Në takimet ndërkombëtare udhëheqesit e Kosovës t’i masin e t’i zgjedhin fjalët mirë

Opinione

Në takimet ndërkombëtare udhëheqesit e Kosovës t’i masin e t’i zgjedhin fjalët mirë

Nga: Sadik Elshani, Philadelphia Më: 22 prill 2021 Në ora: 14:37
Sadik Elshani

Në biseda, në takime të ndryshme e sidomos ato zyrtare vendore e ndërkombëtare, udhëheqësit e Kosovës duhet ta kenë para syshë se, është shumë e rëndësishme se çka flet e si flet. Shkas për të bërë këtë shkrim modest më dha paraqitja e ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zonjës Donika Gërvalla, në mbledhjen virtuale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u paraqit raporti informues për Kosovën për periudhën gjashtëmujore. Dikush e cilësoi paraqitjen e saj si brilante e dikush tjetër si turp, varësisht nga kush bëheshin këto vlerësime, nga qeveria dhe përkrahësit e saj apo nga opozita. Për mendimin tim, nuk ishte as njëra e as tjetra. Ishte në nivel, por mund të ishte një paraqitje edhe më bindëse e më gjithpërfshirëse. Në shtypin tonë të shkruar dhe atë elektronik si dhe në ligjërimin e përditëshëm gati për të gjtha çështjet çdo herë hasim në vlerësime të tejskajshme: tepër mirë ose tepër keq. Pra, mungon një vlerësim real, i paanshëm e korrekt më të mirat dhe të këqiat e veta. Për këtë brazilianët e kanë një shprehje të mirë: “Ele/ela e oito ou oitenta”, që në gjuhën shqipe përkthehet: “Ai/ajo është tetë ose tetëdhjetë” – ose në njërin apo skajin tjetër dhe asgjë në mes. Ky shkrim nuk është kritikë, por një këshillë shumë dashamirëse.

Si është vendi bëhet kuvendi

Në të gjitha takimet duhet theksuar në mënyrë të qartë përpjekjet shumëshekullore të Serbisë për zhdukjen e shqiptarëvëe nga faqja e dheut duke filluar nga Naçertanja e Ilija Garashaninit e deri në ditën e sotme. Duhet theksuar se Serbia ka ushtruar dhunë në mënyrë sistematike e të pandërprerë, ka kryer vrasje e krime që nuk mund të përshkruhen me fjalë, ka kryer gjenocid mbi popullin shqiptar. Është mirë që të bëhet një studim i thukët për krimet serbe dh t’u dërgohet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe të gjitha vendeve anëtare të OKB-së. Në takime të tilla duhet të jemi të përqëndruar vetëm në çështjen e Kosovës si një rast unik që nuk i duron krahasimet me vendet e tjera. Është një shprehje që përdoret shpesh në systemin gjyqësor n’Amerikë: “Do not volunteer information”, që në gjuhën shqipe mund të përshtatet mirë si: Mbaje gojën mbyllur e mos fol pa të pyetur kush për një çështje të caktuar ose siç thonë në Kosovë: “Mos hyn llugave”. Gati të gjithë udhëheqësit e Kosovës shpërfaqin një prirje për protagonizëm se, cdo gjë fillon me ta, se ata janë flamurtarë të ndryshimit, duke mohur çdo gjë që të tjerët e kanë bërë para tyre – vuajnë nga sindromi i heroit, shpëtimtarit. “Për herë të parë, në vendet e Ballkanit deri më tani, shumica e popullit votoi për t’u çliruar nga korrupsioni dhe krimi”, u shpreh zonja Gërvalla në paraqitjen e saj, Është e vërtetë se Kosova ndër shumë probleme të tjera ka probleme edhe me korrupsionin e krimin. Por, korrupsioni dhe posaçërisht krimi, janë shumë më të ulta se në vendet e tjera të rajonit dhe botës. Qytetet e Kosovës janë shumë më të sigurta se shumica e qyteteve të Evropës e të Amerikës. Të huajt vijnë në Kosovë dhe i shijojnë bukuritë e natyrës dhe të qyteteve tona, ushqimet e shijshme dhe mbesin të mahnitur me mikpritjen kosovare, njerëzit e sjellshëm e të shoqërueshëm. E di që Kosova ka probleme të shumta të cilat i kam trajtuar në shumë shkrime të mia, por në atë paraqitje të saj zonja ministre nuk kishte nevojë që të hynnte llugave, sepse nuk ishte rasti, qëllimi i atij takimi. Nuk ka më keq se kur dikush te godete me fjalët tua. Në takime të tilla nuk përdoret gjuha e fushatës zgjedhore. Duhet krijuar një praktikë që para takimeve të tilla të bëhen përgatitje serioze, të bëhen këshillime me ekspertë të fushave përkatëse dhe me njerëz që kanë përvojë diplomatike në arenën ndërkombëtare. Duhet të bëjmë çdo gjë që të mos e lejojmë Serbinë, vendin që ka kryer krimet më çnjerëzore në kontinentin evropian që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, të na shes moral e të paraqitet si viktimë, si një vend që i mishëron vlerat evropiane.

“NEWBORN”-i ecën vetë

Kosova duhet t’i sigurojë aleatët tanë dhe të mundohet me vepra t’i bind kundërshtarët tanë se shoqëria kosovare është në gjendje të ndërtojë një shtet të qëndrueshëm demokratik me institucione funkcionale. Përkundër sfidave dhe problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohet Kosova si një shtet i ri, prapëseprapë ajo është një shtet më normal e më demokratik se një pjesë e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, përfshirë këtu edhe dy shtetet anëtare të përhershme të këtij Këshilli, Rusinë dhe Kinën. Politikanët dhe partitë politike dallimet, mospajtimet e tyre t’i zgjidhin me qytetari e kulturë politike dinjitoze dhe para botës, në konferenca, takime ndërkombëtare të flasin me një zë, duke patur gjithmonë interesat madhore të kombit tone dhe jo ato vetjake e partiake. Të mësojmë nga historia. Një shembull: Në vitin 1961 shqiptaro – amerikanët ishin tubuar para selisë së OKB-së për të protestuar kundër pranisë së kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, Mehmet Shehut, por kur e panë se grekët aty pranë po protestonin kundër Shqipërisë, atëherë ata e pezulluan protestën e tyre dhe u përleshën me grekët. Ata e urrenin regjimin e Enver Hoxhës, por Shqipërinë e donin më shumë. Po ballafaqohemi me shumë probleme, kemi shumë për të bërë, por mos t’i hedhim baltë njëri – tjetrit, shtetit të Kosovës. T’i zgjedhim fjalët, të jemi të matur në veprimet tona e mos t’u japim municion armiqëve tane.

Zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, njohja nga Serbia dhe anëtarësimi në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare do të ndikonte pozitivisht në zbutjen e klimës së ashpër politike në Kosovë, Serbi dhe në tërë rajonin. Këtë duhet t’ua bëjmë të qartë miqëve dhe kundërshtarëve tanë dhe për këtë të gjithë duhet të angazhohemi. T’ua bëjmë të qartë të gjithëve dhe vetes sonë se ky “NEËBORN” -i tani i ka mbushur disa vite dhe është në gjendje të ecën vetë. Në rrugëtimin e sipër edhe mund të rrëzohemi nganjëherë, por mund të ngritemi përsëri dhe të vazhdojmë përpara...

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat