z.Grenell, Albini votoi në Shqipëri se është atdheu i tij

Opinione

z.Grenell, Albini votoi në Shqipëri se është atdheu i tij

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 27 prill 2021 Në ora: 09:20
Albin Kurti

Reagime të ndryshme nga ish-ambasadori Richard Grenell, por edhe një pjesë e opozitës në Kosovë, duket sikur të jenë në sinkron me njëra tjetrën. Kur bëhet fjalë për Albin Kurtin, arkitektët e pazareve bëhen bashkë për të sulmuar kryeministrin e Kosovës, sa herë që Albini bën “edhe gabimin më të vogël”.

Kësaj radhe reagimet ishin për pjesëmarrjen e tij në votimet në Shqipëri, e të cilat e kanë mërzitur shumë Grenellin dhe shokët e tij në Prishtinë, pa përjashtuar këtu edhe zyrtarë të ndryshëm serb. Sa për t’iu kujtuar këtyre që kritikojnë Albinin, se në Shqipëri janë të regjistruar për të votuar mbi 3.5 milionë banorë, edhe pse në Shqipëri banorë rezidentë janë 2.8 milionë banorë. Kjo nënkupton se afërsisht 700 mijë banorë, në mesin e tyre edhe Albini kanë pasaportë shqiptare edhe pse nuk janë banorë rezidentë të Shqipërisë. Pra, Albini është njëri ndër 700 mijë votuesit e tjerë. Nuk ka votuar si kryeministër, andaj nuk kishte as kollare, thjeshtë ishte një qytetar i zakonshëm që hedh votën për atë që ai mendon se është më i miri.

Reagime të tilla, krejtësisht meskine, vetëm sa e përforcojnë Albini dhe zhveshin argumentin e opozitës, dhe atyre që nuk mendojnë si ai. Edhe unë jam për ta kritikuar Albinin dhe çdo zyrtarë shtetëror, mirëpo me argument dhe të kritikohet kur ajo ka efekt tek qytetarët, të cilët ai me veprimet e tija i kritikon. E kam kritikuar Albinin për mos shkarkimin e ministrit Aliu, pra mendoj se duhet shkarkuar çdo ministër që ka problem me ligjin. Këto janë akuza që lidhen direkt me jetën e qytetarëve, s’kemi pse të merremi me votën e tij në Shqipëri, një e drejtë të cilën ia garanton ligji, e të cilën nuk e ka shkelur.

Grenelli nuk po arrin assesi të kapërdijë faktin se nuk arriti të nënshtronte një lider të Kosovës, një vendi të vogël, me politikanët e mësuar për nënshtrim. Në këtë aspekt, edhe e kuptoj frustrimin e Grenellit dhe të diplomatëve serb por jo të disa politikanëve të Kosovës.

Vazhdoj ta them, se ka tema tjera për të cilat duhet ngritur zërin opozita, e të cilat janë më jetike për qytetarët e Kosovës. A voton a jo Albini apo ndonjë politikanë nga Kosova në zgjedhjet në Shqipëri s’ka farë rëndësi, në sensin që është e drejta e tij legjitime. Zërin duhet ngritur për tema të cilat ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve, e të cilat duket se janë harruar edhe nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Qeveria e ka obligim që të punojë për interesat e qytetarëve, për të cilat edhe është zotuar, ashtu si opozita që duhet të jetë kujdestare e qeverisë karshi primitive të saja. Albini, s’ka pse të kritikohet, as të gjykohet për votën e tij në Shqipëri. Albini duhet të kritikohet për ato që nuk realizon e të cilat ishin zotimet e tija gjatë fushatës. Në të kundërtën opozita dhe ata që e kritikojnë dalin qesharak para qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat