Vazhdon agonia e PDK-së

Opinione

Vazhdon agonia e PDK-së

Nga: Skender Musliu Më: 8 maj 2021 Në ora: 18:22
Skender Musliu

Opozita, në veçanti PDK-ja ende nuk po mund të pajtohet me faktin dhe fatin, që populli me votën e tyre i ndërshkoi për keqpërdorimet dhe keqqeverisjet 20 vjeçare, duke ua ulur atyre vlerën dhe pazarin politikë.

Nervozizmi i opozitës, e në veçanti i PDK-së, sikurse në mbledhjet e kaluara të Kuvendit, ashtu edhe në të fundit, nxjerri në pah papërgjegjshmërinë, arrogancën dhe mungesën e kulturës elementare të disa deputetëve, e sidomos të PDK-së.

Kjo gjuhë kaq e ulët e PDK-së u intensifikua pas një video, në të cilën Zonja Gërvalla në një intervistë në vitit 2016, kishte deklaruar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli bashkë me SHIK-un duhet të japin llogari për vrasjet e veprimtarëve për periudhën para dhe pas luftës, por duke mos implikuar në asnjë rast UÇK-në. Duhet theksuar se në atë kohë Zonja Gërvalla nuk ka qenë në politikë, ka shprehur mendimin e saj personal, që përputhet me mendimin e pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës.

Në seancën e fundit, për këtë intervistë Zonja Gërvalla, Minisistre e Punëve të Jashtme, në mënyrën më të vrazhdët dhe më mizore u kritikua nga disa deputet, e në veçanti nga Abelard Tahihi, i cili tha se Gjykata Speciale është formuar në bazë të kërkesës dhe provave të Serbisë dhe akuzoi Zonjën Gërvalla se Serbinë e ka sjellë në Kosovë, sepse ajo po e luan rolin e zëdhënësit të Vuçiqit. Po ashtu A.Tahiri i drejtohet Zonjës Gërvalla me, Zonja Schwarz, sepse nuk po mund t’a thërret me mbiemrin tjetër (Gërvalla) për shkak turpit. Kjo gjuhë e ulët, raciste dhe e urrejtjes e A.Tahirit ndaj Zonjës Gërvalla, i cili për fat të keq ka qenë edhe ministër i drejtësisë, është e papranueshme dhe denigruese.

Duhet përkujtuar këtij deputeti, se babai i Zonjës Gërvalla, i ndjeri Jusuf Gërvalla, të cilin e vranë UDB-ja serbe më 1982 në Gjermani, kur ishte përballur me regjimin kriminel serb, ky deputet ndoshta nuk ka qenë i lindur, dhe kur Zonja Gërvalla e ka senzibilizuar çështjen e Kosovës nëpër shumë qendra televizive në Gjarmani, dhe jo vetëm, duke debatuar me politikan serb, sikurse me Zoran Xhingjiqin ish kryeministër i Serbisë, A. Tahiri në atë kohë ka qenë fëmijë dhe hundët i ka pastruar me gushta.

Pse asnjëherë A.Tahiri nuk ka reaguan kundër Isa Mustafës dhe lidershipit të LDK-së, të cilët vazhdimisht kanë akuzuar H. Thaçin, K. Veselin dhe SHIK-un për vrasjet politike?!

Demagogjia e A. Tahirit, se Serbia e paska formuar Gjykatën Speciale, është rrenë e kulluar, sepse kjo Gjykatë është formuar me kërkesën e ndërkombëtarëve, në veçanti të SHBA-ve, kurse PDK-ja në krye me Hashim Thaqin, përmes presioneve ndaj deputetëve, e kanë instaluar, kurse tani derdhin lot krokodili kinse Serbia paska faj.

Veprimeve arrogante i është bashkangjitur edhe Memli Krasniqi, i cili pas një fjalosje, i bënë thirrje Ministrit për Bujqësi, Faton Pecit të del jashta sallës së Kuvendit për t’u marrür vesh. Edhe Ardian Kastrati, i cili para disa ditëve kishte ofenduar rëndë presidenten e Kosovës, Zonjën Osmani, kësaj rradhe ka ofenduar Zotin Peci duke thënë se ai është « legen » dhe « qenef ».

Është e turpshme dhe e neveritshme që dikush nga deputetët e PDK-së, kryesuesen e seancës së fundit të Kuvendit, zonjën Saranda Boguevci, e cila është edhe e mbijetuara e masakrës famailiare, t’a quaje « lavire »

Ky nivel i të shprehurit mund t’i përngjajë fjalorit të gangsterave dhe rrugaçëve dhe njerëzve asocial që janë në marigjinën e shoqërisë, e jo deputetëve.

Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë, më vendimmarrës dhe më reprezentativ i shtetit, ku miratohet Kushtetuta, Ligjet, Rezolutat dhe akte tjera normative, dhe konform këtij serioziteti duhet të sillen deputetët. Mirëpo PDK-ja, nga mllefi që ka humbur pushtetin, të cilin vështirë se do t’a ketë më, Kuvendin e Kosovës e shëndrruar në arenë të luftës verbale duke sharë, fyer, kërcënuar në stilin e bandave kriminale dhe mafioze.

Madje edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde dënoi ashpër gjuhën denigruese që deputetët përdorën në Kuvendin e Kosovës, në veçanti kundër Zonjës Gërvalla.

Kuvendi i Kosovës, sa më shpejtë duhet të ndërrmer masa kundër instalimit të këtyre veprimeve dhe diskursit të ndytë, të ulët dhe të pamoralshëm të deputetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat