Deklaratat se ligji për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme më së shumti godet diasporën janë qesharake

Opinione

Deklaratat se ligji për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme më së shumti godet diasporën janë qesharake

Nga: Adem Bytyçi Më: 23 prill 2021 Në ora: 17:52
Adem Bytyçi

Thëniet e disa gazetarëve dhe analistëve politik, kinse ligji për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme më së shumti godet qytetarët tanë të diasporës janë qesharake.

Përfaqësuesit e një mendimi të tillë janë në shërbim të atyre që kanë krijuar pasuri nga burimet e dyshimta dhe nuk janë në gjendje për t'i arsyetuar të hyrat nga të cilat i kanë krijuar pasuritë e tyre të dyshimta.

Arsyetimi i disa analistëve politik në shërbim të partive politike të cilat i kanë humbur zgjedhjet e fundit, se Ligji për Konfiskimin e Pasurisë i godet padrejtësisht më së shumti qytetarët tanë në diasporë sa është qesharak, po aq edhe i pabazuar në fakte dhe të dhëna ekzakte dhe për qëllim e ka mbrojtjen e pasurive të pajustifikueshme dhe amnistimin e pasurive të tilla nga eksplorimi.

Nuk ka më lehtë se të vlerësohen pasuritë e qytetarëve tanë në diasporë, se janë të ligjshme apo të paligjshme.

Ideja se qytetarët tanë në diasporë i kanë dërguar të holla kesh familjeve të tyre në Kosovë dhe kanë realizuar të hyra marramendëse duke punuar punë në të zezë, në shtetet e perëndimit ka të bëjë me kundërshtimin e zbatimit të ligjit për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme të atyre, që vetë mund të jenë subjekte të këtij Ligji.

Dëgjova një gazetar, i cili pas lufte është popullarizuar mjaftë me prononcimet e tij thuaj në të gjitha fushat, të thoshte, duke derdhur lot krokodili, se Ligji për konfiskimin e pasurisë sipas tij më së tepërmi i godet qytetarët tanë në diasporë.

Duke qenë se vetë jam në diasporë në perëndim, kam punuar, tani jam në pension dhe me kompetencë e pohoj se Ligji për konfiskimin e pasurive të paligjshme, të pajustifikueshme absolutisht nuk i godet padrejtësisht qytetarët tanë të diasporës, sepse pasuritë e tyre lehtësisht mund të vlerësohen se janë të ligjshme apo të paligjshme, sepse qytetarët tanë disponojnë dokumentacionin mbi të hyrat nga të cilat i kanë krijuar pasuritë e tyre eventuale.

Arsyetimi se kanë realizuar të hyra në të zezë dhe me ato të hyra kanë krijuar pasuri marramendëse është qesharake, sepse puna në të zezë në perëndim është e sanksionuar me ligj, dhe kontrollimi i ndërmarrjeve të cilat mbajnë punëtorë në të zezë është i përditshëm nga inspektorët përkatës.

Rast tjetër janë pasuritë e atyre qytetarëve tanë në diasporë, të cilën janë dënuar për veprimtari kriminale.

Kuptohet gazetarët dhe analistët, pasuritë e të cilëve janë marramendëse dhe vështirë të arsyetohen se janë krijuar nga burimet e ligjshme, nuk kanë si mos t'i kundërvihen Ligjit për konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe të pajustifikueshme .

Të gjitha shtetet e BE-së, e kanë një ligj të tillë, prandaj edhe në vendin tonë është e domosdoshme implementimi i një ligji të tillë për t'iu dhënë grusht definitivisht atyre që kanë krijuar pasuri marramendëse të kundërligjshme dhe të pa justifikueshme dhe t'ju merren pasuritë e tilla për t'ia kthyer pronarëve legjitim, qytetarëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat