Gjeopolitika dhe rëndësia e hartave

Opinione

Gjeopolitika dhe rëndësia e hartave

Nga: Burim Breznica Më: 8 maj 2021 Në ora: 09:54
Burim Breznica

Të gjitha shtetet në botë kanë gjeografinë e tyre dhe përparësitë apo kufizimet që sjell ajo. Pozita gjeografike e bën një vend të rëndësishëm qoftë për shkak të pozitës strategjike, për arsye të resurseve apo kontributit për paqe dhe siguri (psh. lejimi i shfrytëzimit të territorit, hapësirës ajrore dhe porteve detare një aleance ndërkombëtare si NATO për ndalje të agresionit serb në Kosovë) siç pat bërë shteti amë, Shqipëria më 1999. Një kontribut i tillë humanitar dhe strategjik, në këtë rast edhe me rëndësi jetike kombëtare e forcon rolin ndërkombëtar të një shteti edhe më shumë. Nëse një shtet ka qasje në det psh. ajo është një pasuri e madhe natyrore, një potencial i madh për kontroll dhe për zhvillim ekonomik, për gjetje resursesh tjera dhe për zhvillimin e turizmit, përveç tjerash.

Gjeopolitika është përmendur për herë të parë nga profesori suedez i shkencave politike, R. Kjellen më 1899 që e quante ”si një qasje realiste të politikës ndërkombëtare që vë fokusin tek roli i territoreve,  resurseve dhe gjeografisë fizike në formimin dhe zhvillimin e shteteve” (K. Dodds Geopolitcs, Oxford University Press 2019, f. 23–27).

Ndërsa profesori anglezo-amerikan i gjeografisë politike, J. Agnew thotë se ”imagjinata gjeopolitike e ka përcjell gjatë politikën botërore në kuptimin që shtetet kanë kërkuar të zgjerohen territorialisht përmes fuqisë së tyre, të ushtrojnë kontroll në shtetet dhe rajone tjera si dhe resurset e tyre por edhe t’i tejkalojnë konkurrentët në dominimin botëror” (J. Agnew, Geopolitics, Routledge 2007, f. 1–15). Agnew shkruan më tej se hartat e vjetra imagjinative shfaqnin Evropën si ”një mbretëreshë” mes kontinenteve që tregonte një dallim nga të tjerët por edhe një sens superioriteti (f. 88–89).

Gjeopolitika pra në kuptim të gjerë shikon mënyrat se si funksionojnë marrëdhëniet ndërkombëtare duke marrë parasysh faktorët gjeografikë, barrierat natyrore të maleve apo shtrirjet e lumenjve, territoret dhe klimën, popullsitë, fuqinë dhe diversitetet kulturore si dhe qasjen në resurse natyrore. Ndërsa hartat gjeopolitike janë të rëndësishme, varësisht a jane antike apo moderne, ato na tregojnë gjërat që dëshirojmë t’i dimë, jo vetëm se ku jemi por edhe për ku është nisur bota në përgjithësi.

Gazetari britanik, T. Marshall në librin e tij ”Të burgosur nga gjeografia” (Prisoners of Geography, Scribner, 2015) shkruan për gjeopolitikën aktuale botërore. Në vazhdim do të përmend disa gjëra dhe fakte kryesore që lidhen me gjeografi dhe gjeopolitikë në nivel global. Në pjesën e fundit do të shkruaj për Kosovën, Shqipërinë dhe Ballkanin.

Përse Amerika nuk do të mund të pushtohet ndonjëherë? Si është Kina e ndikuar nga gjeografia e saj? Çka do të thotë që Rusia duhet të ketë një marinë ushtarake aktive por poashtu ka porte të ngrira 6 muaj në vit? Pse do të jetë e vështirë për Evropën të jetë e bashkuar në të ardhmen? Të gjitha këto pyetje e kanë përgjigjen në gjeografi sepse varen nga ajo dhe nga gjeopolitikat globale shkruan Marshall në faqet 2–10 dhe 273–277.

SHBA

SHBA është fuqia më e madhe ushtarake dhe ekonomike në botë falë potencialit të jashtëzakonshëm njerëzor. Ajo ka edhe gjeografinë në favorin e saj, ka qasje direkte në dy oqeane, dhe një sipërfaqe të madhe territoriale, shumica e saj tokë fertile. Për shkak të faktorëve gjeografikë por edhe të fuqisë ushtarake, të armëve bërthamore, të teknologjisë dhe kontrollit të oqeaneve dhe hapësirave të ndryshme ajrore është pothuajse e pamundur të pushtohet Amerika. Amerikanët mund të fluturojnë me avion ushtarakë prej Misurit/SHBA në Mosul (Irak) pa pasur nevojë të ulin avionët për të rimbushur me karburant (f. 7–10). Kjo dmth që atyre jo me çdo kusht iu duhen aleatë apo vende pritëse për të realizuar atë. Por, me aleatë tjerë është me lehtë dhe më praktike. Fuqia ajrore ka ndryshuar rregullat e lojës sikurse informacioni dhe interneti por edhe gjeografia ende luan rol të madh. SHBA pritet të mbetet lidere globale edhe në dekadat e ardhshme.  

Kina

Si është Kina e ndikuar nga gjeografia e saj? Kina ka popullsi (1.4 miliardë banorë) dhe territor të madh por ajo nuk ka qenë kurrë një fuqi detare. Kina ka qenë fuqi tokësore. Pra Kina nuk ka një marinë të fuqishme detare që do të mund të lundronte dhe patrullonte në ujërat e Oqeanit Paqësor, atij Atlantik dhe Indian. Kina po mundohet ta ndryshoj këtë por këto kufizime e vënë në disavantazh të madh në krahasim me fuqinë më të madhe ushtarake që bota ka parë ndonjëherë, pra me SHBA-të (f. 41, 56).

Nëse marrim shembull rastin e Kinës dhe Indisë që tregon një tjetër kufizim gjeografik për të dyja vendet psh, ato janë dy vende me popullsi masive, kufizohen mes vete në një gjatësi të madhe por nuk janë në aleancë politike ose kulturore mes vete. Ato nuk kanë luftuar mes vete gjatë historisë, përveç një beteje të shkurtër njëmujore më 1962. Arsyeja kryesore është së në kufirin mes tyre janë Himalajet që janë malet më të larta në botë dhe praktikisht është e pamundur të lëvizësh apo transportosh ushtri dhe makineri të mëdha ushtarake përmes atyre ose edhe mbi ato male argumenton Marshall (f. 2, 49, 50). Një tjetër problem i madh për partinë komuniste dhe Kinën sipas Marshall është se rreth 40% e sipërfaqes së Kinës nuk është tokë fertile dhe i duhet ushqim për të ushqyer popullsinë e saj (f.55) etj.

Rusia

Rusia është një vend i madh, ka armë bërthamore dhe pasuri natyrore. Por, problemi i Rusisë është të kontrolloj fushat e rrafshta nga ana e Perëndimit. Nga andej polakët kishin sulmuar rusët në vitin 1605, pastaj suedezët të udhëhequr nga mbreti Karl XII-të më 1708, francezët me Napoleonin më 1812 dhe gjermanët dy herë, më 1914 dhe më 1941, shkruan Marshall tutje (f.12–13). Mungesa e një porti ujor të nxehtë me qasje direkte në oqeane ka qenë gjithmonë dobësia tjetër apo ”thembra e Akilit” të Rusisë. Kjo e vë Rusinë në disavantazh të madh gjeografik (f.19–20). Sevastopoli në Krime është porti i vetëm detar i ngrohtë dhe kjo është një nga arsyet përse ata vepruan kundër Ukrainës. Rusët kanë filluar të ndërtojnë flotën e tyre të Detit të Zi atje. Qasja nga Deti i Zi në detin e Mesdheut është e kufizuar nga Konventa e Montreux e vitit 1936, e cila i ka dhënë Turqisë tani anëtare e NATO-s kontrollin e ngushticave të Bosforit (dhe Dardaneleve). Marina detare ruse kalon andej në mënyrë të kufizuar por në  rast të  një  lufte eventuale, kalimi nga aty nuk do të  lejohej thekson Marshall (f. 22-24).

Një problem tjetër strategjik për rusët është se në rast lufte, marina detare ruse nuk mund të dal as nga Deti i Zi, për shkak se ngushtica Skagerrak që i lidh me detin Verior kontrollohet nga Danimarka dhe Norvegjia, që janë vende anëtare të NATO-s shkruan më tej Marshall. Pra, mund të konstatohet se ndikimi i Arktikut e kufizon Rusinë që të jetë një fuqi botërore.

Evropa Perëndimore

Evropa është kontinenti i lindjes së Renesansës dhe Revolucionit Industrial që ka ndikuar në dukjen e botës sot. Evropa ka një gjeografi shumë të mirë me klimë kryesisht të përshtatshme, toka të rrafshta dhe lumenjë të lundrueshëm e male të larta shkruan Marshall (f. 6, 92). Pse do të jetë e vështirë për Evropën të jetë e bashkuar në të ardhmen? Arsyeja kryesore është se në Evropë (BE) janë kombe dhe popuj të ndryshëm që kanë identitet të fuqishëm kombëtar dhe së pari ndihen psh. si francezë etj. e pastaj si evropianë, për dallim prej amerikanëve që kanë shumë shtete por ata ndjehen si amerikanë. Kjo shpjegohet edhe me gjeografinë dhe historinë e unifikimit amerikan (f.69). Arsye tjetër është konkurrenca dhe rivaliteti mes tyre. Psh. Franca dhe Polonia dëshirojnë ta mbajnë Gjermaninë të ”mbyllur” në BE dhe NATO kurse rusët sa më larg Evropës, kjo për arsye historike shkruan Marshall (f. 100). Unë do të shtoja se Gjermania është superfuqia kryesore ekonomike dhe ka ndikim të madh politik (së bashku me Francën dhe Anglinë e cila tashmë është jashtë BE) në Evropë. Ajo luan rol të madh për sigurim të paqes dhe stabilitetit evropian sikurse e ka dëshmuar këtë për shumë dekada tashmë. Por në mënyrë që BE të jetë një fuqi globale dhe të përballet me Rusinë si psh. për Ukrainën, Arktikun etj., asaj i duhet unifikim dhe kooridinim më i madh mes vete dhe mbështetje nga SHBA.

Gjeopolitika në Ballkan

Gjeopolitika klasike në Ballkan ka ndryshuar pasi që tashmë nuk ka një perandori që e ka nën sundim si dikur. Shumica e vendeve të Ballkanit shikojnë kah Evropa perëndimore dhe SHBA përveç Serbisë, e cila me popullsi sllave dhe ndikim të fuqishëm të Kishës ortodokse ”shikon dhe përfiton” por edhe përdoret nga Lindja. Rusia e ofron Serbinë në orbitën e saj përmes ndikimit sllav (kombësia, gjuha, feja), marrëveshjeve për energjinë dhe armatimit të saj. Pastaj përmes ”Qendrës humanitare ruse” në Serbi tenton edhe të ”vezhgoj” faktorët perëndimorë në Kosovë dhe së voni, Rusia ka hapur në Beograd edhe ”Qendrën Ballkanike të Rusisë” përmes të cilës do të mundohet të shtrij ndikimin e saj në rajon. Kina po tenton njësoj që përmes ”gjeopolitikës së vaksinave” dhe investimeve të tjera në Serbi dhe Ballkan të ushtroj ndikimin e saj. BE e dijnë dhe e kuptojnë ”lojën e Serbisë” por disa vende ende po e ”përkëdhelin” sepse shqetësohen se mos ata po orientohen tërësisht kah politikat ruse dhe kineze e jo nga BE dhe ajo do të sillte jostabilitet dhe pasiguri në Ballkan dhe në kufijtë e BE-së si psh. Kroaci, Hungari (të cilat janë edhe vende anëtare të NATO-s) etj. Disa vende të tjera e mbështesin për shkak të interesave ekonomike kurse të tjera për arsye aleancash historike. Edhe Turqia po tenton të shtrij ndikimin e saj në Ballkan përmes politikave të ashtuquajtura ”të buta” apo ”soft power” si psh. investime në ekonomi, infrastrukturë, energjetikë etj.  

Një gjë me rëndësi duhet tu rikujtohet atyre që publikojnë letra jozyrtare/non-papers  (qofshin nga Serbia apo aleatët e saj, nga ndonjë OJQ eventuale apo ”ndonjë fantazmë”, të financuara nga qarqe me agjenda të fshehta politike) dhe që ”imagjinojnë lojra me harta” apo me ”distrikte autonome” që mund të jenë si ”balona testues” për matje pulsi të opinionit, të tillët duhet ta kenë parasysh se ato lojra me harta imagjinative kufijsh nuk mund të realizohen pa faktorin kyç për paqe dhe stabilitet në Ballkan, pra pa shqiptarët. Nuk është viti 1878 ose 1913 dhe as viti 1919 kur nga fuqitë e kohës janë bërë eksperimente me harta dhe me popujt e vegjël.

Faktori shqiptar ka sot rol vendimtar në Ballkan. Shqipëria psh. ka një pozicion shumë të rëndësishëm gjeostrategjik në Ballkan sepse ka dalje në Detin Adriatik, ka një vijë bregdetare rreth 400 km nga veriu në jug. Në jug të vendit, pozita e saj forcohet edhe më tej me qasjen në Detin Jon dhe pasi gjendet në kryqëzimin e rrugëve më të shkurtra që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan e Azinë e Vogël dhe kontrollon kalimin përmes kanalit detar të Otrantos. Anëtarësimi në NATO e ka bërë Shqipërinë faktor edhe më të rëndësishëm ushtarak dhe gjeostrategjik në Ballkan. Këtë e dëshmon edhe stërvitja aktuale ushtarake ”Defender Europe 21” me rreth 28 mijë ushtarë nga 25 vende anëtare të NATO-s e udhëhequr nga SHBA, që është me e madhja në rajon. Kjo stërvitje filloi më 4 maj dhe do të zgjas deri në qershor. Edhe FSK pritet të marr pjesë. Rreth 6 mijë ushtarë amerikanë janë vendosur në 6 baza ushtarake të Shqipërisë. Kurse ambasadorja amerikane Y. Kim sipas Exit news më 4 maj, ndër të tjera tha: ”Ne falenderojmë Shqipërinë që kurrë nuk ka hezituar të ndihmoj aleatët. Shqipëria ka një lokacion strategjik, kjo stërvitje tregon aftësinë që ka SHBA të dërgoj forca ushtarake ku janë të nevojshme dhe përkrahja jonë për NATO-n është evidente”. Edhe Kosova si një shtet i ri e në konsolidim, i mbështetur nga Perëndimi dhe miq të tjerë, tashmë me forcat e veta të sigurisë (FSK), me policinë profesionale e të trajnuar si dhe me prezencën e forcave të NATO-s në territorin e saj është faktor me rëndësi për paqe dhe stabilitet. Gjithashtu edhe shqiptarët në Maqedoninë Veriore janë faktor i rëndësishëm në qeverisjen dhe stabilitetin e atij vendi sikurse edhe shqiptarët në Mal të Zi që janë në qeverinë aktuale atje kontribuojnë për paqe dhe të drejtat e tyre.

Qeveria e Kosovës së bashku me Presidenten, parlamentin dhe institucionet e tjera e kanë për detyrë që të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e vendit, natyrisht duke u koordinuar edhe me Shqipërinë e shqiptarët, me aleatët dhe miqtë e shumtë ndërkombëtar që ka Kosova. Dhe kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse këto institucione kanë marrë besimin dhe mbështetjen nga shumica e shtetasve të Kosovës.

Autori ka specializuar në Administratë Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat