Gjykata speciale dhe kërkesat e të akuzuarve 

Opinione

Gjykata speciale dhe kërkesat e të akuzuarve 

Nga: Skender Musliu Më: 5 maj 2021 Në ora: 17:42
Skender Musliu

 Kohë më parë mbrojtja e të akuzuarve të Hagës kishte paraqitur kërkesë për lirimin nga paraburgimi me qëllim që ata të mbrohen në liri, mirëpo gjykatësi i procedurës paraprake kishte refuzuar këtë kërkesë.

Avokatët e të akuzuarve kanë ushtruar ankesë kundër këtij vendimi, dhe rrjedhimisht me 30 prill 2021, Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, kanë hedhur poshtë ankesën, me arsyetimin se të akuzuarit mund t’i përsërisin veprat penale, mund të ndikojnë te dëshmitarët, mund të arratisen, t’i prishin provat e tj. Mirëpo njeni nga tre gjyqtarët e Panelit ka përmendur mundësinë që të akuzuarit mund të mbrohen në liri, me kusht që një shtet i tretë të garantojë monitorimin e sigurisë sipas kushteve paraprake të përcaktuara nga Gjykata, që nuk ndodhë me automatizëm, por në bazë të analizave dhe vlerësimeve specifike nga Gjykata.

Pasi u bë publike mundësia eventuale e lirimit të akuzuarve, në media vërshuan lajmet se disa shtete tanimë kishin ofruar këto garanca, sikurse Sllovenia, Kroacia dhe Austria, si dhe filluan kritikat, pse institucionet  e Kosovës heshtin. Më të zëshëm ishin anëtarët e PDK-ës, të cilët me një agresivitet dhe gjuhë denigruese kritikojnë kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, se ata nuk po i ofrojnë këto garanci  Hashim Thaqit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, ashtu siç ishte vepruar me Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.

Është e vërtetë se Ibrahim Rugova kishte dhënë garanca për Ramush Haradinaj dhe Nexhat Daci për Fatmir Limaj, ashtu siç kishte vepruar edhe Kroacia për luftëtarët e vet.

Mirëpo duhet përkujtuar opinionit dhe PDK-ës, se Tribunali Penal Ndërkombëtar i Hagës i  themeluar nga Kombet e Bashkuara për hetimin e krimeve të luftës për hapësirat e ish Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Kosovën, dhe Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të Hagës, kanë një diferencë të pakrahasueshme dhe nuk kanë lidhje njera me tjetrën.

 E para është Gjykatë e Kombeve të Bashkuara, për të cilën vlejnë Ligjet e të Drejtës Penale Ndërkombëtare, kurse e dyta është Gjykatë e Kosovës me seli në Hagë, për të cilën vlejnë Ligjet e Kosovës dhe është nën jurisdiksionin e Kosovës, që heton krimet e supozuara që kanë ndodhur gjatë viteve 1998 – 2000, duke përjashtuar periudhjën e luftës.

Nga kjo konstatojmë se në Tribunalin Penal Ndërkombëtar  të Hagës është mbrojtur UÇK-ja dhe vlerat e saja, sikur dëshmon rasti Haradinaj, Limaj e tj., të cilët në fund të proceseve gjyqësore u shpallën të pafajshëm dhe u liruan. Meqë në këtë Tribunal është mbrojtur UÇK-ja, andaj ka qenë mase e domosdoshme që Kosova të garantojë për mbrojtjen e tyre në liri.

Për dallim nga kjo, në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, hetohen krimet e supozuara, jo të UÇK-ës siç pretendon PDK-ja,  disa gazetarë dhe media të paguara, por individët, për vepra penale jashtë periudhës së luftës, respektivisht para dhe pas lufte, përveç tjerash, për rrëmbime – kidnapime, maltretime, burgosje arbitrare, vrasje të kundërshtarëve politik tj. Dhe nëse kemi parasysh faktin se kjo Gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, madje duke ndryshuar Kushtetutën, kjo konsiderohet si Gjykatë vendore dhe çdo veprim i institucioneve ndaj kësaj Gjykate, do të ishte një aventurë juridike që do të  konsiderohej si ndërhyrje në drejtësi.

Por edhe sikur Zoti Kurti dhe Zonja Osmani të garantonin, kjo nuk është ligjërisht e mundur, sepse kjo vlen vetëm për ndonjë shtet të tretë, ashtu siç është shprehur gjyqtari i Panelit, madje edhe nëse të akuzuarit dënohen, burgun nuk do t’a vuajnë në Kosovë, por në Hagë ose në ndonjë shtet të tretë.

Këtë duhet t’a dijnë PDK-ja dhe  shumë të tjerë, të cilët abuzojnë  me UÇK-ën dhe nuk është e moralshme të manipulojnë me ndjenjat patriotike të qytetarëve përmes rrenave dhe mashtrimeve kinse në Hagë po mbrohet UÇK-ja, sepse vet Hashim Thaqi dhe PDK-ja thoshin se kush është kundër Gjykatës Speciale, është tradhtar dhe se kjo gjykatë do t’a pastrojë UÇK-ën.

Pikërisht këta që më së shumti thirren në UÇK-ën, kanë përfituar në emër të saj duke u pasuruar, kurse tani shesin patriotizëm, duhet ndalur këtë komedi.

Prandaj duhet të pushojnë shantazhet dhe presioni ndaj institucioneve të Kosovës, që bëhen  për qëllime të ulta politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat