Një çudi diplomatike, analiza e një deklarate futuriste të guvernatorit rus për Ballkanin, botuar pak ditë më parë në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme

Opinione

Një çudi diplomatike, analiza e një deklarate futuriste të guvernatorit rus për Ballkanin, botuar pak ditë më parë në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme

Nga: Shaban Murati Më: 21 prill 2021 Në ora: 12:56
Shaban Murati

Diplomacia sovjetike vuante nga propozimomania, por ajo e ruante njëfarë sensi realiteti dhe nuk shkonte deri në shkallë fantazie të pakuptueshme si diplomacia e sotme ruse, që po prodhon çudira. Një çudi e tillë diplomatike është kërkesa apo propozimi, që lexojmë në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë në 16 prill në përmbledhjen e konferencës së përbashkët të ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov, me ministrin e jashtëm serb, Nikolla Selakoviç, pas bisedimeve në Moskë në 16 prill. Lexojmë se në 15 prill ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Bocan-Harçenko, ka deklaruar se “Rusia është e gatshme të përfshihet në dialogun e Beogradit me Prishtinën me kushtin që ai të zhvillohet me ndërmjetësimin e Rusisë”. Kaq  fantazist është ky propozim sa që edhe vetë ministri i jashtëm rus me përvojë të madhe, Lavrov, nuk mundi të shprehte hapur qëndrimin e tij ku u pyet për këtë propozim të ri diplomatik të ambasadorit të vet, por u shpreh shkurt se “ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo qëndrim të marrë nga Serbia dhe jemi gati t’i përgjigjemi çdo propozimi të liderve serbe për hapat që duhet të marrim ne”.

Është hera e parë që diplomacia ruse del me propozimin e guximshëm që Rusia të marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut  midis Serbisë dhe Kosovës. Madje as qeveria dhe diplomacia serbe nuk kanë guxuar të shkojnë aq larg realitetit, sa të propozojnë që aleati i saj strategjik Rusia të jetë ndërmjetësja e dialogut Serbi-Kosovë. Si presion ndaj Perëndimit Beogradi ka hedhur herë pas here idenë që ndër faktorët ndërkombëtarë të ndërmjetësimit, krahas BE, të përfshihet edhe Rusia. Edhe kërkesa e diplomacisë ruse deri tani ka qenë që Moska të jetë pjesëmarrëse në procesin e ndërmjetësimit të dialogut Serbi-Kosovë, që zhvillohet qysh nga vitit 2011 në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, në bazë të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB të vitit 2010, të cilën e ka votuar edhe Rusia.

Tani shohim një thyerje tektonike, një shkëputje apo zhvendosje të bujshme të qëndrimit të diplomacisë ruse me pretendimin e madh që Rusia të jetë ndërmjetësja e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Moska del kështu hapur në shkelje të rezolutës së OKB për dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga OKB. Moska del në sfidë të hapur diplomatike ndaj BE, që është e autorizuar nga OKB për udhëheqjen dhe ndërmjetësimin e dialogut midis dy shteteve ballkanike fqinje. Nuk ka ende informacion nga qarqet dipomatike ruse se si e mendojnë ata ta realizojnë këtë ide futuriste. Sepse në një pretendim të tillë Rusisë do t’i duhet që të kalojë rezolutë të posaçme në Këshillin e Sigurimit të OKB, të kapërcejë të pakapërcyeshmen e vetove të anëtarëve të përhershëm perëndimorë të Këshillit të Sigurimit dhe të marrë mandatin, që  autorizon monopolin e Rusisë në këtë aksion të madh individual ndërmjetësimi. Kjo natyrisht është një ëndërr diplomatike në diell. Rusia mund të arrijë të bindë dhe të detyrojë Serbinë t’i bashkangjitet pretendimit rus, por Kosova si palë në dialog nuk do ta pranonte kurrë që ndërmjetësimi perëndimor të zëvendësohet me ndërmjetësimin e çuditshëm rus.

Pavarësisht se kjo ide apo ky propozim i ri rus është një fantazi e pastër apo çudi diplomatike apo futuriste, pra i parealizueshëm, sepse askush nuk do ta pranonte një monopolizim të dialogut Serbi-Kosovë nga Rusia, kërkesa ruse duhet analizuar me kujdes, sepse e bën diplomacia e një shteti të madh anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB, dhe sepse duhet kuptuar që probleme dhe vështirësi artificiale po i ngrihen këtij dialogu. Aq më tepër që kërkesën ruse e paraqet një nga ekspertët më të mirë diplomatikë rusë për Ballkanin si ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksander Bocan-Harçenko, i cili është caktuar nga Kremlini jo vetëm si ambasador në Serbi, por si governator rus për Ballkanin. Kryesorja që duhet kuptuar është se diplomacia ruse është aktualisht në një pozitë të vështirë, ku instrumentalizimi i çështjes së dialogut Serbi-Kosovë në dobi të influencës ruse në Ballkan po përjeton një grafik në ulje. Situatat e vështira prodhojnë ide të çuditshme si kjo e monopolizimit të rolit të ndërmjetësimit të dialogut Serbi-Kosovë nga Rusia.

Së pari, kemi rritjen e intransigjencës së diplomacisë ruse dhe të obstruksionizmit të saj diplomatik në lidhje me Kosovën dhe me Ballkanin. Në vend që të reflektojë me realizëm për dinamikën e re të zhvillimeve ndërkombëtare në dekadën e dytë të shekullit 21, të cilat sugjerojnë dhe diktojnë një normalizim sa më të shpejtë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet njohjes reciproke, diplomacia ruse po i kundërvihet duke forcuar absolutizmin dhe dogmatizmin tipik sovjetik.

Moska është tepër e shqetësuar nga alternativa realiste e njohjes së Kosovës nga Serbia, sepse kjo i heq Rusisë mjetin më të fortë të presionit mbi Serbinë dhe të varësisë së saj nga Rusia. Shqetësimi diplomatik dhe gjeopolitik i Moskës mori formën e një etheje në tremujorin e parë të vitit 2021 pas afishimit të qëndrimit të vendosur të administratës së re amerikane të presidentit Xho Bajden, e cila nëpërmjet telegrameve zyrtare dërguar udhëheqjes serbe nga presidenti Bajden në shkurt dhe nga sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken në muajin mars, konfirmohet kursi amerikan që në qendër të dialogut Serbi-Kosovë duhet të vendoset njohja reciproke e dy shteteve fqinjë. Administrata e re amerikane afishon qëndrimin e drejtë se ka ardhur koha që pas dhjetë vitesh bisedime të ashtuquajtura teknike, dialogu Serbi-Kosovë duhet të përqendrohet dhe të qendërsojë, (ky është termi konkret diplomatik i përcaktuar nga qeveria amerikane), çështjen e njohjes reciproke midis dy shteteve. Është një mesazh i qartë shungullues dhe jetik, të cilin duhet ta lexojë mirë dhe ta vërë në qendër të platformës së saj të rifillimit të bisedimeve me Serbinë në Bruksel qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti. Është një mesazh i qartë dhe pa ekuivok adresuar Serbisë se asaj nuk do t’i lejohet më të torolitet me vite e dekada në xhiron boshe të dialogut për të ashtuquajturat çeshtje teknike. Presidenti serb Vuçiç, si ish-ministër i kabinetit të kriminelit ndërkombëtar të luftës Millosheviç, duhet ta dijë mirë se intrigat e vogla bizantine, që luante Serbia në Rambuje në vitin 1999, nuk mund të përsëriten më, dhe dihet se ku mund ta çojnë udhëheqjen e sotme serbe. Por qëndrimi i vendosur i qeverisë amerikane është një mesazh i drejtpërdrejtë për Kremlinin, që Rusia nuk mund të pengojë përjetësisht zgjidhjen realiste të njohjes reciproke Serbi-Kosovë.

Kjo perspektivë e ka alarmuar Moskën, sepse e ndjen që herët a vonë do t’i rrëshqasë nga duart laku që i ka vënë në qafë Serbisë për të refuzuar njohjen e Kosoves. Për këtë emergjencë diplomatike të Kremlinit në Serbi flet fakti që ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, ndonëse ishte në muajn dhjetor për bisedime në Serbi, e ndjeu të nevojshme ta thërrasë prapë në Moskë në 16 prill ministrin e jashtëm serb, Nikola Selakoviç, për të shtrëguar më shumë vidat e aleancës strategjike Rusi-Serbi. Pamë vizitën e një ministri të jashtëm pa ngjyrë të një qeverie servile ndaj Rusisë që i betohet Moskës për besnikëri të përjetshme dhe që deklaron me zë të lartë që ta dëgjojë edhe BE se “ marrëdhëniet me Rusinë mbeten prioriteti i Serbisë”. Pa skrupullin minimal diplomatik ministri i jashtëm serb u ankua në Moskë për administratën e re amerikane të presidentit Bajden se po ushtron presion të reja mbi Serbinë për njohjen e Kosovës. Publikisht iu ankua Moskës se qeveria amerikane i ka kërkuar ndryshimin e kursit të Serbisë me Rusinë dhe me Kinën. Në mënyrën më skandaloze ministri i jashtëm i një shteti kandidat për në BE, që po zhvillon bisedimet e anëtarësimit, iu ankua Rusisë se BE po ndjek ndaj integrimit europian të Serbisë “një proces që nuk mbaron kurrë” dhe se procesi i bashkimit të Serbisë me BE është një proces ndryshimesh të përhershme. Ministri i jashtëm serb i konfirmoi Moskës se Serbia do ta harrojë të ashtuquajturin neutralitet të saj ushtarak dhe do të forcojë bashkëpunimin dhe kontaktet me organizatën ushtarake të “Traktatit të Sigurimit Kolektiv”, CSTO, të krijuar si bllok ushtarak nga Rusia me disa shtete satelite, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ministrat e jashtëm diskutuan dhe miratuan krijimin e një formati të ri të lidhjeve në nivel të lartë ruso-serbe, të quajtur “2 plus 2”, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Rusisë me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Serbisë. Selakoviç njoftoi pas bisedimeve se po punohet për një vizitë të presidentit rus Vladimir Putin në Serbi gjatë këtij viti. Në këtë entuziazëm të vasalitetit serb ndaj Rusisë presidenti i Serbisë Vuçiç, që mori pjesë në 17 prill në manovrat ushtarake të forcave serb dhe këshilltarëve rusë të kompleksit të raketave ruse “Pancir C1”, deklaroi se Serbia dëshiron të pajiset me kompleksin e ri të raketave ruse “C-400”.

Kemi një plasmim të ri të Serbisë në formën më të ngurtë, që planifikon Rusia për performancën diplomatike serbe në dialogun me Kosovën dhe në raportet me Perëndimin. Modelimi i ri diplomatik i Serbisë sipas kërkesave të reja ruse qartësohet nga shkallëzimi intransigjent i vetë qendrimeve ruse. Nëse presidenti rus Vladimir Putin është shprehur disa herë tre vitet e fundit se Rusia do të pranojë çdo zgjidhje, që do të jetë e pranueshme për dy palë e dialogut, nëse ministri i jashtëm rus Lavrov jo larg, por në 18 qershor 2020 gjatë vizitës së tij në Beograd deklaroi se Rusia është për një zgjidhje të pranueshme reciprokisht nga të dy palët, tani diplomacia ruse po del me qendrim të ri sektar dhe të parealizueshëm. Në një intervistë dhënë agjencisë zyrtare ruse të lajmeve “RIA Novosti” në 15 prill, një ditë para bisedimeve të Lavrovit me Selakoviçin në Moskë, ambasadori i Rusisë në Beograd, Bocan-Harçenko, deklaroi se “në çdo zhvillim të dialogut është e mundur vetëm një zgjidhje, e cila u përgjigjet interesave të Serbisë”.

Shqetësimi që ka kapluar diplomacinë ruse nga frika e një normalizimi të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet njohjes reciproke, është aq i thellë sa që Moska po shprehet tani hapur se për diplomacinë ruse vetë dialogu Serbi-Kosovë nuk ka rëndësi se sa përdorimi i këtij dialogu në funksion të rolitë të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ambasadori rus në intervistën e tij për “RIA Novosti”e shpreh qartë këtë qëndrim të ri të Moskës se roli i Rusisë në Këshillin e Sigurimit për marrëdhëniet Serbi-Kosovë “është shumë më i rëndësishëm dhe më parimor se sa vetë bisedimet që po zhvillohen”. Është hera e parë që diplomacia ruse e zhvleftëson kaq hapur rëndësinë e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës dhe e shpall se e sheh atë dialog vetëm në funksion të interesave globale ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Një tezë e re e diplomacisë ruse është se armatosja e Serbisë me armë të sofistikuara ruse është i domosdoshëm për shkak të situatës në rajon. Kemi interpretim të çështjes me syze të thyera, që kthejnë realitetin kokë poshtë. Asnjë vend i rajonit nuk e kërcënon Serbinë, e cila ka makinën ushtarake më të madhe në rajon. Janë Serbia dhe sateliti i saj “serpska republika”, që po kërcënojnë shtetet e rajonit dhe kjo dëshmohet nga marrëdhëniet e acaruara që ato kanë krijuar me shtetin e Bosnje-Hercegovinës, me Kosovën, me Malin e Zi, me Kroacinë, etj. Bashkëpunimin ushtarak ruso-serb Moska nuk  quan shkelje të “neutralitetit ushtarak” të Serbisë. Dhe që çuditë diplomatike ruse të mos kenë të mbaruar, ambasadori i Rusisë në Beograd, që është ndër ekspertët kryesorë të MPJ ruse për Ballkanin, në një intervistë në 2 prill me revistën e njohur ruse “Mjezhduranodnaja zhizn” del me tezën e re historike se “neutraliteti ushtarak është traditë e rajonit”. Nuk e di se nga e ka lexuar dhe e ka nxjerrë këtë tezë diplomati i vjetër rus, që e din fare mirë se Serbia qysh nga pavarësia e deri sot ka qenë një shtet vasal i Rusisë, për të mos vazhduar me të vërtetën historike se në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar gjysma e shteteve të Ballkanit kanë qenë anëtarë të Traktatit ushtarak të Varshavës, të krijuar dhe të drejtuar nga Moska.

Nga vërshimi i gjithë këtyre qëndrimeve të reja ruse dhe sidomos nga kërkesa që Moska të jetë ndërmjetësuesja e dialogut Serbi-Kosovë, duhet dalë në përfundimin se duhet pritur një intransigjencë më e madhe nga Serbia lidhur me dialogun e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën. Duhet pritur që Rusia të përdorë si mjet të fundit të sabotimit të normalizimit imponimin Beogradit që të dalë me kushtin absurd të ndërmjetësimit rus të dialogut, për ta prishur përfundimisht mekanizmin e dialogut dhe për të përjetësuar një konflikt të ngrirë në Ballkan.

Është një zhvillim negativ, që sugjeron një presion më të madh të BE dhe të SHBA mbi Serbinë për të neutralizuar këtë shtrëngim të ri vidash, që Moska po i bën qeverisë dhe diplomacisë serbe. Ka ardhur koha që në BE të mos ushqejnë më iluzionet se duke toleruar aleancën strategjike të Serbisë me Rusinë do ta sjellin Serbinë më afër Europës. Kërkesa e re ruse për të marrë rolin e ndërmjetësit në dialogun Serbi-Kosovë është vërtet një çudi diplomatike, por ajo duhet konsideruar si një sfidë e re diplomatike dhe gjeopolitike ruse ndaj SHBA, ndaj BE, ndaj Kosovës, ndaj Shqipërisë dhe ndaj Ballkanit. Ajo duhet konsideruar pjesë e kompleksit të tensioneve politike, diplomatike, agjenturore dhe ushtarake, që Rusia po provokon aktualisht në gjitha shtetet e Ballkanit dhe në Europën Lindore./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat