Na janë çartë “çlirimtarët”!

Opinione

Na janë çartë “çlirimtarët”!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 5 maj 2021 Në ora: 21:05
Nehat Shaqiri

Kur u votua Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës, i madh e i vogël ishin kundër Lëvizjes Vetëvendosje. I shanin, i fyenin, pasi kjo nuk pranonte të votonte për Specialen. Iu thoshte se do të burgoseni, ata besuan të kundërtën.

Madje Hashim Thaçi me grupin e tij, iu bënin presion të hatashëm deputetëve. Edhe Ganimete Musliu, që sot qet lot krokodili, ishte e zëshme për votimin e saj.

Është dashur ta dinin se, asnjë Gjykatë nuk krijohet për të amnistuar njerëz, por për të dënuar për të bëmat e tyre kundërligjore.

E kjo edhe ndodhi. Disa që me “mish e shpirt” u munduan ta krijojnë Specialen, sot gjenden si të burgosur në Hagë.

Tash kërkohet lirimi i tyre nga Gjykata për të cilën ata me presionin e tyre e votuan deputetët e Kosovës. Madje kritikohet LVV-ja dhe qeverisja Kurti që tash kinse janë kundër UÇK-së!

Kjo është hipokrizia e këtyre “çlirimtarëve”, që kur ishin të lirë, bënë gjithçka, sepse kishin fuqi e mundësi, e sot, kur u “dhelprës iu kall bishti” u kall e gjithë bota!

Jo, jo. UÇK-ja ka emër të madh. UÇK-ja nuk përfaqësohet nga disa individ, kushdo qofshin ata, në Speciale apo të lirë në Kuvendin e Kosovës.

Madje është fyerje për UÇK-në dhe ushtarët e kësaj ushtrie të mundohet të përvetësohet lufta çlirimtare.

E drejtë apo e padrejtë. Gjykata Speciale u formua nga Kuvendi i Kosovës, nga udhëheqësit ‘kryesor’ të UÇK-së dhe nga presioni i tyre.

Askush nuk është fajtor pse të njëjtit sot akuzohen për krime lufte në Kosovë dhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë!

Askush nuk do të mund të dënohet pa fakte. Por ai që dënohet, dënohet për veprat e tij kriminale, jo për veprat e UÇK-së. Po të ishte ashtu, sot në Hagë do të ishin rreth 50 mijë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të paktën, këto shifra janë rrit po nga këto personalitete të UÇK-së!

Pra, nëse dënohet UÇK-ja do duhej të burgoseshin të gjithë veteranët, jo disa individë, komandantë apo gjeneralë të vetëshpallur!

Iu pëlqeu apo, jo, kjo është e vërteta që për dikë është zbardhje e UÇK-së, pastrim nga ‘kriminelët’ e për dikë është dënim i UÇK-së.

Gjithsecili le ta jep mendimin e tij. Por UÇK-ja nuk dënohet nëse dikush ka gjetur kohë gjatë luftës për pastrim hesapesh me kundërshtarët e tij!

Emrin UÇK, keni filluar ta njollosni qysh në ditët e çlirimit të Kosovës.

Pasurinë më të madhe në Kosovë, sot e kanë ata komandantët e gjeneralat e UÇK-së! Ushtarët e kësaj ushtrie disa po vuajnë për bukë, disa të tjerë kanë bërë vetëvrasje përshkak të shokëve të tyre që ishin në politikë dhe nuk menduan për ta!

Bëhuni më të drejtë, mos gjykoni të pafajshmit!

Liria ka emër, e ajo është UÇK!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat