Ç’po ndodh me shtatoren e Skënderbeut në Prizren?

Opinione

Ç’po ndodh me shtatoren e Skënderbeut në Prizren?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 10 maj 2021 Në ora: 11:49
Xhavit Kryeziu

Më 28 Nëntor 2020, në Prizren u bë inaugurimi i shtatores së kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

Forma tejet e tjetërsuar e shtatores e cila aspak nuk i ngjan Skënderbeut, shkaktoi reagimin e fuqishëm të masës së gjerë popullore, e cila kërkonte heqjen e menjëhershme të shtatores së Skënderbeut. Disa e krahasuan shtatoren e Skënderbeut me atë të Car Dushanit, jo për ta përbuzur, por për ta shprehur mllefin dhe keqardhjen ndaj kryeheroit tonë kombëtar për shkak të përçudnimit të paskrupullt të shtatores së tij.

I shtyrë nga kritikat e arsyeshme të qytetarëve të shumtë, kryetari filoturk i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili kur flet shqip mendon turqisht, premtoi krijimin e një komisioni komunal për të vlerësuar se çfarë do të bëhej me shtatoren e Skënderbeut.

Sot, edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga vënia e shtatores në fjalë, nuk dihet nëse një komisioni i tillë është formuar ndonjëherë. Megjithëkëtë, shtatorja e përçudnuar e Skënderbeut në Prizren edhe më tej vazhdon t’i fyejë ndjenjat kombëtare të të gjithë shqiptarëve anekënd shqiptarisë.

Të përkujtojmë se po të njëjtën ditë, më 28 Nëntor 2020, në hapësirat e qendrës tregtare “Abi Qarshia”, gjithashtu në Prizren, është ngritur edhe busti i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Pasi që edhe i njëjti ishte bërë shumë keq, pronarët e “Abi Qarshisë” e hoqën atë vetëm pas dy ditësh me premtimin se do ta rikthenin pasi ta kenë bërë më të mirë. Ndonëse deri më sot busti i Adem Jasharit nuk është rikthyer ende, shumë qytetarë mendojnë se më mirë është të mos ketë bust fare sesa një të tillë përbuzës që nuk i ngjan aspak heroit tonë komandantit të lavdishëm të UÇK-së, të pavdekshmit Adem Jashari.

Po, çfarë do të ndodhë me shtatoren e Skënderbeut, e cila edhe më tej vazhdon “të ngre shtat” në qytetin e shenjtë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit? Deri kur do të vazhdojë fyerja dhe lëndimi i ndjenjave të krenarisë sonë kombëtare përmes një shtatoreje, të cilën e financuan mërgimtarët tanë me mjetet e fituara nga djersa e tyre, por që dikush tjetër që gjendet në pushtet me votat tona, me apo pa qëllim i keqpërdorë ato mjete dhe “vret” zemrat e shumë shqiptarëve?

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat