Demokracia dhe profili i liderit shqiptar

Opinione

Demokracia dhe profili i liderit shqiptar

Nga: Merxhan Jakupi Më: 3 maj 2021 Në ora: 18:01
Merxhan Jakupi

Kancelari i dikurshëm gjerman, Helmut Kohl, një ndër burrështetasit më karizmatik të fund shekullit 20 në Evropë, ishte arkitekti dhe protagonisti i bashkimit të dy shteteve gjermane. Kancelari Kohl, duke mbajtur një fjalim te sheshi në Berlin, theksoi se më në fund kishte fituar liberalizimi dhe demokracia, ndërsa turma e kishte pritur me fishkëllima dhe gjuajtje vezësh. Pas përfundimit të fjalimit, duke zbritur nga bina, gazetarët e pyetën kancelarin nëse ishte i emocionuar apo i revoltuar. Kohl me një buzëqeshje të butë u kishte thënë gazetarëve se nuk është i emocionuar e as i shqetësuar, për të vazhduar se derisa e kanë kritikuar e etiketuar, akuzuar dhe fyer, ai kishte arritur të bëhet një figurë, personalitet i shquar e karizmatik.

Kryeministri italian me shumë mandate, Xhulio Andreoti, një ndër politikanët dhe burrështetasit brilant dhe karizmatik, ka thënë se në karrierën e tij politike i kanë sjellë kënaqësi kritikat mbi fjalimet e tij në parlament nga kundërshtarët politikë. Por, pas debateve të ashpra, me kundërshtarët e tij politikë ulej e pinte kafe bashkë, për të vazhduar me biseda. Në Norvegji, bie fjala, i vetmi shtet në Evropë ku ka më shumë femra në përbërjen e parlamentit, pas përfundimit të zgjedhjeve, fituesit dhe humbësit apo pozita dhe opozita, uleshin bashkë për të festuar me koktej përfundimin e zgjedhjeve.

* * *

Është çështje tjetër se si do të silleshin dhe çfarë reagimesh do të kishin në këso rastesh liderët dhe politikanët shqiptarë apo ballkanas: mbase nuk do të përjashtoheshin dyshimet, akuzat, fyerjet dhe intrigat e ndryshme. Si janë sjellë dhe si do të silleshin e do të reagonin në parlament politikanët shqiptarë Nano-Berisha, Rama-Basha, Thaçi-Rugova, Ali Ahmeti-Menduh Thaçi, pas kritikave, sulmeve dhe fyerjeve? Është pak e besueshme se do të pinin kafe së bashku. Mbase nuk do të vepronin si ish-kryeministri italian Andreoti e të tjerë liderë demokratë evropianë. 

Sipas një gazetari dhe diplomati kroat, me origjinë boshnjake, Hido Bishçeviq, për atë se pse nuk kemi prototip apo mostër, siç janë liderët dhe politikanët evropianë, edhe në Ballkanin Perëndimor, fajëson truallin. Trualli këtu është i egër dhe lind politikanë të këqij. "Toka e egër - bari i keq", thotë filozofi gjerman, Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche).

Lidershipit shqiptar dhe ballkanas i mungon emancipimi, afiniteti, urtësia, toleranca dhe kultura politike. Kur shohin liderët evropianë se si kacafyten me dekada si gjela këta të Ballkanit Perëndimor, të cilët merren me anatema dhe anksionizëm, ata ofshajnë për ta se sa të mjerë janë, sterilë e të marrë, që ende merren me sindroma mesjetare, se populli i njeh fort mirë, por se ata nuk e njohin vetveten, dhe ndjejnë keqardhje për këtë popull të mjerë, që ka ende bajraktarë dhe klane. Armiqësia dhe intoleranca jetojnë mes lidershipit dhe politikanëve, të cilët krijojnë një precedent të rrezikshëm. Ata merren me fyerje, intriga dhe etiketime, deri në armiqësi të përbetuar.

SHPRESAT DHE ZHGËNIMET E SHQIPTARËVE

Kështu është rasti edhe me politikanët në Shqipëri, të cilët u ekspozuan pas zgjedhjeve të 25 prillit me jo racionalitet, jo objektivitet dhe pa pragmatizëm. Ata vazhdojnë edhe më tej t'i mbrojnë me klishenë e interesave personale, klanore dhe të nepotizmit, për të ardhur me çdo kusht në pushtet. Për ta humbja në zgjedhje është një tragjedi dhe mallkim.

Është normale që, si në çdo vend demokratik, ku mbahen zgjedhje të lira, të fillojnë me kampanjën zgjedhore, aktivitetet politike, debatet nëpër panele dhe në mjetet e informimit, ku subjektet politike, liderët dhe aktivistët shtrojnë idetë, programet dhe platformat e tyre. Javët e fundit, duke përcjellë mjetet e informimit, për zgjedhjet e fundit në Shqipëri, mund të vërehej një masë shumë e politizuar dhe e polarizuar, me një atmosferë të tensionuar deri në kërcënim, në përpjekjet për të anuar ndaj një lideri apo politikani. Kjo e njëjta përcillej më gjerë edhe në opinionin publik, ku nuk përjashtoheshin etiketimet, konstruksionet dhe fyerjet në stilin "tradhtarë", "qelbësira", "bisha", vasalë" etj., dhe secili i bie tupanit të vet për ta ngritur lart liderin e vet, deri në piedestalin e idhullit të rremë.

Këta militantë janë bërë skllevër dhe robotë të liderëve të tyre. Tek ne është ky një fenomen që po përsëritet vazhdimisht, si pasojë e politizimit të skajshëm të masës, polarizimit të interesave, mungesës së emancipimit dhe të kulturës politike, krizës së identitetit dhe problemeve sociale. Elektorati u beson liderëve të tyre politikë si për mesian, duke ushqyer iluzione se ata do të sjellin begati dhe mrekulli, se do ta bëjnë vendin parajsë, Zvicër apo si shtetet skandinave. Nuk kalon shumë kohë, po ata dalin të zhgënjyer, të frustruar e pa shpresa ndaj pritjeve që i kishin nga liderët e tyre që i kanë zgjedhur me votën e dhënë. Nga zhgënjimi i madh nuk shohin shtegdalje tjetër, pos që të ikin nga vendi për në shtetet perëndimore.

KONTRASTET BALLKANASE NDAJ PERËNDIMORËVE

Duke punuar disa dekada në Zvicër, ku dominon shteti i së drejtës, me traditë të gjatë demokratike, kam vërejtur qartë gjatë zgjedhjeve se janë të mëdha kontradiktat mes shoqërisë ballkanase dhe asaj perëndimore. Në periudhën e zgjedhjeve në Zvicër, fushata zgjedhore kalon me normalitet, pa tensione, politizime dhe polarizime. Nëpër rrugët kryesore vërehen kandidatët dhe politikanët të ekspozuar në pankarta, debate politike në televizion dhe rrjetet sociale. Kështu është atmosfera edhe në firma e kompani, ku masa më e madhe janë punëtorë. Atyre më së shumti u intereson ekonomia dhe fare nuk u intereson se cila parti do të fitojë, prandaj përkrahin atë që ofron më shumë reforma, të bëjnë investime dhe të hapin vende të reja pune.

Qytetarët zviceranë jetojnë në një shoqëri të emancipuar, të kulturuar, të disiplinuar dhe të pavarur. Për ta vota është e shenjtët dhe e fshehtë. Janë sovranë të votës së tyre deri në skajshmëri, madje as bashkëshorti nuk di dhe nuk interesohet se si dhe për kënd do të votojë partneri. Nëse deputeti i zgjedhur, bie fjala, nuk i përmbush premtimet, sikundër edhe ministri dhe të tjerë në funksione, atëherë ai e humb besimin së pari te subjekti i vet politik, të cilin e përfaqëson. Ata pas zgjedhjeve nuk merren me të kaluarën, hipotezat, fyerjet, shpifjet dhe paragjykimet, nuk i ngrenë liderët e tyre në idhull, por nëse e humbin besimin tek ndonjë funksionar, nuk e votojnë më atë në mandatin e ardhshëm. Ata të gjitha i lënë historisë që të gjykojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat