Storja e një premtimi të pambajtur dhe ‘non-papers’

Opinione

Storja e një premtimi të pambajtur dhe ‘non-papers’

Nga: Isa Zymberi Më: 6 maj 2021 Në ora: 13:06
Isa Zymberi

Shkrimet fundit të Marc Weller-it, por edhe shume shkrime të tij të mëhershme mund të shërbejnë si udhërrëfyes për shumë çështje të Kosovës, qoftë për dialogun me Serbinë, apo dhe për shumë çështje të tjera në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Me Marc Weller-in jam njohur në pranverë të vitit 1992, kur sapo kisha filluar ta drejtoja Qendrën për Informim të Republikës së Kosovës në Londër dhe, që nga ajo kohë, ai nuk ka reshtur asnjëherë të ofrojë ndihmën e tij të paçmuar për Kosovën, sidomos në fushën e të drejtës ndërkombëtare por edhe në shumë aspekte të tjera.

Me Marc-un planifikuam dorëzimin e një memorandumi në Konferencën e Londrës të mbajtur në fund të gushtit 1992. Ky memorandum nuk u dorëzua për shkak të një inferioriteti të fshehur të një juristi në kuadër të delegacionit kosovar. Me Marc-un ishim marrë vesh që ai ta përpilonte një draft memorandumi mbi bazën e shumë materialeve që i kisha ofruar, të vinte në Londër dhe ta redaktonin atë me anëtarët e delegacionit tonë, dhe të nesërmën të ma përcillte tekstin përfundimtar për tu dorëzuar. E njoftova Rugovën se ata që duhej të uleshin me Marc-un për t’i dhënë memorandumit formën përfundimtare, po i bishtëronin takimit me të. Rugova më tha, ‘Lëre krejt se pastaj më nxjerrin telashe poshtë’ (fjala ishte për në Kosovë). U gjenda në një pozitë të palakmueshme. Marc-ut i thashë se delegacioni nuk ishte i gatshëm të dorëzonte një memorandum tani me arsyetimin se për të ishte dashur të punohej muaj më herët; i thashë se redaktimin e memorandumit do ta bëja vetë dhe do ta shikonim mundësinë e dorëzimit të tij në Konferencën Vazhduese të Londrës në Gjenevë që do të niste punën pas disa javësh. As aty nuk u dorëzua memorandumi. Më vonë LDK-ja e publikoi si memorandum të vetin tek Informatori.

Gjatë viteve ’90 vazhdimisht kemi punuar, unë vetë e përmes meje edhe qeveria në ekzil, me Marc-un dhe e kemi konsultuar për çdo gjë që ka pasur të bënte sidomos me ligjet ndërkombëtare. Kur i thosha Marc-ut se kisha presion nga qeveria ime për ta kompenzuar për punën që bënte, ai më thoshte se e donte vetëm një medalje kur të pavarësohej Kosova. Këtë e thoshte në një kohë kur as edhe një zyrtar i vetëm perëndimor nuk na jepte shpresë për pavarësi.

Kur zunë të ndizeshin shpresat e para për pavarësi, i pata thënë Marc-ut se kisha filluar të brengosesha rreth çështjes së medaljes, sepse nuk isha në pozitë t’ia siguroja. Ai, në stilin e tij, më tha se nuk i bëhej vonë, do të priste.

Çështjen e medaljes me Marc-un kujtoj se e zgjidha me një humor të lehtë në fillim të vitit të kaluar kur bashkë me fëmijët, Meritën e Tonin, shkuam për çaj te familja e Marc-ut në Kembrixh. Ia përmenda një medalje nga Thaçi, për të cilën kisha lexuar dikund, të ngatërruar me medalje të një grupi gazetarësh, por ai më tha se nuk e pranonte atë. Unë i thashë se po të kisha folur para dasmorëve kur mora pjesë në dasmën e tij, do t’i kisha thënë se nga Kosova e more medaljen, kurse tash kur po e shihja se me Norën kishin dhe dy fëmijë si rrezja, kjo vërtet ishte më shumë se medalje.

Kur u bë e ditur mbajtja e Konferencës së Rambujesë, i propozova Bukoshit që patjetër ta merrte Marc Weller-in në kuadër të delegacionit kosovar. Kështu edhe ndodhi, por dy ditë pasi i kishte filluar punimet Konferenca, Marc-u u kthye. Ishte zëvendësuar me një këshilltar shqiptar nga Shqipëria krejt i papërvojë në fushën e ligjeve ndërkombëtare por që vinte nga vija e Thaçit. Ishte dashur të largohej për shkak të numrit të kufizuar. E takova Markun në Londër, dhe me gjithë përmbajtjen e tij, tek ai vura re një zhgënjim të thellë. Në mbrëmje të po asaj dite, e kontaktova Bukoshin dhe i thashë që ta problematizonte çështjen e pranisë së Marc-ut duke i thënë se pa pjesëmarrjen e tij, delegacioni kosovar mund të humbte shumë. Pas dy ditësh Bukoshi më lajmëroj se Marc-u mund të shkonte përsëri në Rambuje. Me Bukoshin isha në kontakt të përditshëm dhe, sa i përket Marc-ut, ai më tregonte se shumë shpejt të gjithë anëtarët e delegacionit kosovar i kishin vënë re aftësitë e jashtëzakonshme të tij dhe se, sa herë u dilte ndonjë problem, thoshin ‘Ku është Vileri, ku është Vileri?’

Puna e Marc-ut për Kosovën, me gjithë angazhimet e shumta që ka pasur rreth problemeve të popujve të tjerë, nuk është ndalur asnjëherë dhe nuk e ka marrë asnjëherë vlerësimin e merituar nga Kosova. Marc-u vazhdon ta presë medaljen.

U zgjata me këtë hyrje të këtij shkrimi më shumë se ç’duhet edhe që t’i bashkohem thirrjes së Enver Robellit (një ndër opinionistët më të mirë kosovar, i cili jo vetëm shkruan mirë por edhe di çfarë thotë) për “pushtetarë, opozitarë dhe njerëz të tjerë” që t’i lexojnë analizat e Marc-ut.

...

Çdo problem i çfarëdo natyre qoftë, për tu zgjidhur, nevojitet së pari të zbërthehet duke i shkoqitur të gjitha elementet përbërëse të tij, të cilat mund të diskutohen duke i peshuar me kujdes të gjitha aspektet derisa të arrihet te qendrimi i duhur. Pikërisht këtë e ka bërë Marc-u në tri shkrimet e fundit. Por nuk duan harruar as shkrimet e tij të mëhershme.

Ne shqiptarët i dimë të gjitha, apo pretendojmë se i dimë, por kur vjen puna për t’i shtruar apo shkruar problemet tona, aty çalojmë keq. Ndoshta kjo ndodh edhe pse kemi një mal problemesh dhe ende pa filluar mirë të merremi me to, humbemi pikërisht si të ishim në një mal ku nuk dimë të orientohemi mirë. Falë ndonjë përjashtimi, ne kemi probleme të mëdha me elokuencën.

Delegacionet kosovare nga të gjitha ndërmarrjet negociuese, hiq Rambujenë, ku kishte këshilltarë të jashtëm jashtëzakonisht të aftë, është tashmë e ditur se lënë shumë për të dëshiruar. Ato asnjëherë deri më tash nuk i kanë kuptuar si duhet negociatat dhe gjithnjë kanë krijuar përshtypje të gabuara sikur po dilnin fitimtarë në to.

Megjithëqë, në vija të trasha, gjeopolitika është konstante, ajo për nga natyra është dinamike dhe në brendi përjeton ndryshime të vazhdueshme, të cilat duan përcjellë dhe vlerësuar me vëmendje.

BE-ja e sotme ka një rol të zbehur. Aty shquhet vetëm Gjermania, kurse të tjerat shtete anëtare janë të shkapërderdhura në qendrime. Franca, ta zëmë, me gjithë rëndësinë që mund ta ketë, nuk ia del asnjëherë të lirohet plotësisht nga sentimenti i vjetër prorus, prandaj gjen mënyra t’i rrijë afër Serbisë.

Insistimi nga pala kosovare për pjesëmarrjen e SHBA-së në dialog është shumë me vend, por ky insistim duhet të shoqërohet me punë të organizuar të të gjithë elementit shqiptar dhe miqve tanë në SHBA.

Lënia anash e Britanisë së Madhe, ndërkaq, është gabim.

Fakti që dy kryenegociatorët e BE-së vinë nga shtete që në mënyrë idiotike refuzojnë ta njohin Kosovën (dhe mua më lejohet ta përdor këtë fjalë pasi që nuk kam asnjë pozicion politik apo diplomatik) nënkupton se njohja reciproke Kosovë – Serbi as që është në rend dite. Njohja reciproke Kosovë – Serbi është pjesë e pazarit të Serbisë me Perëndimin. Këtu ajo shikon të përfitojë maksimumin duke luajtur me kartën Rusi-Kinë që e mba në xhep. Nëse në negocia, bëhen përpjekje të lidhet njohja reciproke me lëshime të papranueshme që mund, siç ndodh rëndomë, t’i kërkohen Kosovës, atëherë negociatorët tanë duhet ta kenë të qartë se po vazhdohet me vargun e gënjeshtrave, që vinë nga BE-ja, të tipit ‘pranojeni vijën kufitare me Malin e Zi se ju liberalizojmë vizat’. Gënjeshtrat si kjo duhet t’u bëhen të qarta ndërmjetësuesve europianë, natyrisht me një gjuhë pak më diplomatike.

Kosova duhet të ndihet si shtet, të sillet si shtet dhe të paraqitet si shtet. Mosnjohja nga shtete të ndryshme, edhe sipas ligjeve ndërkombëtare, nuk nënkupton asnjëherë mosekzistencë.

Përfaqësuesit dhe delegacionet negociuese të Kosovës punën më të madhe duhet ta bëjnë pa u nisur për Bruksel. Në këtë pikëpamje shtyrja që u bëri negociatave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për në qershor është e mirëmenduar. Nuk shkohet në Bruksel për të nënshkruar dokumente të rëndësishme me kusht që ato të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës pas kthimit mbrapa.

Po ashtu, paraqitjet në OKB duhet të jenë dinjitoze (ashtu si në rastin e Donika Gërvallës para disa javësh) dhe të shfrytëzohen për t’u mbajtur leksion Serbisë dhe shteteve që e përkrahin atë, e jo për tu konfrontuar me Serbinë dhe aleatët e saj, por gjithnjë pa lëshuar pe për çështje thelbësore siç ishte rasti i mbajtjes apo heqjes së falmurit të Kosovës sipas kërkesës së Rusisë. Paraqitjet në OKB nuk duhet të bëhen për populizëm. Edhe mediat në Kosovë duhet të jenë më të kujdesshme që mos të nxisin populizëm me tituj bombastik si ky apo ai politikan ‘e dridhi’ këtë apo atë shtet. Duhet të evitohet folklorizimi i politikës.

Çështja e njohjes reciproke me Serbinë është tash për tash, një iluzion, ashtu siç është edhe anëtarësimi në OKB. Këto dy çështje, Serbia me dinakëri i ka vendosur në një nivel tjetër ku Kosova nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi përveç nëse pranon t’ia plotësojë Serbisë kërkesat absurde, të cilat edhe vetë ajo e di se janë tërësisht të papranueshme për Kosovën. Serbia është mjeshtër për lojëra të këtilla.

Kosova duhet me këmbëngulje t’i ndjekë të drejtat që i takojnë. Ajo duhet të insistojë fort në ushtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e saj. Hapja e çështjes së këmbimit të kufijve e dëmton (dhe tashmë e ka dëmtuar) pikërisht këtë synim. Çështja e ‘minishengenit’ që i erdhi si thikë pas shpine nga kryeministri i Shqipërisë, e që për hir të miqësisë së ngushtë me SHBA-në, qeveria Hoti u detyrua ta pranonte, vetëm sa ia mundëson Serbisë një largim të mëtejshëm nga njohja ndonjëherë e Kosovës.

Qeveria kosovare duhet të angazhohet vazhdimisht në realizimin e standardeve europiane, pa marrë parasysh nëse do të pranohet ndonjëherë në BE ose jo, pa marrë parasysh a i liberalizohen ndonjëherë vizat ose vazhdojnë të mbahen peng thjesht e gënjeshtrave të shteteve të ndyshme.

Krahas këtyre, Kosova duhet të mos i lërë pasdore asnjëherë të drejtat e viktimave të Kosovës në luftën e fundit, qofshin të civilëve të vrarë, të të shpërngulurve me dhunë në baza etnike, që është akt gjenocidi, të djegies e dëmtimit të pronave të shqiptarëve e deri te plaçkitja e te hollave dhe gjësendeve të tjera me vlerë. Duhet të insistohet në bërien e drejtësisë për të gjitha këto, por, në të njëjtën kohë, çdo qeveri kosovare duhet të garantojë se joshqiptarët në Kosovë nuk do të trajtohen kurrë siç janë trajtuar vetë shqiptarët nga regjime të njëpasnjëshme serbe për më se një shekull.

Nga Serbia duhet të kërkohet vazhdimisht dhe kudo që t’i pranojnë krimet e luftës dhe ta marrin përsipër dëmshpërblimin për shkatërrimin e të mirave materiale, t’u kërkohet që të mos i mbajnë të fshehur individët që kanë bërë krime, t’i japin të gjitha informacionet për të zhdukurit. Zyrtarët serbë janë mjeshtër të gënjeshtrave, prandaj kërkohet shumë punë që ata të nxirren zhveshur para ndërmjetësuesve apo zyrtarëve të tjerë perëndimorë.

Në këtë kontekst vlen të përmendet një gjë që ndodhi para disa javësh. Një serb e quajti Vuçiqin tradhtar; shumë shpejt pasoi reagimi i Vuçiqit duke ia kthyer atij se në këtë datë, në këtë orë të këtij viti ka qenë në këtë rrugë bashkë me pesë-gjashtë të tjerë duke plaçkitur shqiptarët që ishin detyruar të iknin drejt Malit të Zi. I njëjti iu kundërpërgjigj Vuçiqit se nëse nuk do të kërkonte falje, do të tregonte për të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë nga forcat serbe.

Çuditërisht, pas kësaj, shumë gazeta kosovare dolën me artikuj duke thënë se, ja, Vuçiqi po i pranon krimet në Kosovë. Këtu nuk ka fare rëndësi i pranon Vuçiqi krimet në Kosovë ose jo. Ato janë të dëshmuara ndërkombëtarisht dhe pikërisht mbi bazën e këtyre krimeve intervenoi NATO. Me rëndësi është se Vuçiqi dhe institucionet e sotme serbe po shihet se i kanë të gjitha të dhënat e sakta deri dhe në detaje për të gjitha krimet që ushtria dhe paramilitarët serbë i kanë kryer në Kosovë. Plaçkitja e kosovarëve vjen gati në fund të listës në raport me krimet e llahtarshme të vrasjeve të fëmijëve të grave e burrave të të gjitha moshave madje dhe të lojës me kufomat e tyre duke i fshehur thellë në territorin serb, të përdhunimit të vajzave e grave dhe shumë krimeve të tjera. Institucionet serbe i kanë të gjitha detajet për këto, edhe ndërkombëtarët e kanë të ditur këtë fakt, prandaj, kjo duhet t’u thuhet edhe atyre ndërkombëtarëve që me aq lehtësi i shtrëngojnë dorën njeriut që gjatë luftës në Bosnjë dekalronte me zë e figurë se, për çdo të vrarë serb, do të vriteshin njëqind myslimanë.

Nuk ka gjë të keqe nëse, ata që janë fajtorë, i bën të ndihen fajtorë.

Sa u përket kishave serbe në Kosovë, kosovarët duhet të deklarohen se nuk do të lejojnë kurrë të dëmtohen kishat për të cilat ata vetë janë përkujdesur me shekuj.

Është e nevojshme të fillojë një reciprocitet pozitiv midis Kosovës e Serbisë, pra të garohet kush do të kujdeset më shumë për komunitetet që jetojnë brenda kufijve të tyre dhe të mos merret ky fakt si arsye për ndryshim kufijsh. Ndryshimi i kufijve sjell probleme që nuk mund të parashikohen dhe shtetet e dala nga ish-Jugosllavia nuk janë të përgatitura të përballen me to.

Pa e kaluar mirë aferën e ndryshimit të kufijve të ndërmarrë nga treshja Vuçiq-Thaçi-Rama, Kosovës tash iu hodhën në terren ‘non-papers-at’. Nëse ato nuk e kanë burimin në Gjermani, atëherë nuk ia vlen të merresh me to. Është shumë më mirë t’i trajtosh si ‘pampersa’ dhe të mos i marrësh në dorë fare, e sidomos të mos shpurdhësh nëpër to.

Në momentin e pikërishëm, është mençuri të insistohet në ruajtjen e kufijve ekzistues.

Mirëpo, nëse vërtet dikush përpiqet t’i shtrojë këta ‘non-pa(m)persa’ në tryezën e negociatave, atëherë pala kosovare e ka mundësinë e një propozimi që do të mund të shërbente si projekt pilot për zgjidhjen e problemit të kufijve, pra, le të propozohet që së pari të gjitha territoret shqiptare të përfshira në Maqedoninë e Veriut t’i bashkohen Shqipërisë. Ato territore padrejtësisht i janë shkëputur Shqipërisë në një kohë kur Maqedonia (tash e Veriut) nuk ekzistonte si entitet. Ajo, më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, u bë republikë e manufakturuar komuniste në kuadër të ish-Jugosllavisë. Nëse shkon puna mirë me këtë projekt pilot, le të kalohet pastaj te territoret shqiptare në Malin e Zi, e nëse edhe këtu shkon puna mirë, le të vazhdohet me Kosovën dhe krejt në fund le të përfundojnë katër fazat e këtij projekti duke ia bashkuar Shqipërisë territorin e Çamërisë. Kjo do të përmbyllte problemin e kufijve shqiptarë, kurse do t’u mbetej të tjerëve të merreshin me kufijtë e Bosnjës. Mbase ky problem do të bartej edhe në Vojvodinë, dhe sigurisht nuk do të ndalej aty... Këtu shihet absurditeti i ideve të këtilla, anise në parim nuk mund të kundërshtohet e drejta e popujve që të kenë territore kryesisht kompakte në baza etnike. Çdo njeri normal duhet ta kaptojë se jetojmë në një botë jo të përkryer ku madje dhe gabimet historike rrallëherë përmirësohen apo nuk përmirësohen asnjëherë.

Shqiptarët në përgjithësi duhet t’i përkushtohen mbrojtjes dhe ruajtjes së territoreve të veta aty ku jetojnë dhe të insistojnë të kthehen në pronat e veta në territoret prej nga janë dëbuar.

Walt Whitman, në një strofë të poezisë së tij të njohur ‘Këngë rrugës së madhe’ thotë: “Shkojmë! Përmes betejash e luftrash!

Synimi që është ëmërtuar s’mund të kundërkërkohet.

A kanë pasur sukses betejat e kaluara?

Çfarë kanë sjellë? Për vetë ty? Kombin? Natyrën?

Tani më kupto mirë – është në thelbin e gjërave se prej çdo fryti të suksesit, pa marrë parasysh çfarë, do të vijë diçka që do ta bëjë të domosdoshme një betejë edhe më të madhe.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat