A ishte Jusuf Gërvalla “enverist”?

Opinione

A ishte Jusuf Gërvalla “enverist”?

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 10 maj 2021 Në ora: 16:38
Jusuf Gërvalla

Jusuf Gërvallën e kam njohur nga mosha 7-8 vjeçare. Jetoi një kohë në lagjen time në Pejë. Nga ai i kam dëgjuar këngët spanjolle: "kerbonita soko stijena, mallagënija, salerosa...". Nga ai kam dëgjuar këngët moderne evropiane me gitar. Shumë vite më vonë e kam takuar në redaksinë e Rilindjes. Kemi punuar disa vjet në rubrikën e kulturës. Unë shkruaja për filmin, ai për muzikën. Ylli i tij ishte në ngritje. Ishte gazetar, këngëtar, poet. I la të gjitha dhe iku në Perëndim...

A ishte Jusuf Gërvalla “enverist”? Tybe treqind tybe, nuk ishte. Një enverist nuk do t’i përkthente shkrimtarët latinoamerikan, sepse ideologjia enveriste nuk ia lejonte. Një enverist nuk do të bisedonte për Xhojsin, Kafken, Xhorxh Oruellin dhe Bullkagovin me dashamirësi, ndërsa kemi biseduar shpesh për këta shkrimtarë dhe vepra të tjera të letërsisë e të kulturës botërore. Një enverist nuk do të dëgjonte e të ndikohej nga këngëtarët “degjenerik”, sikurse i trajtonte propaganda enveriste shumë këngëtarë perëndimor. Një enverist nuk do të bënte jetë moderne evropiane. Vishej sipas modës së fundit në kundërshtim me ato që propagandoheshin përtej kufirit. Ishte më mendje hapur se të gjithë kolegët e mi të Rilindjes. 

A ishte Jusuf Gërvalla enverist? Tybe treqind tybe, o Blerim nuk ma merr mendja, edhe pse ti e thua me siguri të pakundërshtueshme. Korrespodencën e tij me Enver Hoxhën nuk e di, as që me intereson, ashtu si nuk kam asnjë informacion për veprimtarinë e tij në Gjermani. Një koleg yni i Rilindjes, për shkak të mosdurimit personal në redaksi, shumë vjet më vonë nisi ta “demstifikonte” Jusufin “enverist”. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse, as nuk e kam arsyetuar. 

Me Jusufin kemi pas debate të shpeshta për kulturën, artin dhe letërsinë. Ta përkthesh Ernesto Sabaton, nuk ma merr mëndja se mund ta bënte një “enverist”. Nga ajo që bisedoja më te, në bufenë e Rilindjës, pastaj në apartamentin e tij, kur isha mysafir, bënim debate me një mikun e tij. Më “enverist” (i parrezikshëm natyrisht) isha unë se sa Jusufi, megjithëse babai im i ndjerë ma ka mbushur kokën se Enver Hoxha na tradhtoi, na la nën Jugosllavi, na dorëzoi si kope delesh të Tito etj. Babi ishte vullnetar për mbrojtjen e territoreve etnike me Xhafer Devën komandant. Më  vonë e  mobilizuan në brigadën e tretë shqiptare, me Enver Hoxhën, komandant. Mori pjesë në çlirimin e Tiranës.  

Sikur Jusuf Gërvalla të ishte “enverist” nuk do ta vrisnin, sepse në Perëndim asnjë enverist nuk e vranë as para tij as pas tij. I lanë të kullosin me simbolin e drapër-çekanit, me parullat e marksizëm-leninizmit derisa nuk ra edhe Bashkimi Sovjetik e stalinizmi shqiptar. Jusuf Gërvalla ishte më i ngritur, më i arsimuar dhe më i informuar se sa të gjithë LPK-sistat tjerë në Perëndim dhe në Kosovë. Prandaj e vranë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat