Kur do të jetë Shqipëria vend vërtetë demokratik?

Opinione

Kur do të jetë Shqipëria vend vërtetë demokratik?

Nga: Jak Simoni Më: 23 prill 2021 Në ora: 16:31
Jak Simoni

Ngjarja e rëndë e Elbasanit dhe të tjera si ajo, ndonëse më pak dramatike, tregojnë se më kot kemi festuar fitoren e demokracisë që para tridhjetë vitesh dhe me kot vazhdojmë t’i bëjmë retorikë asaj. Si gjithmonë vazhdojmë të humbim civilë e policë. Këto ndodhin nga mungesa e besimit tek institucionet e shtetit dhe tek zgjedhjet demokratike. Vihet re një shqetësim i partive kryesore ca për të blerë vota, ca për mos të lejuar të tjerët t’i blejnë.

Natyrisht shqetësimi më i madh është i opozitës, që mos të lejojë blerjen e votave, por nuk ka besim tu drejtohet institucioneve që mund ta ndalojnë këtë krim zgjedhor.  

Një arsye për mos të besuar është se kur ishin vetë në pushtet, për të njëjtin krim ose për krime të ngjashme, policia dhe prokuroria atëherë nuk kishin vepruar, për rrjedhojë dhe tani duhen të jenë të atij që është në pushtet dhe  nuk do të veprojnë. Kështu që ka ndërtuar struktura të tjera paralele por, siç u pa, deri tani me pasoja dramatike; vrasje, plagosje e burgosje.

Gjithë kjo ndodhi sepse akoma nuk jemi shtet vërtetë demokratik. Policia, prokuroria (që e kanë për detyrë të ruajnë procesin zgjedhor) dhe gjykata me mosveprimet e tyre në të shkuarën  e kane treguar veten se janë minimalisht të politizuara. Nga ana tjetër partitë, të paktën ato kryesoret, janë skllave të votave.

Preferojnë votat imediate; të manipuluara, të punësimeve paraelektorale, të bandave kriminale, të blera, sesa besimin afatgjatë të shumicës së qytetarëve të vërtetë. Deri tani asnjë  parti nuk ka pasur guximin t’i thotë jo votave të tilla, me arsyen se vota të tilla sot dëmtojnë imazhin për të nesërmen. Ky imazhi patjetër se do dëmtohet, n.q.s., siç shpresohet, shoqëria shkon gradualisht drejt ndërgjegjësimit dhe emancipimit.

Këtë të ardhme askush nuk e ka menduar deri tani dhe elektorati është konsideruar si turmë thuajse e kalbur, ku një pjesë e tij lehtësisht blihet ose manipulohet.

Shpresojmë në forcat e reja politike të mendojnë këtë të ardhme. Në një shoqëri të shëndoshë ndëshkimi do ishte dhe me votë për ato parti që bëjnë manipulimin moto të tyre.

Po të ketë votime të rregullta, ky ndëshkim nuk do të mungojë, sepse nuk është shumica mashtruese dhe manipuluese, por pjesa me parazitare e pjesës tjetër të shoqërisë (jo parazitar në kuptimin e Kunderes, se ashtu çdo njeri është një parazit i lopës). Shpresojmë në zgjedhje të rregullta, sepse  aty ku ka pseudozgjedhje nuk ka demokraci, por pseudodemokraci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat