profesional në trajtimin e situatave të konfliktit të interesit. Zatën, Ligji për Parandalimin e konfliktit të interesit (ky i fundit i ndryshuar e plotësuar në vitin 2018) është produkt i kontributit masiv të zyrtarëve të agjencisë, e që si i tillë ky ligj, është vlerësuar lartë nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtar përfshirë këtu edhe Raportin e progresit për Kosovën, duke u cilësuar si ligj mjaft i avansuar.

Edhe rastet praktike tregojnë këtë. Mjafton të shikohen Raportet e punës vjetore të Agjencisë kundër Korrupsionit. Por, a mjafton krejt kjo ? Sigurisht se jo !

Çka duhet bërë më mirë ?

Me moton; “Sot më të mirë se dje, e nesër më të mirë se sot”, më mirë mund të bëjmë si vijon:

E para; Të rritet integriteti i zyrtarëve të lartë publik që për çdo dyshim për situatë të mundshme të konfliktit të interesit të identifikohen ato me kohë dhe të deklarohen.

E dyta: Të forcohen autoritetet përgjegjëse nëpër insitucione publike duke investuar në to (trajnime, rregullativë…) në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për dhënjen e përgjigjjeve për rastet e konfliktit të interesit brenda institucionit të tyre përkatës.

E treta: Çdo institucion publik të krijoj rregullativa përkatëse për parandalimin e konfliktit të interesit, varësisht prej fushë veprimtarisë së vet. Zatën, ky është obligim ligjor i tyre që buron nga vet Ligji për P.K.I.

Pse po themi parandalimi është shpëtim ?

Parandalimi i situatave të konfliktit të interesit, e rrjedhimisht edhe i aferave korruptive të mundshme është shpëtim sepse:

Ndihmon efikasitetin në punë e në procese duke kursyer institucionet dhe individët apo zyrtarët publik nga zvarrtjet apo përseritjet e procedurave,

Mundëson vendimmarrjen e drejtë dhe pa konflikt interesi,

Parandalon ndonjë aferë të mundshme korruptive,

Rritë besueshmërinë në institucione publike,

Ulë përceptimin për korrupsionin,

Ulja e përceptimit për korrupsionin përkthehet si ulje e nivelit të korrupsionit dhe përmirësimi i imazhit ndërkombëtar për vendin.

Prandaj,mesazhi që del nga këtu është ky; çdo zyrtarë publik, çdo mekanizëm përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit të jenë sa më vigjilentë dhe të përgjegjshëm në identifikimin, deklarimin, zgjidhjen apo shmangien nga vendimmmarja me konflikt interesi.

Vetëm kështu mund dhe duhet ta fuqizojmë vendimmarrjen pa konflikt interesi.

(Autori është Drejtor i Departamenti për Parandalimin e konfliktit të interesit në Agjencinë kundër Korrupsionit. Mendimet e shprehura këtu janë individuale).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat