Frikë nga arsyeja

Opinione

Frikë nga arsyeja

Nga: Genc Xërxa Më: 30 prill 2021 Në ora: 08:27
Genc Xërxa

Çdo ditë në regjistrin mbi të vdekurit në ora 15:00, presim lajmet e IKSHPK-së, të viktimave brenda 24h para ekraneve. Gjithë ky mort ka kaluar në rutinë dhe në një absurd të tipit të vet ashtu që tani po duket se është normale dhe pjesë e pranimit, përbrendësimit tonë logjik. Po frikohem nga kjo mendësi. Në njërën anë kemi rastet e vdekjes e në anën tjetër aty për aty kërkojmë se si ti organizojmë dasmat. Nga një pikë e qëndrimit i hidhemi antagonizmit të skajshëm të kufirit tjetër. Këto diskurse ngjajnë brenda kontekstit kohor sekondash e të lidhura janë mes veti, sa të çrregullojnë apo formatojnë gjykimin sikurse trupat e përkulur të Faucault. Cilët jemi ne, të atij skaji apo të tjetrit, jemi të humnerës? Predikimet fetare na tregojnë se si duhet të sillemi, në shoqëri, familje, me vendin apo shtetin, po të gjitha këto veçse po na mbysin apo na ngufasin. I dëgjojmë sikurse vargje të bukura për vesh por asnjëra nuk përkon me mendimet apo qëndrimet tona. Veprimet i kemi tjera; “Hoxhë, prift, mbaroje zanatin tënd për çfarë thirresh dhe i lirë je” në kapakët e kokave të xhematëve apo kongregacionit kishtar dëgjojë ulërimën e tillë kumbuese brenda nesh!

Arsyeja nuk gjendet mes librave edhe nëse ato flasin për përvojat apo mendimet e njerëzve të ndryshëm me dramat dhe jetërat e tyre që mundohen të japin mesazh, s’do të thotë se ata dinë, apo kanë çdo gjë mbi vete, peshën e urtësisë apo thirrjen e mendjes. Po, se filozofët flasin vetëm ata çfarë dëshirojnë të dinë, duke lënë shumë gjëra tjera të paskjaruara, s’kemi çfarë i përcjellim apo i mendojmë ne ato, s’vlejnë për NE. Nuk po na lënë përshtypje as predikuesit fetarë edhe pse si xhematë po rritemi dita ditës. Nuk po shkojmë të mësojmë apo dëgjojmë aty diçka. Jemi aty sepse s’po dimë ku tjetër të shkojmë. S’po pranohemi se po bëhemi opozitë e botës reale degraduese duke gjetur strehim në atë transcendale. E ajo është e jona, aty nuk mund të hyni. Do ju kompleksoj dhe sugjestoi me botën e përtejme, atëherë kur jeni më së miri në jetë do ju mallkoj dhe do ndikoj që besëtytnitë që unë i kam si besimtar ti fali ty. Sa më shumë vuaj aq më i fortë po bëhem, arsyeja ime tani po punon më mirë, po pranon dhimbjen ndërsa po hedhim tutje gëzimin… është mëkat, damkë, verbëri. Të vuajmë, sa më shumë të vuajmë ky është çmimi i lirisë sonë mendore! Ta gjejmë rrugën më të gjatë drejtë askundit! Ndoshta gjatë pelegrinazhit mendor do kuptojmë arsyen nga këndi i absurdit!

Kush? Baballarët tanë, ata gjë nuk kishin ditur në jetën e tyre! Për arsye të tyre ne jemi sot këtu! Pse më linde në Kosovë! E nuk pata fatin që të jem në një shtet apo familje të kamur europiane! Në djallë me vendlindje, flamur apo bashkim të kombeve të shtrembëruara…dua jetë, pushtet, fuqi, s’mund të fshihem tërë jetën pas dhimbjes. Sepse edhe ajo ndoshta ndonjëherë do më ik nga duartë! Pastaj, po pastaj çfarë të bëjë?! S’di si të jetoj, me të vërtetë sepse askush nuk më mësoj si jetohet! Ju në shkollat tuaja më mësuat vetëm për vdekjen, mjerimin, vuajtjen dhe armiqësinë! Unë për atë arsye gjeta dhimbjen, se askush deri më sot nuk i këndoj jetës! Ju më mbollët frikën veshur me petkun e revoltës së shëndoshë! Shporruni! Ju të dijshëm!

Shkollat e juaja, haha… mos më bëni të qesh! Doktorë shkencash që vizitohen tek burdushët, talismanët e tu nuk lidhen mes qafe, ato duhet të jenë të koordinuara në fije nervore apo receptorë që punojnë në kokë. Çdo gjë mund të kemi por kokë jo, e rëndë është për trupin tonë. Ajo zakonisht ka vlerë për goditje, gilotinë apo për trageti për të fituar pak kohë, jo jo asnjëherë për të menduar apo bërë diçka të përdorshme. Për ne kanë menduar tjerët, arsyejen e kanë pasur ATA, ne kemi ndjekur instinktin, mekanikën dhe asnjëherë nuk kemi ngrit kokën lartë, se aq të rëndë e kemi pas, gjithnjë tri orë rëre jetë!

Nuk po blasfemoj aspak! Zotin ju e patët mes jush, menduat ta ndiqni por doli lajthitje…spo them herezi, por përgjigjën pse jemi kështu duhet ta kërkoni mes idhujve tuaj! Po, po, ata që i keni në kokë, s‘po flas për ata që i shohim çdo ditë mes nesh! Askush s’përmendi texhallin…!!!

Duhet të frikohemi nga arsyeja pasi ajo gjendet shumë pak e rrallë mes nesh! Unë si pjesë e një absurdi e ekzistence të ricikluar largona nga kjo arsyeje se po na i prish mendimet tona të skalitura me shekuj. Mekanika jonë nuk njeh kinetikë! Ne nuk kërkojmë zgjidhje apo përgjigje për atë çka duam. Ne jemi uniform, kemi një mbret ai na udhëheq me kërkesat, detyrat, dëshirat dhe tagrin tonë! Ne e ndjekim…sepse ai din, ne s’kemi nevojë të gjithë të jemi të dijshëm! Ne kemi zgjedh vuajtjen, mjerimin, viktimizimin, të lumtur që i kemi gjithnjë bashkë, aty kemi shpëtimin tonë! Arsyen mbani ju tjerët e ndiqni ylberin apo PSE-të, Si-të, Çfarë, ne jemi mirë kështu, kemi gjetur paqen me veten tonë, edh pse fortë mirë nuk dimë çka është ajo!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat